E Diel, 1 Nëntor 2026

Rehn: Kriza nuk frenon zgjerimin

23/02/2009  Rënia ekonomike dhe hapja e BE-së në vëmendjen e zyrtarëve të lartë evropianë

Komisionerët nënvizojnë se kriza duhet të imponojë mundësi për thellimin e reformave

Kriza ekonomike nuk do të frenojë zgjerimin e Bashkimit Europian me vende të reja nga Ballkani Perëndimor. Ky është pozicioni i komisionerit për Zgjerim në Komisionin Europian Oli Rehn, i cili ka folur me rastin e një analize të pesë vjetve të zgjerimit të BE-së. “Duke parë drejt së ardhmes, rënia ekonomike duhet të imponojë mundësi për forcimin dhe thellimin reformave thelbësore për të promovuar vijimësinë e integrimit, t’i garantojë Bashkimit Evropian një rol lidershipi mbi rritjen ekonomike botërore dhe të presë vende të tjera në të ardhmen”, - ka deklaruar komisioneri Rehn. Kjo deklaratë përbën një mesazh të qartë për vëmendjen që kanë institucionet kryesore të BE-së ndaj krizës ekonomike globale, impaktit të saj në politikat e zgjerimit të saj. Rehn së bashku me komisionerin për Çështjet Ekonomike Joaquín Almunia kanë vënë theksin në zgjerimin e fundit të BE-së, hapin më të madh dhe historik drejt bashkimit të Europës pas dekadash të ndarjes nga Lufta e Ftohtë. Me gjithë krizën ekonomike, duket se zgjerimi nuk do të ndalet. Përkundrazi, përballja me situatën e re ekonomiko-financiare po shton më shumë vëmendjen e BE-së ndaj zgjerimit të mëtejshëm të saj me vende të reja nga Ballkani Perëndimor. Për zyrtarët e lartë të Komisionit Europian procesi i fundit i zgjerimit të BE-së me një numër të madh vendesh ka kontribuar në përmirësime sinjifikative në ekonomitë e këtyre vendeve, në standardet e jetesës. “Zgjerimi i vitit 2004 dhe i vitit 2007 përbën një etapë historike. I dhanë fund ndarjes së Europës, kontribuuan në konsolidimin e demokracisë dhe gjeneruan përfitime ekonomike për të gjitha vendet e BE-së. Nuk duhet të lejojmë që kriza të anashkalojë vëmendjen. Së bashku mund të gjejmë zgjidhje për problemet botërore”, - ka thënë komisioni për Çështjet Ekonomike Joaquín Almunia. Në analizën e zgjerimit të BE-së komisionari Rehn ka thënë se ky proces ka qenë motor i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës në Europë.

Samiti i Berlinit

Vendet kryesore të BE-së kanë ranë dakord në kryeqytetin gjerman Berlin për hapa konkretë në drejtim të forcimit të kontrolleve të tregjeve financiare ndërkombëtare. Kancelaria Angela Merkel ka kërkuar me organizatat ndërkombëtare një rend të ri në ekonominë botëtore. Në deklaratën përfundimtare të takimit, krerët e shteteve kryesore të Bashkimit kërkuan që të mos mbetet pa rregullim e mbikëqyrje asnjë treg, produkt dhe aktor financiar. Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Spanjës dhe Holandës kërkuan edhe një mbikëqyrje më të fortë për fondet spekulative si dhe agjencitë e klasifikimit. “Të nevojshëm janë edhe hapat e vendosur kundër oazave të taksave”, - thuhet në një dokument të përpunuar nga ministrat e Financave. Veç kësaj propozohet të hartohen direktiva të detyrueshme për shpërblimet e menaxherëve. Brukseli ka në plan që të shtojë edhe 5 miliardë euro të tjera, me një paketë të vetën ekonomike. Kështu, arrihet në një shumë prej 200 miliardë eurosh, që shtetet e BE-së kërkojnë të shpenzojnë për të nxitur ekonominë e llogaritur për çdo vend. Takimi i Berlinit i shërben përgatitjes për takimin e nivelit të lartë për financat të 20 vendeve më të rëndësishme të industrializuara dhe me zhvillim të shpejtë ekonomik, që do të mbahet në 2 prill në kryeqytetin anglez, Londër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›