E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Rama ka frikë nga populli (socialist të paktën)?!...

Martin Leka

Thonë se diktatorët kanë frikë nga populli i tyre. Eshtë kjo arsyeja pse ata i kufizojnë në maksimum liritë e popujve të tyre. Kjo dukuri perverse e diktatorëve, të cilët, ndërsa i kufizonin këto liri, kishin ngritur një makinë të tërë propagande për të krijuar bindjen se ata punonin “për popullin e në emër të tij”, i ka rrënjët në manierat që shfaqin diktatorët për të sunduar me çdo kusht e mjet popujt e tyre.
Po ç’lidhje ka kjo me Shqipërinë e sotme apo me liderët e sotëm, kur Shqipëria është një vend demokratik e ku liderët e saj më të pushtetshëm, njëri në pushtet-opozitë e tjetri në pushtet, përkatësisht Rama dhe Berisha nuk janë “diktatorë”?!
E vetmja lidhje nga ku mund të gjenden sindroma apo nuanca të sëmundjes së diktatorëve është lidhja që këta dy persona kanë patur dikur me njëri-tjetrin, gjatë kohës kur ishin në një front –frontin antikomunist për rrëzimin e diktaturës - dhe “litarëve” ende të pakalbur që ndonjërin prej tyre (në mos të dy) i lidh me sistemin e kaluar.
Pikërisht kjo gjë duket në të ashtuquajturën “aferë” mes të dyve lidhur me ndryshimet e fundit kushtetuese. Eshtë thënë e stërthënë se Ligji Themeltar i Shtetit ndryshoi brenda tre-katër ditëve, në mënyrë “kaçakçe”, duke na e shitur për “konsensusin më të madh dhe kushtetutën më moderne”. Por nga ana tjetër, ajo që gjithnjë e më tepër po përvijohet si opozita e vërtetë, me iniciatore partinë e majtë të Metës, ka ndërmarrë një fushatë mbresëlënëse në mbrojtje të Kushtetutës. Fakti që në këtë grupim gjenden edhe parti të djathta apo fakti se një Komitet i krijuar në mbrojtje të Kushtetutës ka në krye një analist politik të pavarur si zotin Zheji, tregon se kjo lloj oponence dhe opozite është një risi në rrjedhën e gjatë të zvarritjes demokratike përgjatë rreth dy dekadave tranzicion demokratik.
Përpos shumë arsyesh dhe shkaqesh objektive e subjektive, legjitimitetin më domethënës, “opozitës së re” ia jep edhe kauza e saj: lufta për t’i dhënë popullit, qytetarëve, të drejtën e mohuar me vota “përfaqësuese”, për t’u shprehur në mënyrë direkte lidhur me nene të Kushtetutës, që ata, qytetarët, i kanë votuar më parë po me plebishit popullor. Këtë kërkojnë partitë opozitare apo Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës: një referendum në mënyrë që populli të shprehet me votën e tij nëse është dakord me ndryshimet që “përfaqësuesit” e tij në parlament i bënë Kushtetutës së Republikës.
Mjaft opinione dhe zëra kualitativë të fushave të ndryshme, ligjore apo politike e publike, janë shprehur qartë për dëmet që i shkaktohen demokracisë nga këto ndryshime kushtetuese. Por ajo që të çudit është pikërisht frika që kanë eksponentët udhëheqës të Partisë Socialiste nga një referendum popullor dhe pse ata ndjehen të frustruar dhe nuk shprehen publikisht në mënyrë të lirë, pa patur frikën se mos u bërtet “shoferi”?!... Jo rastësisht veçova në këtë paragraf lidershipin socialist nga socialistët, pasi këta të fundit nuk besoj se mund të pranojnë t’u vjedhë apo t’u transformojë votën e tyre, të dhënë dy herë për Kushtetutën në më pak se dhjetë vjet. Profesor Meidani, ish-Presidenti i ardhur në këtë detyrë nga socialistët, në një shkrim të botuar dje në gazetën “Panorama”, sqaron dhe trajton në mënyrë mjaft të qartë e të shtjelluar, të kuptueshëm jo vetëm për Ramën e të tjerë administratorë partiakë nën hyqëm, por për çdo socialist të thjeshtë, se Referendumi në demokraci nuk mund të jetë një ide e gabuar. Sidomos në këtë rast dhe për kushtet shqiptare, “hipoteka popullore” do të ishte zgjidhja më e pranueshme dhe më pak e kushtueshme, po të kemi parasysh “kostot demokratike” që shkojnë përtej kostos financiare të një referendumi të përgjithshëm.
Në gjithë këtë histori që po zien dhe që duket se do t’i kushtojë shumë më tepër se askujt Ramës dhe PS-së, ajo që mbetet ende një pikëpyetje e madhe është: - pse lideri socialist ka frikë nga një referendum popullor? Një pyetje e tillë lind edhe për faktin e filozofisë programore që paraqet PS-ja. Në vetvete, kjo parti, në themel të filozofisë së saj, (qoftë edhe të trashëgimisë), ka vendosjen prioritare të një shtrese të gjerë sociale dhe në këtë kuptim, kërkesa për një referendum nuk do të kishte nevojë për kurrfarë hezitimi, përkundrazi. Po atëherë pse? Përgjigja e parë që të vjen të kërkosh tek lidershipi socialist është frika e humbjes. Por kjo nuk mund të jetë arsye, kjo është dështim. Që në çastin kur kërkesa për Referendum refuzohet, atëherë çdo socialist ka të drejtën e dyshimit: ore, këtë kryetarin dhe udhëheqësit, i kemi socialistë apo jo?!... 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›