Xhaferri: Prokuroria nuk mund të vazhdojë të fshehë abuzimet e Edi Ramës prej 10 milionë dollarësh

Kreu i komisionit hetimor “Rama 2” Ferdinand Xhaferri ka komentuar dje kërkesën ndaj prokurorisë për informimin e Kuvendit lidhur me ecurinë e veprimeve hetimore. Në një dalje për mediat, Xhaferri deklaroi se “Abuzimi i Ramës kapin shifrën e 1 miliardë lekëve dhe ato nuk mund të fshihen”.
Kryetari i Komisionit Hetimor, që është marrë me hetimin e veprimtarisë abuzive të bashkisë së Tiranës, Ferdinand Xhaferri deklaroi se “Mënyra se si Edi Rama ka organizuar dhe ekzekutuar këtë model të paparë korrupsioni ku i jep 59 leje ndërtimi dy bashkëpunëtorëve të tij, dy ish punonjësve të bashkisë shënon rastin më të rëndë të korrupsionit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon”.
Sipas Xhaferrit “Përmasat e këtij abuzimi që kapin vlerën e 1 miliard lekëve të vjetra, nuk mund të mbrohen, nuk mund të mbahen dhe nuk mund të fshihen”.
Xhaferri ka folur dhe për përgjegjësinë që duhet të mbajë organi i akuzës në këtë rast, duke deklaruar se “Pra, nuk ka prokuror, të ri apo të vjetër, me eksperiencë apo pa eksperiencë, që të mbrojë apo të fshehë këtë lloj skandali.
Prokuroria bazuar në detyrimet ligjore duhet të informojë Kuvendin lidhur me ecurinë e veprimeve hetimore”, deklaroi kreu i Komisionit Hetimor “Rama 2”, Ferdinand Xhaferri.
...