E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i gjykatës: Prokuroria të mbyllë hetimet dosjen ta dërgojë në gjykatë

Gjykata e Tiranës, ka urdhëruar dje Prokurorinë e Përgjithshme të Tiranës, që të mbyllë hetimet ndaj të akuzuarve për rrugën Durrës-Kukës dhe dërgimin e dosjes për gjykim në gjykatë. Trupi gjykues e cilësoi të drejtë kërkesën e Armand Telitit ish-zëvendësministrit të Transporteve dhe Andi Tomës ish-drejtorit juridik në këtë ministri. Teliti dhe Toma kishin kërkuar shfuqizimin e një urdhri të Prokurorisë të pak ditëve më parë. Sipas të cilit hetimet për rrugën do të zgjateshin edhe një muaj nga 6 nëntori në 6 dhjetor të këtij viti.
Pas rreth një viti e gjysmë pas nisjes së hetimeve për rrugën Durrës-Kukës, atë çfarë nuk mundi ta bënte Prokuroria e ka urdhëruar Gjykata e Tiranës.
Seancën e djeshme, gjyqtari Sokol Tona ka kërkuar mbylljen e hetimeve dhe moszgjatjen e mëtejshëm të tyre pas tre seancave gjyqësore, ku u vendos shfuqizimi i vendimit të prokurorit Arben Kraja për zgjatjen e afateve hetimore nga 6 nëntori gjer në 6 dhjetor.
Vendimi për mbylljen e hetimeve do të thotë se Prokuroria e Përgjithshme duhet t’i japë fund sa me shpejt procesit hetimor paraprak dhe të dërgojë në gjykatë dosjen Rreshën-Kalimash.
Përveç kësaj veprimet hetimore që janë kryer nga 6 nëntori e deri tani konsiderohen të pavlefshme për në gjykatë.
Pas shpalljes së vendimit, prokuroi Arben Kraja, u shpreh se do ta ankimojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës në gjykatën e Apelit, duke shtuar se data 6 dhjetor do të jetë afati i fundit i hetimit për këtë dosje.

Pretendimet e prokurorit
Një seancë më parë, prokurori i çështjes Arben Kraja, kishte kërkuar nga gjykata shpalljen e moskompetencës së gjykimit për shkak se sipas tij në këtë procedim ndodhet edhe një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, aktualisht pa imunitet, ministri i jashtëm, Lulëzim Basha. Kraja argumentoi para trupit gjykues se duke qenë deputet kjo çështje nuk mund të gjykohet nga Gjykata e Shkalles së Parë, por nga Gjykata e Lartë.
Ndërkohë Avokati i të pandehurve Armand Teliti dhe Andi Toma, Genci Gjokutaj i kërkoi të paraqiste në gjykatë një vendim të Gjykatës së Larte për rastin e Gërdecit. Sipas tij, pak më parë kjo gjykatë shpalli moskoptenecen për gjykim në rastin e masës së sigurisë ndaj Ylli Pinarit, Dritan Minxholit dhe Mihal Delijorgjit.
Në seancën e kaluar, gjyqtari Sokol Tona rrëzoi kërkesën e prokurorit të çështjes, e cila kishte të bënte me mosshqyrtimin e kësaj ankese nga kjo gjykatë, por nga Gjykata e Lartë, meqenëse si person nën hetim është edhe ish-ministri i Transporteve, sot ministër i Jashtëm, Lulzim Basha.
Gjyqtari kërkoi të saktësohej nëse Basha është i pandehur apo nën hetim dhe mori përgjigjen se ministri është nën hetim.
Ky fakt bëri që ankesa e Telitit dhe Tomës të shqyrtohet nga gjykata e kryeqytetit, e cila dje rrëzoi edhe pretendimin tjetër të prokurorit Arben Kraja, që kishte të bënte me zgjatjen e hetimeve për dosjen e rrugës Durrës-Kukës.

Kërkesa e të pandehurve
Disa ditë më parë, dy nga të pandehurit e dosjes Durrës - Kukës - Morinë, Armand Teliti dhe Andi Toma kishin paditur në gjykatën e Tiranës, prokurorin e çështjes, për shtyrjen e afateve hetimore edhe për një muaj tjetër pa shkak e pa ndonjë arsye.
Në kërkesën e tyre drejtuar gjykatës, dy zyrtarët, bazuar në nenin 325 të Kodit të Procedurës Penale, kërkonin që brenda 10 ditëve të refuzojnë vendimin e prokurorit të çështjes, Arben Kraja, me pretendimin se prokuroria po i zvarrit hetimet për motive politike.
Para shtyrjes së fundit, Prokuroria e Përgjithshme pohoi se hetimet janë në prag të përfundimit dhe se shpejti do të ketë edhe konkluzionet për secilin nga të akuzuarit.
Raporti i dy ekspertëve kontabël që do të përcaktonin vlerën reale të aksit Rrëshen-Kalimash dhe dëmin e shkaktuar shtetit nga keqmenaxhimi i mundshëm i fondeve, ishte dokumenti i fundit që sipas prokurorisë, do të shërbente për t'i dhënë fund hetimeve të dosjes. Por kur ky dokument, tashmë është në duart e prokurorisë, ajo ende merr vendime për shtyrje hetimesh, këtë herë pa pasur ndonjë shkak real.

Armand Teliti: Zgjatja e hetimeve nga prokuroria e qëllimshme dhe e pajustifikuar”
Pas seancës së djeshme gjyqësore, Armand Teliti, falënderoi Gjykatën për vendimin që mori duke ju dhënë atyre të drejtë.
Ai u shpreh se “jemi të gatshëm të përballemi me çdo vendim të Prokurorisë, pasi ndjehemi të pafajshëm në këtë çështje”.
Për Telitin vendimi i Gjykatës dëshmon se, “vendimi i prokurorisë për zgjatjen më tej të afateve hetimore për këtë çështje ishte i qëllimshëm dhe i pajustifikuar”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›