E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rrëfej debatin kokë më kokë me Bushin dhe Putinin”



Në këtë pjesë të dytë të intervistës, dhënë gazetarit Mentor Nazarko, për emisionin e tij “Antinomi” që transmetohet në “Tv Koha”, ish-Presidenti Alfred Moisiu rrëfen hollësisht për dy takimet kokë më kokë me Presidentin amerikan Bush në Tiranë, më 2007-ën, dhe me atë rus, Putin, në Zagreb të Kroacisë. Sipas Moisiut, biseda kokë me kokë me Bushin ka pasur në qendër të saj problemin e Kosovës. Moisiu i ka transmetuar amerikanit shqetësimin e ndarjes eventuale të Mitrovicës së veriut të Kosovës, që sipas bindjes së plotë të tij nuk duhej lejuar, pasi mund të shkaktonte një efekt zinxhir. Madje Moisiu thotë se ka merita për transmetimin e këtij shqetësimi, pasi, siç gjykon ai: “... kjo mendoj unë ka qenë edhe arsyeja që nuk i qaset më njeri këtij problemi”. Po kështu, ish-presidenti Moisiu tregon edhe detajet e bisedës me Putinin në Zagreb, ku kokë më kokë, duke komunikuar në gjuhën ruse, i ka argumentuar Putinit se përse duhet të korrigjonin politikën ndaj shqiptarëve.

Mentor Nazarko

Nazarko: Ju keni pasur takime me dy presidentë të vendeve më të fuqishme të botës, atë të Shteteve të Bashkuara dhe atë të Rusisë. Në fillim do të doja, në qoftë se ka ndonjë gjë të veçantë nga takimi me Presidentin Bush në Tiranë, që se keni thënë.
Moisiu: Unë i kam thënë në fakt, s’kam mbajtur asgjë sekrete, në librin tim, i kam paraqitur aty. Presidentin Bush unë për herë të parë e kam takuar që në vitin 2002, kur vajta në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për njëvjetorin të 11 shtatorit. Dhe sipas traditës që kanë ata, çdo president që shkon në OKB, Presidenti Amerikan jep një pritje për të gjithë. Në atë pritje si të thuash ke një kontakt shumë të shkurtër, dy minuta llafe si i thonë fjalës. I kam transmetuar fjala vjen edhe ngushëllimet për 11 shtatorin, si dhe gatishmërinë e popullit shqiptar për të qenë në krah të luftës kundër terrorizmit dhe njëkohësisht i kam thënë që ne shpresojmë që të na vini, e kam ftuar në një farë mënyre që të vinte në Shqipëri, disa herë. Kurse ai nuk është përgjigjur, me përjashtim të 2006-s. ‘Po, - tha - unë kam në mend të vij’.
Nazarko: Pra, në samitin e OKB-së të 2006-s?
Moisiu: Po, që erdhi pastaj në 2007-ën, në fakt, për vizitë. Pra, sigurisht unë këto nuk mund t’i quaj ftesa se këto ndonjëherë edhe ngatërrohen, sepse pas kësaj kërkese verbale, vjen edhe ana protokollare. Ajo është pjesa që... Unë për shembull kam vënë re edhe një gjë tjetër. Kur shkon në OKB, ose kur shkon në takime të ndryshme ndërkombëtare, sigurisht që atje do takohesh me personalitete të ndryshme, disa i ke njohur, disa s’i ke njohur, do prezantohesh, është një normë mirësjelljeje në radhë të parë, por për fat të keq te ne çfarë ndodh? Takova këtë, takova atë. Ato janë takime: si je, si shkoni, a je mirë, si po shkoni, mund t’i thuash ndonjë problem kështu, kaq. Një gjë më shumë se 5 minuta kurrë nuk vazhdon. Se s’ka mundësi më tepër.
Nazarko: Në fakt zoti Berisha nuk është çliruar nga ky lloj sindrome, që nga ’92-shi, takova Katrin La Lymnerin, i thashë këtë, i thashë atë. është një sindromë e vjetër kjo.
Moisiu: E, ato janë gjëra kështu...
Nazarko: Prandaj pyeta për takimin e vërtetë me Bushin, për 2007-ën.
Moisiu: Takimi me Bushin ishte takim protokollar, takim normal, pata një takim kokë më kokë me të...
Nazarko: çfarë u tha në atë takimin kokë më kokë me të? Kjo është ende një lloj kështu...
Moisiu: Shiko, ka shumë supozime dhe unë them...
Nazarko: U kërkua prej tij, apo pati një kërkesë prej jush?
Moisiu: Jo, takimet kokë më kokë zakonisht, jo zakonisht, por përgjithësisht bëhen mes presidentëve. Me të gjithë presidentët që kanë ardhur, unë kam pasur takime kokë më kokë. Domethënë thuhen disa gjëra, që nuk ka pse t’i marrë vesh i gjithë delegacioni. Edhe kur kam shkuar jashtë, prapë kam pasur takime kokë më kokë, madje edhe të protokolluara... Pra, takimet kokë më kokë janë një moment, ose 10 minuta, një çerek ore, qameti gjysmë ore, kur të dy presidentët... mund të kenë ndonjë nga stafi, mund të mos kenë fare, mund të jetë vetëm përkthyesi dhe në fakt kur isha me Bushin, unë s’kisha njeri fare... Momenti delikat... unë isha për Kosovën. I thashë, u shpreha atje, se ndihej, qarkullonte mendimi i ndarjes së Kosovës. Edhe sot vjen vërdallë. Bëhet fjalë gjithmonë për pjesën e veriut, Mitrovica Veriore. I thashë që kjo nuk duhet bërë në asnjë mënyrë, sepse do të krijojë një reaksion zinxhir në Ballkan. Po morën serbët atë pjesë, do të kërkohet pjesa e Preshevë - Bujanovcit, por i thashë, edhe me Maqedoninë do të kemi probleme. Nuk e dimë çdo ndodhë dhe me Malin e Zi. Pra, fillon një, rifillon si me thënë, një turbullirë e re në rajonin e Ballkanit. Dhe kjo mendoj unë ka qenë edhe arsyeja që nuk i qaset më njeri këtij problemi. Fakt që asnjë nuk e pranon, normalisht. Këtë unë desha t’ia them në mënyrë të prerë e të qartë Bushit, sepse i trembesha kësaj, sepse kishte disa tendenca, edhe organe amerikane, e para disa analistë amerikanë, që e patën hedhur këtë ide në treg. Të them të drejtën unë i trembesha kësaj dhe duke njohur rajonin, duke pasur kontakte, isha i detyruar t’ia thosha Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si fuqia kryesore që vendos për këto gjëra, ose që determinon për këto gjëra, që ta paktën ai ta dijë. Ta dijë nga një kryetar shteti që banon në rajon.
Nazarko: Ju keni pasur një takim të veçantë, më duket, në një samit, në Zagreb në Kroaci edhe me Presidentin rus, Putin...
Moisiu: Dua të them këtë: që unë isha përpjekur, që stafi im ishte përpjekur që ne të organizonim një takim me të, por nuk kishim arritur dot. Nuk mund të them që ata s’donin, mbase edhe ngarkesa, ku di unë, mund edhe të refuzonin, nuk e di. Sepse për mendimin tim, e kam shprehur disa herë, ky ka qenë një gabim i diplomacisë shqiptare. Dhe që për fat të keq vazhdon...
Nazarko: Që nuk komunikonte me diplomacinë e një vendi si Rusia...
Moisiu: Sepse këtu ka reminishenca, ata janë kamp tjetër, ne jemi me Amerikën. Këtu s’bëhet fjalë që ne të shkëmbejmë aleatin tonë kryesor, as Evropën. Por ama ky është një problem që Rusia ka peshën e saj në rajon.
Nazarko: Dhe çfarë u tha në atë takim?
Moisiu: Pikërisht këtë i thashë unë.
Nazarko: Ju folët rusisht, apo jo?
Moisiu: Sepse ishte një takim kështu, më shumë i rastit ai. I rastit mund të quhet, se u bë në korridor, por ndihmoi edhe Presidenti Mesiç në këtë punë. Se ishte bashkë me të, po vinte, unë kisha bërë fjalë më të përpara, më tha, ‘unë po të takoj më të dhe po largohem...’ Ai iku dhe ne mbetëm të dy. Qe një gjë interesante, sepse edhe dritat i ulën në atë moment. Një qetësi absolute. Dhe po bisedonim, pa përkthyes vetëkuptohet, se unë rusishten e njoh mirë dhe i thashë: çfarë keni me shqiptarët? Tha: Ne s’kemi asgjë me shqiptarët. Po ju po mbështesni fuqimisht Serbinë. Po, - tha, - ata janë aleatët tanë, ne s’mund t’i tradhtojmë. Po mirë - i them - po ne çfarë jemi? Duhet të shkelen të drejtat e shqiptarëve? I thashë: Ju, kam përshtypjen nuk e njihni mirë situatën konkrete. Tashti në Ballkan kemi probleme, se neve vinim nga dreka. I thashë: Ju e patë në drekë sa gjëra të përbashkëta kemi ne me Malin e Zi për shembull dhe sa gjëra të përbashkëta kemi ne me serbët, në kuptimin historik të fjalës. Madje i thashë, - thuhet që pjesa kryesore e Malit të Zi kanë qenë shqiptarë dhe janë sllavizuar. Se këto i kishim biseduar në drekë. Edhe i thashë, prandaj juve duhet të jeni më të kujdesshëm, se jeni fuqi e madhe. Na lini t’i zgjidhim vetë këto punë. Më në fund tha: Do ta shikojmë. Kaq. Pra fillimisht ai ishte në pozicion shumë regjit për Kosovën, pastaj e zbuti në kuptimin e kësaj që tha: Do ta shikojmë. Se unë i thashë: Unë mendoj se juve keni mundësi dhe duhet ta rishikoni këtë çështje. Pra ky qe qëllimi i këtij takimi. Dhe unë krijova përshtypje nga fjala e fundit që tha ai, se neve po të kishim pasur takime, po të komunikonim, ma merr mendja, se nuk them që do ndryshonim vijën e Rusisë, por do ta bënim atë më elastike ndaj problemit të Kosovës.
Nazarko: Nga presidentët që keni takuar, për cilët keni përshtypjet më të mira?
Moisiu: Unë them të drejtën, presidentët i rajonit i kisha si pikësynim timin. E pat filluar edhe Presidenti Mejdani, por unë e zhvillova më tej. Ju e dini se keni qenë vetë këshilltar atje në atë kohë. Dhe që arritëm të bënim edhe takime informale. Unë mund të komunikoja me presidentët, edhe me telefon, ka ndodhur kjo shpesh. Sepse në fund të fundit jemi në një rajon me halle dhe në fund të fundit duhet që kryetarët e shteteve të jenë të gjendje të shkëmbejnë mendime në momente të caktuara, pa pritur organizimin e takimeve formale, që duan një kohë të gjatë për t’u përgatitur dhe për t’u zhvilluar. Dhe unë e arrita këtë, qoftë me Presidentin e Maqedonisë, të ndjerin Trajkovski, qoftë edhe me ish-Presidentin e Kroacisë, Mesiç, qoftë me Presidentin e Bullgarisë, Parvanovin, me drejtuesit e Malit të Zi...
Nazarko: Vazhdoni marrëdhëniet me ndonjë?
Moisiu: Në fakt ata janë treguar shumë korrektë, se qoftë Mesiçi, qoftë Parvanovi, kur kanë ardhur këtu, për vizitë, kanë kërkuar dhe është vënë në program takimi me mua dhe jam takuar me ta, flas takime zyrtare. Kështu pastaj, vazhdojnë për ditëlindje, më kanë dërguar telegrame. Dhe kur dorëzova detyrën më dërguan gjithashtu mesazhe ku përmendnin bashkëpunimin që kemi pasur...

Sqarim
Gazeta “Panorama” u kërkon ndjesë lexuesve për dy pasaktësi në zbardhjen e intervistës së ish-Presidentit Alfred Moisiu me gazetarin Mentor Nazarko, të publikuar në numrin e djeshëm. Në gazetë është shkruar gabimisht emri i Gjeneralit Ernest Jakova (në shkrim Ernest Serkova) dhe në një rast të dytë, kur i intervistuari flet për një takim me ish-Kryeministrin Mehmet Shehu, duhet të lexohet “më thirri në zyrën e tij Kryeministri” në vend të “më thirri në zyrën e tij në ministri”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›