Olli Rehn shpall kufijtë administrativë në Kosovës
Derisa Shqipëria mëmë është zënë nga ethet malarike (edhe histerike) për pushtet, shtetin e saj po e mbrojnë zoti Ahtisari dhe Alber Rohani (që u dëshmuan se nuk paskan qenë argatë të BE-së). Një muaj u bë “Thembra e Akilit” në sovranitetin e Kosovës ky protokolli ilegal i EULEX-it me MUP-in e Serbisë. U desh të reagonte pro et contra diplomacia ndërkombëtare, por nuk i dëgjohet gjë zëri diplomacisë kombëtare shqiptare. Personalisht jam i bindur se ende kemi nivel paradiplomatik, por nuk mund të besoj se niveli i tillë është bash-bash kaq i ulët! Mos po zbatohet far urdhri “për të heshtur”, apo ne vërtet udhëtojmë “në sfera të tjera” me “automjete” të deklaratave politikaneske të instancave të larta vendimmarrëse ndërkombëtare (jo më vetëm evropiane)?
Më lehtë më vjen të besoj se prapa kulisave të Fuqive të Mëdha në konspiracion të thellë po debatohet strategjia (mënyra e mundshme) për zbatimin praktik të ndonjë projekti për “zgjidhjen definitive”, jo më të çështjes së Kosovës (se nuk ishte çështje Kosova, por ishte vetëm “mollë sherri”), dhe fjala është për “çështjen ballkanike” 100 vjet kontestuale. Nga shtetformimet ballkanike në fillim të shek. 20-të u përjashtua vetëm Shqipëria. Nëse nuk është kështu, atëherë edhe një luftë ballkanike është këtu krejt afër ditëve që vijojnë. Përndryshe pse me kaq shqetësim dhe i frikësuar Gjukanoviqi në “Evropën e lirë” të lutet në mënyrë urdhërore - “duhet t’i vihet pikë statusit të Kosovës”? A nuk qenka zgjidhur definitivisht statusi i Kosovës më 17 shkurt 2008, përkatësisht më 15 qershor të po këtij viti? Nuk e di, pyeteni EULEX-in dhe MUP-in e Daçiqit (ish-sekretar i Milosheviqit). Nuk e di a është zgjidhur statusi i Kosovës, por e di se nuk është zgjedhur statusi i Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë! Dhe e di se statusi i këtyre tri shteteve që e kanë okupuar gjysmën e shtetit të Shqipërisë, kurrë nuk mund të zgjidhet pa vullnetin e shqiptarëve. Ose do të vazhdojë, siç ka thënë slloveni Jelko Kacin, “stabiliteti në jostabilitet”. Pra fuçia e barotit është këtu po ajo e vjetra, dhe vetëm fitili pret një shkrepës.
Pra t’i kthehemi temës, e kjo është “indiferenca” kombëtare, në çastin kur vlon Parlamenti Evropian me pyetjet e deputetëve për aktualitetin politik të “stabilitetit në jostabilitet” të Kosovë, sidomos pas suspendimit të sovranitetit të Kosovës nga ana e Solanës (ICO-së dhe Eulex-it). Pra në vend se të ngrihen deputetët e Kosovës dhe t’i thonë Jo MUP-it dhe EULEX-it, çohet Ahtisari e thotë decidivisht se Kosova do t’ia dalë në rrugën e vet pa tutorizmin (zbutje e fjalës “diktaturë”) e bashkësisë ndërkombëtare, duke kërkuar kështu që t’i jepet fund misioneve të huaja në Kosovë, në këtë rast ICO-së dhe EULEX-it (zyra të UNMIK-ut këto). Çohet Albert Rohani e decdivisht saktëson faktin se EULEX-i (citoj) “nuk mund të marrë përsipër pjesë të sovranitetit të Kosovës”! Çohet edhe Doris Pak e flet po si këta, edhe analisti amerikan Daniel Server, edhe pse këto qëndrime të dy personaliteteve supreme morale dhe politike ndërkombëtare si Ahtisari dhe Rohan-i, kundër bashkëpunimit me “këto misione” serbe, është shkruar edhe këtu, në “sheshin” që mbetet vetëm në sirtar, sepse lidershipi dhe opozita nuk kanë guxim (dhe pse??? dhe a të supozojmë???) ta mbrojë sovranitetin duke kërkuar largimin emergjent të ICO-së dhe të EULEX-it, që nëse ata pastaj nuk largohen, të zbulohet “misioni” i tyre i vërtetë, dhe ta kuptojë gjithë populli se ku qëndruaka puna.
Publicistët që mësojnë nga shkrimet e tyre personale (autoriale) e problematizuan propozimin (e paobligueshëm) të senatorit ameriakn Dana Rohrabaker, prandaj Gjykanoviqi, një politikan që i ka mbijetuar me elegancë sfidat e politikës policore serbe në Ballkan, menjëherë e vizitoi Shqipërinë dhe u takua me Berishën. Çka e kapi kështu për fyti Gjykanoviqin që vizitoi Tiranën me aq azhuritet politik, kur dihet se ai qe 20 vjet shtirej thuajse nuk ekziston Shqipëria në Ballkan? Çka ka biseduar me Berishën nuk dihet, por dihet se nga Tirana ka deklaruar para gazetarëve se ndarja e Kosovës do të ishte një katastrofë për Ballkanin. Gjukanoviqi e zëvendëson emrin mbiemëror “Mal i Zi” me emrin “Ballkan”. Pra, është çështja e kufijve në kontrabandimin e nocioneve që definojnë juridikisht kuptimet “administrativ-e” dhe “ndërshtetëror-e”. Ja kjo është ajo kontrabanda politike që bën sot Solana me policët dhe gjykatësit e EULEX-it, duke vendosur kufij “administrativë” brenda kufijve “ndërshtetërorë” të dy shteteve sovrane kushtetutshmërisht. MUP-i dhe EULEX-i “do ta luftojnë” kontrabandën brenda kufijve shtetërorë të Kosovës dhe kështu Serbia do t’i meritojë vizat liberale. Pra, vendoset administrimi i Serbisë, pasi tri atributet elementare të shtetit janë: gjyqësia, doganat (kufiri) dhe policia! Plus pastrimi etnik që është bërë atje “nga mbrojtësit” e “stabilitetit në jostabilitet”. Kështu ndodh kur media konstaton ndarjen e Kosovës, por këtë nuk e vërteton zyrtarisht institucioni më i lartë shtetëror i Kosovës - Parlamenti i tij. Kështu kthehemi në fillim të këtij teksti, ku pyeta “mos po zbatohet far urdhri të heshtim, apo jemi në “sfera të tjera”?
Por “heshtja zyrtare” e klasës politike në Kosovë, nuk praktikohet edhe në Parlamentin Evropian. Dhe atje nuk mund të shesësh dushk për gola, kështu që Olli Ren, i trysnuar nga insistimi i deputetëve, e çori maskën fare, dhe e shpalli publikisht “Traktatin e Solanës” mbi ndarjen e Kosovës. Ai tha se atje (në Kosovë) ka përparime në “adaptimin e legjislacionit” që do të thotë në “adaptimin e Kushtetutës”, që do të thotë në revidimin e saj, që do të thotë në shkeljen e saj, që do të thotë në mohimin dhe suspendimin e sovranitetit të Kosovës. Dhe a e dini pse bëhet kjo sipas Olli Renit? Bëhet për shkak (citoj) “të kontakteve midis njerëzve (zbulo në këta “njerëz” serbë ose shqiptarë shën. im), bëhet për shkak të tregtisë (çështja pra nuk qenka “politike”, po “ekonomike”, shën. im), bëhet për mobilitet (azhuritet) dhe bashkëpunim rajonal”!!! “Bashkëpunimi rajonal” do të bëhet nën masat e dhunshme të MUP-it dhe EULEX-it, në një vend ku Policia e Kosovës, edhe pse pa ingjerenca reale, as sytë nuk guxon t’i hedhë në atë “bashkëpunim rajonal” të MUP-it (policisë serbe) dhe Policisë demokratike të EULEX-it të Solanës.
Athua çfarë mesazhi na dha senatori reganian Dana Rohrabaker? Dhe kur ka ndodhur që nga ShBA-të të ketë ardhur ndonjë propozim i keq?! Mbase senatori amerikan deshi të na bënte me dije se kur themi nuk bën të “hapet Kutia e Pandorës” ne do të duhej ta kishim kuptuar kaherë se Kutinë e Pandorës e ka hapur KFOR-i me 1999 kur e vuri kufirin në “Urën e Kushnerit” në lumin Ibër. Dhe mbase ka dashur të na pyesë: pse ju shqiptarët po frikoheni nga hapja e Kutisë së Pandorës? A mos kur të “hapet kutia” shqiptarët kanë çka humbin më shumë sesa e kanë të humbur Kosovën Lindore, Malësinë e Malit të Zi deri në Tivar, Maqedoninë Perëndimore dhe Çamërinë?! Kështu vazhdojnë të na aneksojnë territore duke e ditur se për kompensim nuk na ofrojnë territoret tona të aneksuara, por na ofrojnë integrime me Evropën e Solanës dhe Putinit, ku do të arrijmë në mënyrë klandestine, pa viza në pasaportat tona të Kosovës, të cilat i pranojnë Greqia dhe Spanja.