E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drenica synon ta mbyllë siç e nisi

Drenica dhe Liria do të përballen të shtunën në Skenderaj, në betejën për t’i ikur vendit të fundit të renditjes në Superligë. Kuqezinjtë janë mobilizuar për të shënuar fitore pas plot pesëmbëdhjetë javësh. Por, drenicasit nuk do ta kenë të lehtë ta arrijnë objektivin, ngase triumfin e kërkojnë edhe prizrenasit, të cilët nuk kanë shijuar fitore qe shtatë javë.

Në këtë fundjavë do të zhvillohet xhiroja e shtatëmbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll, respektivisht e fundit e stinorit vjeshtor. Kjo javë do t’i sjellë disa takime mjaft interesante. Ndeshje e tillë do të zhvillohet të shtunën në Skenderaj, ku do të përballen dy skuadrat e fundit të tabelës, me pikë të barabarta dhe shumë të etura për fitore – Drenica dhe Liria.

Kuqezinjtë deri më tani e kanë fituar vetëm një duel, derisa bardheiznjtë i kanë regjistruar dy triumfe. Drenica qe pesëmbëdhjetë javë nuk di për fitore, ngase vetëm në xhiron e parë të kampionatit e kishte mposhtur Hajvalinë. Ndërsa, në pesëmbëdhjetë ndeshjet e tjera i ka regjistruar dhjetë barazime e pesë humbje. Por, trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku është i bindur se më në fund, ekipi i tij do ta shënojë fitoren e dytë.

“Edicionin vjeshtor e nisëm me fitore, por pas këtyre rezultateve të tjera, shpresojmë që këtë sezon ta përmbyllim me fitore, respektivisht fitoren e dytë. Trepikëshi i plotë është synimi ynë i vetëm dhe nuk vjen në konsideratë asnjë rezultat tjetër, pavarësisht se do ta kemi vështirë përballë Lirisë”, tha Lushtaku.

Por, drenicasit nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë objektivin, ngase edhe Liria synon t’iu kthehet fitoreve pas plot shtatë javësh. Kështu pohon trajneri prizrenas, Skënder Kapra. “Të dyja ekipet jemi në fund të tabelës dhe pikët na nevojiten të dyja palëve. Ne vetë jemi në telashe, por megjithatë do të përpiqemi ta shfrytëzojmë formën jo fort të mirë të Drenicës dhe ta nxjerrim një rezultat sa më pozitiv”, tha ai.

Po të shtunën, Hajvalia do ta sfidojë Trepçën, derisa të dielën zhvillohen katër takimet e tjera, duke përfshirë superderbin mes Trepçës ’89 e Prishtinës.

Superliga – Xhiroja e 17-të

E shtunë

Drenica – Liria

Hajvalia – Trepça

E diel

Drita – Vëllaznimi

Besa – Ll. Kosova

Hysi – Ferronikeli

Trepça ’89 – Prishtina

Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 13:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›