E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe pas tre javësh, Ina Rama refuzon të hapë hetimet për vjedhjet e Edvinit

Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar dje zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme që të japë shpjegime lidhur me bllokimin trejavor të dosjes së dorëzuar nga Komisioni Parlamentar Hetimor, me abuzimet e klanit Rama-Eftimi-Shkreli me lejet e ndërtimit

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Albert Kushti i ka dërguar dje një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme, ku me tagrin e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë i ka kërkuar organit të akuzës informacion lidhur me ecurinë e hetimeve për kreun e bashkisë të Tiranës Edi Rama. Bashkangjitur kësaj kërkese Kuvendi i ka dërguar këtij institucioni një raport  të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit në bashkinë Tiranës. 

Në këtë raport janë vënë në dukje rastet flagrante të konfliktit të interesit të vërejtura prej të paktën dy anëtarëve të KRRT, caktuar nga kryetari i bashkisë, të cilët votojnë haptazi në konflikt interesi me dijeninë e kryetarit të bashkisë, edhe kanë monopolizuar lejet e ndërtimit në Bashkinë Tiranë, duke përbërë haptazi elementet bazë të veprave penale.  

Në letrën dërguar Ina Ramës, Prokurores së Përgjithshme citohet se “Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre javë nga depozitimi, edhe pse nga ana Juaj duhej të kishte një reagim dhe informim të Kuvendit, dhe Komisionit Hetimor Parlamentar, si për veprat penale të kallëzuara prej nesh ashtu edhe për ato te cilat Juve kryesisht duhet të kishit filluar procedimin për rastin se si Dash Pezës i është dhënë leje ndërtimi për pallat mbi rrugë publike, deri më sot nuk ka pasur asnjë veprim procedural prej Jush në detyrim të legjislacionit penal”. 

Duke iu referuar dhe përfundimeve të Komisionit Hetimor, në kërkesën drejtuar Kryeprokurores thuhet se “është bërë e ditur publikisht, bashkia e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi mbi një truall publik që është një rrugë e lagjes, dhe sot kjo rrugë nuk ekziston më për të vetmen arsye se ndërtuesi Dash Peza është miku i ngushtë i kryetarit të bashkisë”. 

Më tej në shpjegohet se “Dhënia e lejes së ndërtimit në mungesë së pronësisë mbi tokën është gjithashtu në kundërshtim me ligjin e Urbanistikës dhe krijojnë bindjen e plotë se është konsumuar vepra penale e “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”. 

Duke marrë në konsideratë interesin e madh publik që kanë  çështjet e mësipërme, në kërkesë citohet se Kuvendi i Shqipërisë i kërkon institucionit të Prokurorisë “të na informoni në kohë sa më të shpejtë mbi veprimet hetimore të kryera na ana juaj në zbatim të detyrimeve kushtetuese dhe funksionale të institucionit që drejtoni”, përfundon kërkesa e sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, drejtuar Prokurores së Përgjithshme Ina Rama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›