Takimi Enkelejd Alibeaj - Pietro Grasso

“Gatishmëri për bashkëpunim të shpejtë e efikas në ekzekutimin e të gjitha vendimeve penal”
Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, Pietro Grasso kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të shpejtë dhe efikas në ekzekutimin e vendimeve penale.
Këtë gatishmëri Alibeaj dhe Grasso e rikonfirmuan gjatë takimit të tyre të djeshëm, në ministrinë e Drejtësisë. Takimi u përqendrua në nevojën e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve rritur efikasitetin në luftën kundër krimit.
Në fjalën e tij Ministri i Drejtësisë deklaroi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Përbashkët me Italinë, për ekzekutimin e vendeve penale është një arritje e madhe mes dy vendeve në luftën kundër krimin të organizuar. Ministri deklaroi se ekzekutimi i vendimeve penale është një problematikë që e ka rritur ndjeshmërinë e Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë dhe sistemit gjyqësor.
“Një numër i madh vendimesh janë ekzekutuar dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të krijuar kështu edhe një dekurajim të krimit”, u shpreh Alibeaj.
Nga ana tij Prokurori Kombëtar i Antimafias Pietro Grasso u deklarua optimist për bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar.
“Kjo ishte një nga arsyet e vizitës time në Shqipëri. Pa këtë bashkëpunim nuk mund të kemi asnjë shpresë për të luftuar krimet që nisin në një shtet dhe përfundojnë në një tjetër. Është shumë e rëndësishme që vendimet gjyqësore të mos mbeten në letër por të zbatohen. Kjo sepse personat e dënuar rikthehen në vendet e tyre duke vazhduar me aktivitetet e tyre kriminale”, u shpreh Grasso.
Takimi Bujar Nishani - Pietro Grasso
“Përgëzime Shqipërisë në luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale”
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani priti dje në një takim Kryeprokurorin e Antimafias Italiane Piero Grasso.
Ministri Nishani fillimisht paraqiti disa nga arritjet kryesore të policisë shqiptare dhe agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri gjatë tre viteve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit.
“Jemi optimistë me rezultatet e arritura, por misioni do të jetë i përfunduar kur të godasim të gjithë bosët dhe organizatorët e këtyre veprimtarive kriminale”, theksoi ministri Nishani.
Ministri i Brendshëm theksoi në takim se rezultatet e arritura janë gjithashtu frut i bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave ligjzbatuese në Shqipëri, në veçanti atyre të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë e po kështu bashkëpunimit me agjencitë e zbatimit të ligjit në vendet fqinje dhe ato ndërkombëtare si EUROPOL dhe INTERPOL.
Kryeprokurori i Antimafias Italiane Piero Grasso duke përgëzuar për arritjet e Shqipërisë në luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale u shpreh se është i nevojshëm intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes strukturave ligjzbatuese në të dy vendet.
Kreu i Antimafias Italiane theksoi se është me mjaft rëndësi rritja e nivelit të shkëmbimit të informacionit si dhe goditja dhe eliminimi i burimeve dhe pasurive ekonomike të personave të përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale dhe koordinimi i agjencive të zbatimit të ligjit për vijimësinë e hetimit në të dy vendet.
Takimi Ahmet Prençi - Pietro Grasso
“Rezultatet në rritje, dëshmia më e mirë e bashkëpunimit tepër profesional dypalësh”
Dje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi priti në një takim Kryeprokurorin e Antimafias Italiane, Piero Grasso.
Gjatë këtij takimi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e njohu Prokurorin e Antimafias me rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit vitet e fundit.
“Bashkëpunimi i Policisë së Shqiptare me Policinë Italiane, me ROS-in, etj., dëshmon më së miri se nga dhjetori i vitit 2005 e deri më sot, rezultatet e Policisë së Shtetit kanë njohur vetëm rritje. Këto rezultate janë arritur në sajë të një bashkëpunimi tejet profesional e të suksesshëm me strukturat elitë të policive evropiane me koeficient suksesi 100 për qind. Rezultatet kanë ardhur paralel me reformimin e gjithanshëm të strukturave të Policisë Shqiptare, e cila megjithëse në këto dy vite është reduktuar jo pak, ka rritur ndjeshëm profesionalizmin e në këtë mënyrë kredibilitetin përballë partnerëve të saj Evropianë”, nënvizoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Lufta ndaj krimit të organizuar ka qenë një tjetër pikë e diskutimit, ku Prençi paraqiti rezultatet konkrete të policisë shqiptare, duke vëne në dukje se është minimizuar në trafiku i drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Nga ana e tij Kryeprokurori i Antimafias Italiane, Piero Grasso pasi vlerësoi arritjet e policisë shqiptare theksoi se gjetja e një rruge të përbashkët për të bashkërenduar veprimet në luftën kundër krimit të organizuar është thelbësore dhe primare e një bashkëpunimi dypalësh.
...