Dialogu teknik do të vazhdojë, data nuk dihet

Megjithatë, sa i përket datës së fillimit të raundit të ri të dialogut, ajo ka thënë se nuk ka ndonjë marrëveshje me Cooperin, ngase atij i mbetet edhe më tej të punojë në diplomacinë fluturuese mes palëve.
Tahiri i bëri këto komente në një konferencë për media, pas takimit me ndërmjetësin e BE-së, Robert Cooper, nga i cili ka thënë se ka marrë përgëzime për konstruktivitetin dhe rolin pozitiv që ka luajtur Kosova prej fillimit të dialogut teknik.
Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, pas takimit më shumë se një orë me zëvendëskryeministren Tahiri nuk është paraqitur në konferencë për media siç pritej.
Ndërkohë, duke marrë parasysh dilemat e ditëve të fundit për mundësinë e shndërrimit të dialogut teknik në atë politik, Tahiri ka siguruar se çështja e sovranitetit, integritetit territorial dhe rregullimit të brendshëm të Kosovës nuk do të shtrohet asnjëherë në tavolinën e bisedimeve.
“Mund t’iu sigurojë, se edhe mbrëmë në takimin me kryeministrin Thaçin dhe zotin Cooper, ku isha pjesë edhe unë në këtë takim, ne si Qeveri e Republikës së Kosovës riafirmuam përkushtimin tonë për dialogun teknik dhe do të vazhdojmë të flasim me Serbinë si shtet fqinj, por do të flasim vetëm për çështje praktike dhe ky dialog për neve i ka linjat e kuqe, pra për sovranitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës nuk flasim me Serbinë as tash, as asnjëherë. Me fjalë të tjera, mendoj se dialogu ka perspektivë, kjo më shumë do të varet prej BE-së, sa do të jetë e vendosur që të detyrojë palën serbe për të bashkëpunuar. Dhe nga biseda e sotme, unë mund të them se BE-ja ka vizion dhe është e gatshme që ky dialog të jap rezultate”, ka thënë Tahiri.
Sipas saj, ndërmjetësi Cooper në Beograd është ballafaquar me kërkesën e palës serbe që çështja e pikave doganore të shtrohet në kuadër të dialogut teknik, mirëpo një kërkesë e tillë është refuzuar nga Bashkimi Evropian.
Zëvendëskryeministrja Tahiri, e cila udhëheq delegacionin e Kosovës në këto bisedime, ka hequr çdo dilemë për ndryshimin e karakterit të këtij dialogu, duke thënë se ai do të mbetet ashtu siç thotë rezoluta e OKB-së, e miratuar në shtator të vitit 2010, e cila kërkon bisedime për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për afrimin e dy vendeve drejt BE-së.
Tahiri ka thënë më tej se me Cooperin ka biseduar për implementimin e pesë marrëveshjeve të arritura me Serbinë, duke caktuar datën 20 nëntor si një afat kur duhet të fillojë implementimi i plotë i tyre.
“Për sa i takon datës së implementimit të të gjitha këtyre pesë marrëveshjeve, ne kemi propozuar datën 20 nëntor, që të jetë afati i fundit i zbatimit të marrëveshjeve, sepse duhet t’i jepet kohë Bashkimit Evropian për të vërtetuar a po zbatohen këto marrëveshje dhe palët çfarë roli po luajnë në këtë zbatim, në mënyrë që nga mesi i dhjetorit kur del vendimi për përparimin e vendeve të bazohet edhe në rezultatet e dialogut”, ka thënë Tahiri.
Sa i përket planit për shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të Kosovës, Tahiri ka thënë se ai po zbatohet suksesshëm dhe në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në. Sipas saj, ky plan i Qeverisë, është i ndërlidhur me Planin e Ahtisaarit, që përfshinë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“Ky plan është i ndërlidhur me planin e Ahtisaarit, si ofertë e jona për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe të gjitha e kanë shfrytëzuar këtë plan në të mirën e tyre. Ne ftojmë edhe serbët e pjesës veriore që sa më shpejtë ta shfrytëzojnë krejt atë që ofron Plani i Ahtissarit, ndërkohë ne si Qeveri garantojmë edhe projekte socioekonomike, të cilat do të rrisin sigurinë qoftë jetësore, qoftë ekonomike, qoftë sigurinë intelektuale, shkollore, e të gjitha aspektet për atë pjesë të komunitetit dhe ne i ftojmë këtë pjesë të serbëve të fillojnë të marrin vendime vetë, duke ndërprerë marrjen e recetave negative prej Beogradit”, ka thënë Tahiri.
Ndërkohë edhe sa i përket liberalizimit të vizave, Tahiri ka theksuar se Qeveria e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kushtet që lidhen me liberalizimin, andaj ka thënë se duhet kërkuar një kualitet i ri në marrëdhënies mes Kosovës dhe BE-së, që nënkuptojnë marrëdhëniet kontraktuale.
Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper, mbrëmë është takuar edhe me kryeministrin Hashim Thaçi, gjatë së cilit takim, pala e Kosovës e ka shprehur qartë dhe me këmbëngulje qëndrimin që biseda për çështje të brendshme të Kosovës nuk mund të ketë me Serbinë. /kosovapress/