E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasaportat biometrike, sanksione për mospajisjen e shtetasve

Flet Zëvendësministiri i Brendshëm Ferdinand Poni

Ministria e Brendshme sqaron edhe njëherë se dokumentet e reja të identitetit janë kusht themelor, për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në hapësirën evropiane. Zëvendësministri Poni deklaron se nuk përjashtohet mundësia që brenda një kohe të shkurtër të aplikohen sanksione për shtetasit, në mënyrë që të realizohet objektivi i Ministrisë së Brendshme dhe kushti i KE, për liberalizimin e vizave.

TIRANE – Në kushtet kur Komisioni Evropian ka hapur dritën jeshile për lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë, Ministria e Brendshme do të aplikojë sanksione për pajisjen e shpejtë të shtetasve me dokumentet e reja të identitetit si pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në një intervistë televizive sqaron se këto dokumente do të jenë të domosdoshëm për kryerjen e shërbimeve publike dhe njëherazi edhe për lëvizjen e lirë.
“Ne e mbajmë mend shumë mirë propozimin e 7 janarit që kemi bërë së bashku me koncensionarin, në sensin që ashtu si kudo në botë për të marrë shërbime publike, dhe jopublike dhe gjysmë publike do të duhet të identifikohesh dhe identifikimi më i mirë është numri i identitetit i deklaruar nga karta e identitetit apo letërnjoftimi elektronik. Ky dokument tashmë është themelor për vërtetimin autentik të identitetit dhe pas pak do të jetë dokumenti i vetëm. Unë i ftoj qytetarët që të jenë të vëmendshëm nëse do të duan të marrin ndihmën sociale, nëse do duan të kryejnë pagesa dhe me radhë, edhe në banka, shumë shpejt do të vijë dita që do të duhet t’u kërkojmë dokumentet e tyre”, tha Poni.
Ai sqaron se qytetarët mund t’i tërheqin dokumentet 10 ditë pas aplikimit.
Numri dy i ministrisë së Brendshme bëri me dije se deri më 31 Gusht 163 mijë persona kanë aplikuar për pasaportën biometrike. Dhe 1 milion e 630 mijë persona janë pajisur me kartën e identitetit, ndërsa fluksi i aplikimeve ka qenë më i madh gjatë muajve korrik dhe gusht. Ndërkohë, nga ana tjetër, të gjitha filialet e Postës Shqiptare do të vazhdojnë nga puna me të njëjtat kapacitete, ndërsa për punonjësit puna do të vazhdojë edhe në fundjavë për t’ju shërbyer të gjithë personave të interesuar.
Procesi i pajisjes me pasaportat e reja biometrike po ecën me ritme të kënaqshme, duke tejkaluar edhe objektivat e vëna nga Ministria e Brendshme.
Gjatë këtyre ditëve është shënuar një fluks i aplikantëve për pasaportat e reja, që ka arritur deri në 5 mijë aplikime në ditë, ndërkohë që maksimalja parashikohej për 3 mijë aplikime. Ministria e Brendshme ka në punë kapacitetet dhe dokumentet më të mira.

Pasaporta biometrike, kusht për liberalizimin e vizave
Shqipëria ka kapacitetet dhe dokumentet më të mira në vendet e rajonit. Kjo është një pjesë e madhe e detyrës që qeveria shqiptare kishte për të bërë. Ndërkohë është përcaktuar me ligj që deri në fund të vitit 2010 do të ketë një ligj që pasaportat e vjetra të dalin jashtë përdorimit, që përkon edhe me kërkesat e BE për këtë çështje.
Sistemi i pasaportave po punon në mënyrë që pasaportat e vjetra të zëvendësohen në mënyrë graduale. Nëse do të ecet me këto ritme deri në fund të 2010 numri i aplikuesve për pasaportat biometrike mund të shkojë deri në 1.4 milionë shtetas. Pajisja me pasaportat e reja është një kusht kryesor për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.
Qytetarët shqiptarë mund të marrin pasaporta biometrike vetëm në rast se kanë aplikuar për karta identiteti. Procedurat për pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike kanë nisur që në maj 2009. Ky proces vazhdon, ndërsa ata që duan pasaportë biometrike duhet të kenë aplikuar më parë për kartë identiteti. Burime nga Ministria e Brendshme thonë se, pajisja e shtetasve me pasaporta biometrike duhet të vazhdojë, pasi zotërimi i një dokumenti të tillë përbën në çdo kohë avantazh në kërkesat për pajisje me viza për jashtë shtetit.
Në këtë drejtim, shtetasit shqiptarë do të duhet të heqin nga përdorimi pasaportat aktuale deri në fillim të vitit 2010, pasi kjo do të çonte në liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe BE-së. Tani qytetarët duhet të nxitojnë të pajisen me pasaporta biometrike. Pajisja e shtetasve me dokumentin modern të identifikimit do të ishte në të mirë të vendit.

Pasaportat e vjetra mund të nxirren jashtë përdorimit
Pasaportat aktuale për jashtë shtetit mund të nxirren jashtë ligjit, me qëllim përshpejtimin e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me pasaporta biometrike, si një parakusht kryesor për liberalizimin e vizave me BE-në. Një masë e tillë pritet të ndërmerret, nëse shikohet se procesi i pajisjes së qytetarëve me pasaportat biometrike nuk do të ecë sipas ritmeve të parashikuara.
Ritmet aktuale të aplikimit për pajisjen me këto dokumente janë të kënaqshme. Ligji në fjalë mund të miratohet vetëm në rast se, konstatohet se bie ritmi i aplikimeve. I takon qeverisë shqiptare ta vlerësojë oportunitetin se kur duhet të dalë vendimi, por qytetarët duhet ta dinë që është më e mirë kjo pasaportë dhe shumë mirë të kenë atë, dhe baza jonë e të dhënave ia ofron të gjitha mundësitë për të kontrolluar, përveçse pasaporta kontrollohet dhe vetë.
Pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit janë dokumente, që verifikohen me vetveten, në kuptimin e disa parametrave të kontrollit, standarde të nivelit të parë, të nivelit të dytë e të tretë. Aktualisht, ekziston një urdhër i Ministrisë së Brendshme, i cili përcakton përdorimin e pasaportave ekzistuese deri në vitin 2011, por nxjerrja e një ligji të veçantë, që mund të miratohet nga Kuvendi, apo si një akt i veçantë i qeverisë mund të jetë një nxitje që shtetasit të aplikojnë për dokumentet e reja sa më parë. Nëse deri në fund të vitit të ardhshëm, mbi 1 milion shtetas shqiptarë nuk do të jenë të pajisur, atëherë do të jetë qeveria që do të marrë masa për përmbushjen e këtij detyrimi.
Pajisja me dokumentet e reja të identitetit është një nga kushtet kryesore të vendosura nga Bashkimi Evropian për procesin e liberalizimit të vizave. Mosdhënia e rezultatit nga ky proces, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, bëri që Komisioni Evropian të shtyjë për në janar të vitit të ardhshëm vlerësimin e tij për procesin e liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Maqedonia ka përfituar nga vendimi i KE-së për liberalizmin e vizave, kjo për faktin se, brenda një periudhe të shkurtër me këtë dokument u pajisën 200 mijë shtetas maqedonas. Deri tani kanë aplikuar për pasaportat biometrike 150 mijë shtetas shqiptarë, ndërsa numri i personave që kanë blerë kuponin për pajisjen me letërnjoftimin elektronik, është mbi 1 milion e 400 mijë shtetas. Nëse deri në fund të vitit të ardhshëm mbi 1 milion shtetas shqiptarë nuk do të jenë të pajisur me pasaportën e re, atëherë qeveria do të marrë masa për përmbushjen e këtij detyrimi.
Dokumentet biometrike të identifikimit të shtetasve shqiptarë kanë elementët më të lartë të sigurisë dhe përmbajnë informacionin e domosdoshëm për identifikim edhe nga autoritetet e vendeve të huaja. Ato janë të pajisura me një sistem të lartë sigurie dhe zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme pohojnë se ato janë pothuajse të pamundura për t‘u falsifikuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›