E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe pse i kundërshtoi, Topi firmos ndryshimet në Kushtetutë

Kreu i shtetit u ka dhënë fund debateve për ndryshimet në Kushtetutën e Republikës. Pas miratimit në Kuvend me 115 vota pro, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar dje ligjin i cili pritet të hyjë në fuqi shumë shpejt. Nëpërmjet një njoftimi të bërë nga zyra e shtypit të Presidencës, bëhet e ditur se Presidenti Topi, në mbështetje të neneve 93 dhe 84, pika 1 të Kushtetutës, dekreton shpallje ligji nr. 9904, datë 21.04.2008 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 "Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar. "Noterizimi" përfundimtar i ndryshimeve kushtetuese nga kreu i shtetit nxjerr jashtë loje nismën e LSI-së dhe të disa deputetëve, të cilët kanë nisur betejën e mbledhjes së firmave për ta çuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Dekreti i Presidentit Topi botohet sot në Fletoren Zyrtare dhe pritet të hyjë në fuqi brenda dy javëve. Ndryshimet kushtetuese kanë tri pjesë thelbësore: sistemin e ri zgjedhor, që do të jetë proporcional, mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, i cili mund të votohet edhe me shumicën e thjeshtë të deputetëve, si dhe mocioni i mosbesimit ndaj Kryeministrit, i cili bëhet vetëm në rast se paraqitet një kandidat alternativ për kryetar qeverie. Në ligjit themeltar të shtetit, tashmë përcaktohet se nëse në katër raundet e para, Presidenti i Republikës nuk zgjidhet me shumicë të cilësuar, pra me tre të pestat, atëherë në raundin e pestë marrin pjesë një ose dy kandidatë që kanë marrë më shumë vota në katër raundet e para dhe zgjedhja e tij bëhet me shumicë të thjeshtë, pra me 71 vota të deputetëve. Ndryshimi i dytë është që Kryeministri ka të drejtë t‘i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri brenda 48 orësh nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit shpërndarjen e Kuvendit. Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës se të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri. Në këto ndryshime kushtetuese është përcaktuar edhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, i cili do të jetë pesë vjet me të drejtë riemërimi. Gjithashtu Kuvendi ka votuar edhe për shfuqizimin e kapitullit të 12 të Kushtetutës, i cili flet për KQZ-në. Ky institucion nuk është më kushtetues, por detyrat e tij do të përcaktohen nga Kodi i ri Zgjedhor. Këto ndryshime kushtetuese të propozuar gati një muaj më parë nga PD-ja kanë shkaktuar mjaft debate në politikën shqiptare. Këtë herë ndryshe nga sa ka ndodhur këto vitet e fundit në politikë, debati nuk ka qenë mes PD-së dhe PS-së, por mes vetë grupit parlamentar të PD-së. Një grup deputetësh të PD-së, të cilët u cilësuan si mbështetësit e Bamir Topit, u shprehën kundër këtyre ndryshimeve, dhe konkretisht kundër nenit i cili përcaktonte zgjedhjen e kreut të shtetit me shumicë të thjeshtë. Ky qëndrim para se të hidhej për votim në seancën parlamentare u mbështet edhe nga disa parti të vogla, të majta e të djathta. Politika u përfshi në një vorbull të madhe debatesh dhe nismash parlamentare. Mbështetësit e Topit, të cilët në fillim rezultuan të shumtë, morën një nismë zyrtare, duke mbledhur mbi 28 firma, nëpërmjet të cilave kërkonin që zgjedhja e Presidentit të bëhej nga populli. Por "dora e hekurt" e tij triumfoi edhe këtë herë. Në një mbledhje grupi një natë para seancës parlamentare, i vënë edhe para presionit të PS-së e cila kërkonte siguri për të votuar ndryshimet kushtetuese, pasi bashkë me ta do të kalonte edhe ndryshimet në sistemin zgjedhor, mësohet se Kryeministri ka qenë mjaft i ashpër me deputetët e tij, duke iu kujtuar se ata duhet të votojnë në mënyrë unanime paketën e ndryshimeve kushtetuese, ashtu siç do ta paraqiste Komisioni Parlamentar i Ligjeve, ndryshe po shkelmonin kontributin e tyre në PD prej disa vitesh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›