E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe njëherë për plehrat

Në Tiranë vazhdojnë të qarkullojnë opinione qesharake se Shqipëria rrezikon të kthehet “një kosh plehrash i Europës”, duke spostuar në mënyrë paradoksale problemin nga brenda, jashtë. Sikur të tjerët duan të na bëjnë, ata, Europa, Italia. Jo ne, ne jemi parajsë ekologjike që synon të dhunohet. Një opinion i rrezikshëm ky që uroj të ketë në bazë të tij vetëm verbërinë, injorancën apo pamundësinë për të parë mjedisin ku jetojmë e jo shpërndarjen e një psikoze të qëllimshme e të paramenduar: Shqipëria është tashmë prej 20 vjetësh një kosh plehrash dhe njërëz të caktuar vazhdojnë të pengojnë që ky kosh ku ne sot jetojmë, të sistemohet pa u kthyer përfundimisht në një vorbull të parekuperueshme.
Ndërsa institucionet shtetërore, duke u nisur nga Bashkitë, që nga ajo e Tiranës dhe ato në rrethe, Ministria e Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë, ofrojnë shifra me pikatore, të dyshimta, të matjes së ndotjes së mjedisit, të tjera institucione, përmes seminareve, japin shifra alarmante: rritje e numrit të të sëmurëve me tumore dhe leuçemi në Shqipëri, në të shumtën e rastëve këto sëmundje janë të lidhura drejtpërdrejtë nga faktorë ndotës të mjedisit. Mjekët mbeten e vetmja kategori që vazhdojnë të ngrenë zërin për këtë shqetësim, duke kërkuar herë pas here ndërhyrje serioze nga ana e Shtetit për mbrojtjen e mjedisit. Kush ka patur mundësinë të udhëtojë nga Tirana në Milano, vetëm falë shqisës që Zoti i ka falur, atë të frymëmarrjes, mund të kuptojë se ajri i kryeqytetit industrial të Italisë, duket ajër i pastër malesh, në krahasim me ajrin e kryeqytetit tonë. E pra, muajt e fundit, një nga debatet më të forta në këtë qytet verior të shtetit fqinj është ndotja e ajrit dhe një nga shqetësimet kryesore të pushtetarëve vendorë atje është reduktimi dhe matja e përditshme e pluhurave të imët në ajër. Janë këto pluhura, të prodhuar nga makinat, ndërtimet, që janë shkaktarët kryesorë të dëmeve në shëndetin e njeriut. Në Milano, i gjithë opinioni publik u alarmua, pas shtimit të rasteve me leuçemi te fëmijët. Nuk bëhej fjalë për një epidemi, por dy raste në një lagje të trafikuar, mjaftoi të nisnin masat urgjente për disiplinimin e trafikut, krijimin e ditëve pa makina. Në Tiranë, në Shqipëri, nuk bëhetë asgjë. Që prej 28 Qershorit të vitit të kaluar mazhoranca është impenjuar të mbajë karrigen dhe opozita e impenjuar t’ua heqë kundërshtarëve nga dora, ndërkohë që cilësia e jetës së njerezve sa vjen e bie, thithet nga kjo vorbull e krijuar, nga ky kosh i madh plehrash ku ne jetojmë. Javën e kaluar, po në Itali, u zbulua se një firmë e madhe ndërkombëtare detersivësh e të tjera produkte higjene (që vijnë dhe në Shqipëri) i hidhte mallrat e veta të skaduara në një firmë plehrash me çmim të lirë, ku përfundonin në tokë, duke ndotur mjedisin. Në Itali janë vënë para drejtësisë. Po në Shqipëri? Në gjithë këto vite? Ku hidhen detersivët, bojrat, ilaçet e skaduara? çdo gjë prej 20 vjetësh përfundon në tokën dhe në trupin tonë, askush nuk kontrollon nëse ndërkohë vijnë dhe groposen në menyrë klandestine apo me liçenca të dyshimta shtetërore produkte të dëmshme, sepse ende ne Shqipëri vendi ku hidhen plehrat është toka, lumenjtë e deti. Dhe ka ende nga ata që thonë “...rrezikojmë të kthehemi në kosh plehrash...” kur ka vite që jemi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›