Edhe pesë të arrestuar për incidentin në Gjilan

Policia e Kosovës në Gjilan ka arritur t’i arrestojë edhe pesë persona të tjerë si të dyshuar se ishin të përfshirë në trazirat që u shkaktuan jashtë stadiumit të këtij qyteti, javën e kaluar, pas ndeshjes kampionale mes Dritës e Llamkos Kosovës (0:4), me ç’rast tifozët vendas kishin demoluar dy autobusë të mysafirëve, duke i lënduar dy shoferët, dy policë, e po ashtu një punonjës të sigurimit privat.
Policia i ka prangosur të pesë të dyshuarit, të cilëve u është ngritur kallëzimi penal nga ana e Policisë. Fjala është për Agim Isufin, Ardian Matoshin dhe Faik Shalën, të cilët edhe ndodhen në burg, derisa Melot Shala dhe i mituri L. M. janë në procedurë të rregullt.
Prokurori i Qarkut, Arben Kadriu ka thënë për rajonipress se të pesë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Kështu, numri i të arrestuarve nga ana e policisë së Kosovës për atë incident ka shkuar në shtatë, derisa zyrtarë policorë të atij rajoni thonë se po punojnë rreth identifikimit edhe të të përfshirësve të tjerë të mundshëm.