E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe pas 8 ditë greve urie, Edvini s’pranoi të thoshte një fjalë solidariteti për Metën

Mbyllet pa rezultat greva e urisë e deputetëve të LSI-së. Edvini i qendroi obstruksionit, bile financoi edhe sulme ndaj partisë më të vogël të së majtës, duke e dënuar që të mos ketë komisionerë, por edhe duke përjashtuar çfarëdolloj mundësie për marrëveshje para apo pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare

Miratimi i Kodit të ri Zgjedhor me shumicë votash ka detyruar 10 deputetët e ngujuar për 8 ditë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë që t’i japin fund grevës së tyre të urisë. Pas një fjalimi të shkurtër në seancë plenare, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe deputetët e tjerë kanë dalë jashtë për t’u takuar me mbështetësit e tyre që ishin mbledhur sërish para parlamentit për të lajmëruar përfundimin e kësaj greve. “Ne përfundojmë sot vetëm etapën e parë të sakrificave tona. Nesër fillon një fazë tjetër e cila do t’i bëjë të gjithë botës të ditur se ata dy zotërinjtë, dy bosët e kapur nuk i dhunojnë dot shqiptarët pas 18 vjetësh, nuk i blejnë dot ata shqiptarë, nuk i vënë dot ata në rresht sepse ne kemi treguar se jemi qytetarë të vërtetë evropianë, se ju keni kërkuar lulëzimin e këtij vendi dhe jo gërdecizimin e tij. Do nisim një varg manifestime në mbarë vendin, ky do jetë fronti i lirisë”, deklaroi Meta.
Duke komentuar qëndrimin e një dite më parë të ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch mbi këtë grevë, pasuar më pas nga një deklaratë e dytë e zyrës së shtypit, kreu i LSI-së nuk ka ngurruar që ta akuzojë zotin Bosch se ka marrë ryshfet nga kryeministri Sali Berisha dhe kryesocialisti Edi Rama. “Dje dëgjuam dy deklarata të ndryshme nga OSBE-së. Dëgjuam sesi ambasadori në mëngjes, duke iu referua rekomandimeve të saj për zgjedhjet dhe Kodin. Por dy orë më pas dëgjuam një deklaratë tjetër që do të thotë se nuk do të ketë diplomat që mund të mbyllin këtë mënyrë që miratuan sot Rama dhe Berisha. Është turp i madh jo vetëm për kartonët e Ramës dhe Berishës por edhe për ndonjë diplomat që i mban sytë nga xhepi i kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Rama”, deklaroi Meta.
Duke paralajmëruar zhvillimin e protestave si brenda ashtu dhe jashtë vendit, lideri i LSI-së tha se interesi i dy partive të mëdha nuk ishte për një reformë gjithëpërfshirëse as për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-së “por për të realizuar atë puç që sot e dinin edhe vetë se ku i ka rrënjët”. “I kanë tek etja e dy bosëve për pushtet absolut, për pasurim të pakufij por edhe për një mbrojtje e cila përjashton kontrollin e qytetarëve të këtij vendi sipas Kushtetutës. Ju doni një skenar ogurzi për zgjedhjet e vitit 2009 që është tërësisht në kundërshtim me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it që kërkonte mosdiskriminimin e partive të tjera dhe që komisionet të ishin më pluraliste dhe të mos mbizotëronin vetëm dy parti. Më duket e tepërt të flas sepse ju çdo gjë e keni vendosur. Parlamenti i MegaDushkut këtu do çonte, listat e mbyllura ju kanë mbyllur gojën si dhe tjetërsuan karakterin dhe për dua të siguroj të gjithë ata që kërkojnë të vendosnin me votën e tyre të lirë që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona për të zhvleftësuar këtë kod që përbën një krim konsensual”, deklaroi Meta. Më parë disa deputetë kërkuan shtyrje të kësaj seance për të pasur mundësinë e negociatave shtesë për Kodin. Pak orë para seancës plenare deputeti demokristian Ymer Tola ka ndërprerë grevën e urisë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Tola u dërguar me urgjencë në drejtim të spitalit, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndodhet nën kontrollin e mjekëve. Me mbylljen e grevës së urisë mund të bëhet një bilanc, së pari se si do të shkojnë këtej e tutje punët në të majtë. Edvini i refuzoi në mënyrë të prerë të gjitha ftesat e Ilir Metës e Petro Koçit për një bashkim të madh, i cili do të mund të përvijonte edhe koalicionin e ardhshëm elektoral, dhe mbajti një heshtje, që ditë pas dite mori një karakter hakmarrës, bile vrastar. Nëpër tavolinat e lokaleve në selinë ylberiste përmendeshin bile edhe parashikimet mjekësore, se sa mund të duronte një njeri pa ngrënë si dhe për pasojat që mund të sillte mungesa e ushqimit. Fatmirësisht deputetët dolën pa pasoja serioze për shëndetin nga greva e urisë, porse njëherë e mirë është mbyllur rruga për një bashkëpunim paraelektoral mes partive të së majtës. Sipas skemës së re zgjedhore, Edi Rama dhe Ilir Meta do të shpresonin që të arrinin së bashku të luanin balancën apo peshoren, në zgjedhjet e ardhshme, por në një parashikim më realist, kur ky bashkëpunim nuk është i mundur, skenari i qeverimit edhe për një mandat tjetër të së djathtës, është parashikimi më i mundshëm i analistëve të politikës së ditës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›