E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe revolucionet demokratike vdesin

Revolucionet zakonisht deshtojne kur e identifikojne veten me individin qe i udheheq, ose me sakte , kur individi...që i udhëheq, imponon identifikimin glorifikues të revolucionit me veten. Historia e re europiane u pasurua me një shembull të ri domethënës në rastin e Ukrainës, ku revolucioni i portokalltë demokratik, i udhëhequr nga presidenti Viktor Jushçenko, ndjeu gozhdën e fundit në arkivolin e vet më 7 shkurt, kur raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale rezultoi me fitoren e Viktor Janukoviçit. Fitoi politikani, kundër të cilit u organizua revolucioni i portokalltë, dhe po të përdorim një shprehje historike, burbonët u kthyen përsëri në pushtet. Rikthehet në pushtet personi, i cili pesë vjet më parë ishte simboli i një sistemi politik, i një mënyre të drejtuari dhe të menduari, për përmbysjen e të cilit u desh revolucioni demokratik i portokalltë. Tani Viktor Janukoviç rikthehet në pushtet si politikan dhe si simbol politik, por dhe si kthesë e re drejtimi të shtetit, e ndryshme me atë të revolucionit demokratik, që e largoi atë pesë vjet më parë. Shumë pyetje po shtrohen në katër anët e globit këto ditë, përse dështoi revolucioni demokratik i portokalltë në Ukrainë. Ky interes i madh ndodh, sepse ai ishte revolucioni i parë i rëndësishëm demokratik në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik komunist, dhe së dyti, sepse implikon një vektor planifikimesh dhe lojërash strategjike mes aktorëve kaq të mëdhenj të skenës botërore, si SHBA, Rusia dhe BE. Revolucioni i portokalltë dështoi sepse u identifikua me figurën e udhëheqësit të tij, presidentit të deritanishëm, Viktor Jushçenko. Si shumica e udhëheqësve të demokracive të reja në vendet ish- komuniste, ai u përpoq të impononte figurën e vet, karizmën dhe autokracinë e vet, dhe jo të krijonte dhe konsolidonte institucionet dhe marrëdhëniet e reja demokratike në vend. Jushçenko nuk u përpoq të zbatonte standardet demokratike në masën dhe në nivelin e duhur, në institucionet dhe në shtet, në atë shkallë që ato të ishin promovues dhe garantues të vetë revolucionit demokratik. Politika ekonomike që ai ndoqi, ishte një politike autarkike, që e çoi ekonominë ukrainase në një rënie faktike prej 15 për qind, duke detyruar shumë shtresa të njerëzve të thjeshtë të fillonin të kërkonin me nostalgji kohën e mjerë të komunizmit dhe të Bashkimit Sovjetik. Revolucioni i portokalltë dështoi, sepse autokracia e udhëheqësit pengoi një demokratizim të mënyrës së të menduarit të masave të thjeshta që votojnë. Njerëzit e thjeshtë, të cilët me aq entuziazëm morën pjesë në revolucionin e portokalltë, nuk panë këtë revolucion të transformohej në një lëvizje ndryshuese shpirtërore, ekonomike dhe institucionale për jetën e tyre. Dhe mbi këtë deziluzion të masës së gjerë të njerëzve luajti politikani dhe sistemi i përmbysur nga revolucioni, grupi i Viktor Janukoviçit, që shumica e analistëve vendas dhe të huaj e cilësojnë një simbiozë të oligarkisë me mafian e krimit dhe me shërbimet sekrete ruse. Ky grup nuk e pat të vështirë të blinte mendjet dhe votat e vulgut dhe të fitonte mandatin për restaurimin e regjimit të vjetër. Analistja ruse, Julia Latinina shkruante në "The Moskow Times", më 10 shkurt:" Fitorja e Viktor Janukoviçit në zgjedhjet presidenciale edhe njëherë ngre dyshime mbi premisën bazë të demokracisë: që njerëzit të jenë në gjendje të zgjedhin udhëheqësin e tyre. Njerëzit e varfër zgjedhin politikanë si Janukoviçi apo si presidenti venezuelian, Hugo çavez". Revolucioni i portokalltë dështoi, sepse në vend të transformimit demokratik të institucioneve, protagonistët e tij u angazhuan në luftën e paskrupullt për pushtet, për t'i ngrënë kokën njëri-tjetrit, për të vërtetuar edhe në shekullin 21 thënien e vjetër se revolucioni ha bijtë e vet. Viktor Jushçenko dhe Julia Timoshenko i konsumuan energjitë t'i thyenin karriget e pushtetit njëri-tjetrit dhe kjo luftë arriviste arriti kulmin me aktin e fundit të presidentit Jushçenko, i cili e turpëroi revolucionin duke mos arritur të marrë as 6 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve, dhe duke u bërë thirrje votuesve të vet të mos ia japin votën asnjërit prej dy rivalëve të mbetur në garën presidenciale. Ky veprim drejtohej kundër Julia Timoshenkos, një protagoniste e revolucionit të portokalltë, sepse me votuesit e presidentit Jushçenko, ajo do ta kishte mundur Viktor Janukoviçin. Por në biografinë dhe në personalitetin e shumë udhëheqësve të revolucioneve demokratike të vendeve ish-komuniste mund të gjesh jo pak meskinitete të tilla, të cilat ndihmojnë t'i këputet koka revolucionit demokratik. Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë i fitoi Rusia, sepse jo vetëm rikthehet njeriu i Moskës në pushtet, por edhe sepse një nga shtysat më të mëdha të revolucionit demokratik të portokalltë ishte ndjenja e madhe kombëtare e ukrainasve, e shoqëruar me dëshirën për shkëputje nga kontrolli dhe varësia e Rusisë. Presidenti i ri, Viktor Janukoviç mund të përpiqet të sigurojë qarqet diplomatike perëndimore se ai nuk është vegël e Moskës, siç bëri edhe në intervistën e tij në CNN më 10 shkurt, por rikthimi i tij është rikthimi i Rusisë në kontrollin e Ukrainës. Kremlini nuk e fshehu ankthin e kënaqësisë për rezultatin e zgjedhjeve, saqë presidenti rus Dimitri Medvedev, pa pritur rezultatin zyrtar të zgjedhjeve, menjëherë i dërgoi telegram urimi beniaminit të Moskës, të sapozgjedhur në Kiev. Dështimi i revolucionit të portokalltë nuk mund të mos shihet edhe si dështim i kursit perëndimor dhe i aspiratave për integrimin e Ukrainës në familje euroatlantike. Presidenti i ri pritet ta heqë nga axhenda e tij kursin e orientimit perëndimor dhe të arkivojë në histori kërkesën e revolucionit të portokalltë për anëtarësim në NATO, dhe ai menjëherë deklaroi se prioriteti i tij është Rusia. Natyrisht, për inerci ai mund të vazhdojë një formë propagande pro integrimit europian, por kjo do të vazhdojë thjesht për të qetësuar të pakënaqurit e rezultatit të zgjedhjeve, dhe jo për të vazhduar kursin e integrimit europian. E vështruar në prizmin e relatave gjeostrategjike, zhvendosja e Ukrainës në planin strategjik dhe politik drejt Rusisë sjell një rikthim të saj në sferën e influencës ruse, gjë që kënaq ambiciet e Moskës për të ruajtur sferën e saj të ndikimit në ish-hapësirën e Bashkimit Sovjetik. Një nga dukuritë më interesante të "restaurimit të burbonëve" në Ukrainë është qëndrimi i Perëndimit, cili jo vetëm sanksionoi me nxitim standardet e zgjedhjeve presidenciale, pavarësisht nga kundërshtimet e opozitës, por edhe nxitoi në nivelet më të larta shtetërore t'i dërgonte telegramet e urimit presidentit të ri "burbon". është e qartë se kjo vjen, jo nga kënaqësia për riardhjen e kundërshtarit të revolucionit të portokalltë, por nga zhgënjimi i Perëndimit për lojërat jomorale të pushtetit të deritanishëm në Kiev, ku protagonistët e revolucionit të portokalltë flirtonin edhe me regjimin e vjetër të përmbysur, por edhe me udhëheqësit e Kremlinit, armiq të revolucionit të portokalltë. Dhe nëse ata që udhëhoqën revolucionin demokratik nuk mbetën besnikë me idealet dhe frymën e këtij revolucioni, nuk mund t'i kërkosh Perëndimit të bëhet "më katolik se papa". Kuptohet se tani, edhe Perëndimi: SHBA, NATO, BE, edhe Rusia, pritet të rishikojnë planifikimet e tyre strategjike ndaj Ukrainës, dhe raportet e tyre të lidhura me Ukrainën. Ajo që ndodhi në Ukrainë, është këmbanë e madhe alarmi për të gjithë shtetet ish- komuniste të Europës Lindore, që kaluan nga komunizmi në demokraci, lidhur me të vërtetën e madhe dhe të hidhur se edhe revolucionet demokratike vdesin. Vdesin, kur njësohen me individin që i udhëhoqi. Vdesin, sidomos kur ata që bënë revolucionin demokratik, bëjnë aleanca, krushqira dhe kauza komune me ata, të cilët pretendojnë se i kanë rrëzuar më parë. Revolucioni demokratik i portokalltë në Ukrainë dështoi për 5 vjet. Në disa shtete mund të dështojë për 20 vjet. Në disa, edhe për pesë ditë. Në disa shtete mund të dështojë edhe pa lindur akoma. Emrat e shteteve, lexuesi e ka shumë të lehtë t'i gjejë vetë. Por, një gjë nuk duhet harruar kurrë: Edhe revolucionet demokratike vdesin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›