E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 talentët e momentit

Talentë të shumtë e kanë vërshuar futbollin botëror, duke u bërë lojtarët kyçë të ekipeve përkatëse. Uebfaqja Eurosport.it e ka publikuar listën e 10 talenteve më të mirë tw momentit, ku përfshihen emrat e njohur të lojtarëve si Hazard, Gotze, El Shaarawy, Lamela, Pogba, Tello etj.

Uebfaqja Eurosport.it e ka publikuar listën e dhjetë talentëve më të mëdhenj në botë të momentit, ku shihen emrat e lojtarëve të njohur dhe të rëndësishëm në ekipet përkatëse.

10. James Rodriguez (12 korrik 1991, sulmuesi i Portos) – Me një aftësi driblingu të pastër, ka një vizion të lartë loje. Ky talent kolumbian konsiderohet si pasardhës i Carlos Valderramasit, një legjendë e vërtetë për vendin jugamerikan. Pasi u tregua i suksesshëm me U-20, ai tash është pjesë e Kombëtares A. ‘Rodri’ konsiderohet si Cristiano Ronaldo jugamerikan. Klauzola e shkëputjes së kontratës së tij është 40 milionë euro.

9. Paul Pogba (15 mars 1993, mesfushor në Juventus) – Kjo ishte blerja më e madhe e Juventusit gjatë verës që shkoi. Lojtar i fuqishëm dhe me aftësi të goditjes së fortë dhe të saktë, Pogba i ka mahnitur të gjithë me personalitetin e tij. Ai u fut mjaft lehtë në mekanizmat e kampionit italian, tek i cili ishte vendimtar dy herë.

8. Cristian Tello (11 gusht 1991, sulmues i Barcelonës) – I ‘peshkuar’ nga fabrika e talentëve që ka Barcelona B, këmbëshpejti Tello ka impresionuar menjëherë, në eksperiencën e tij të parë në futbollin e madh nën drejtimin e Pep Guardiolës. Ai ka shënuar 7 gola sezonin që shkoi, ndërsa ka kontratë me Blaugrana deri më 2013. Kjo ka bërë që të flitet se ai mund të shkojë diku tjetër.

7. David Alaba (24 qershor 1992, mbrojtës i Bayern Munichut) – Ka vetëm 20 vjet, por duket si një veteran në ekipin e Jupp Heynckesit, ku ishte njëri prej më të rinjve të të gjitha kohëve që debuton në një ndeshje zyrtare (më 10 shkurt të vitit 2010 në Kupën e Gjermanisë ndaj Greuther Furthit). Pasi e nisi karrierën në mesfushë, duket se ai e ka gjetur veten më mirë në krahun e majtë të mbrojtjes. Me vetëm 19 vjet, është zgjedhur lojtari më i mirë i Austrisë.

6. Erik Lamela (25 mars 1992, sulmues i Romës) – Me 8 gola të shënuar në 11 gara në kampionat, produkti i River Plates është bërë njëri prej lojtarëve më interesantë në Serie A. Ai është përmirësuar në aspektin fizik dhe teknik në krahasim me sezonin e kaluar, ndërsa e ka fituar besimin e trajnerit Zdenek Zeman, në repartin ofanziv, ku po tregohet mjaft i rrezikshëm.

5. Iker Muniain (19 dhjetor 1992, sulmues i Atlethic Bilbaos) – Tashmë ka thyer disa rekorde të ekipit bask, e ku ka debutuar si 16 vjeç, 7 muaj e 11 ditë, duke rezultuar si lojtari më i ri që e vesh fanellën e klubit spanjoll. Po ashtu, ishte lojtari më i ri që shënon gol në një ndeshje zyrtare në një ndeshje të La Ligës, ndërsa është bërë lojtar i rëndësishëm i skuadrës së Marcelo Bielsës. Kualiteti i tij i kristaltë në fushë ka bërë që ta quajnë ‘Messi spanjoll’.

4. Stephan El Shaarawy (27 tetor 1992, sulmues i Milanit) – Në fillimin sizastër të sezonit të Milanit, ndoshta është lojtari i vetëm që po shfaq ngritje konstante të kualitetit. Pas një sezoni të parë të zbehtë, ai është duke u konfirmuar si lojtar super premtues. Ai kishte eksploduar parvjet në Padovë, ndërsa sivjet, me angazhim, vrapim dhe lojë me zemër, është bërë sulmuesi kryesor i Rossonerëve, pasi që as golat nuk po i mungojnë. ‘Faraoni i vogël’ po bëhet i madh.

3. Isco (21 prill 1992, mesfushor i Malagës) – I krahasuar me Andres Iniestën, është rritur në sektorin e të rinjve të Valencias, për t’u transferuar në Malagë në verën e vitit 2011. Cilësia e tij është në ngritje, e po ashtu edhe vlera, pas një fillimi të jashtëzakonshëm të sezonit. Ai shënoi dy gola në Ligën e Kampionëve ndaj Zenitit dhe është e vështirë ta shohim në Malagë edhe sezonin e ardhshëm.

2. Mario Gotze (3 qershor 1992, mesfushor i Borussia Dortmundit) – I shpejtë, me teknikë të përsosur, vizion të lojës dhe kreativitet: Gotze është një siguri për ekipin e Jurgen Kloppit në dy sezonet e fundit. Ai ka zhvilluar 20 ndeshje në përfaqësuesen gjermane, ndërsa e ka vazhduar kontratën me Dortmundin, deri në vitin 2016. Gotze luan në ekipin verdhezi që nga mosha 8-vjeçare dhe pritet të bëhet legjendë e kampionit gjerman.

1. Eden Hazard (7 janar 1991, sulmues i Chelseat) – Pasi u fut në ekipin e të rinjve të Lilles kur ishte 14 vjeç, super talenti belg ka debutuar si profesionist kur i mbushi vetëm 16 vjet, duke u bërë një pjesë e rëndësishme e skuadrës që e fitoi titullin e kampionit në Francë. Pasi realizoi gola të shumtë dhe dhuroi asistime të panumërta, përfaqësuesi belg po bind dita ditës edhe në Chelsea, ku u transferua gjatë verës. Deri tash, me kampionin e Evropës ka realizuar 3 gola dhe ka dhuruar 10 asistime.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›