Kujtohet 10 Shkurti

Tri vjet pas protestës së përgjakshme të 10 Shkurtit, ku humbën jetën Arben Xheladini dhe Mon Balaj dhe u plagosën 80 të tjerë, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje do të bëjnë një varg aktivitetesh në nderim të tyre.
Të mërkurën, më 10 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të protestojë apo të kritikojë qeverinë, por, në këtë ditë, ata do të kthejnë kohën prapa, për të përkujtuar të dy aktivistët e saj, të cilët u vranë nga policia e UNMIK-ut, derisa ishin në turmë me të tjerët.
Homazhe te varret e Monit dhe Arbenit, vendosja e luleve te pllaka përkujtimorë në sheshin Nëna Tereze, shfaqja e filmit dokumentar “10 Shkurti”, hapja e ekspozitës në Pallatin e Rinisë me fotot e kësaj proteste, janë aktivitetet të cilat do t’i organizojë Vetëvendosja gjatë ditës së mërkurë (sot).
Glauk Konjufca, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, bëri të ditur se në pasditen e së mërkurës, duke filluar nga ora 17, në Pallatin e Rinisë do të mbahet një akademi përkujtimore për Balajn dhe Xheladinin.
Duke kujtuar protestën e 10 shkurtit të vitit, Konjufca tha se Vetëvendosja kishte thirrur popullin që të protestonte në mënyrë paqësore kundër Planit të Ahtisaarit, Grupit Negociator, si dhe për të drejtën e popullit të Kosovës që statusin e vendit të vet, por se sipas tij, plani i UNMIK-ut ishte për të bërë ndërhyrje të dhunshme mbi protestuesit.
“Të gjithë e prisnin një demonstratë të VETËVENDOSJE!-s si gjithmonë: pa dhunë, pa lëndime, e lëre më vrasje. Por kështu nuk mendonte UNMIK-u dhe politikanët negociatorë, të cilët së bashku e kishin përgatitur planin e ndërhyrjes së dhunshme mbi demonstratën tonë të padhunshme”, tha Konjufca gjatë një konference për media.
Sipas Konjufcës, kjo dhunë e policisë së UNMIK-ut dhunoi të gjitha konventat ndërkombëtare të të drejtave njerëzore dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
“Ndërhyrja e policisë dhunoi të drejtën fondamentale për jetë, atë të shprehjes, të drejtën e manifestimit publik të bindjeve politike, të drejtën e grumbullimit dhe protestës, si dhe të drejtën për të mos iu nënshtruar torturës dhe trajtimit çnjerëzor”, shtoi ai.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, po ashtu kritikuan UNMIK-un duke e akuzuara atë për bllokim të procesit të ndjekjes së fajtorëve për vrasjen e protestuesve Balaj dhe Xheladini.
“E vetmja instancë në të cilën sadopak mund të sfidohet UNMIK-u sa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut, është Paneli Këshillues i të Drejtave të Njeriut. Megjithatë, në tetor të 2009 PSSP lëshoi UA 2009/1, e cila ia mundëson Panelit braktisjen e rastit, edhe pasi ta ketë pranuar atë”, tha Glauk Konjufca.
Drejtësi dhe kërkim falje për viktimat e 10 Shkurtit ka kërkuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dh Lirive të Njeriut.
“KMDLNj-ja ka kërkuar dhe kërkon përgjegjësi penale për policët rumunë të UNMIK-ut dhe ata që urdhëruan këtë krim si Stiven Kërtis, ish-kreu i Policisë së UNMIK-ut dhe për Stiven Shuk, ish-zëvendës i kryeadministratorit të Kosovës. Gjithashtu, përgjegjësia penale duhet të përcaktohet edhe për bartësit e strukturave ekzekutive të Policisë së UNMIK-ut dhe asaj të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të KMDLNj-së.
Me këtë rast, KMDLNj-ja ashtu si Vetëvendosja kritikuan përpjekjet e UNMIK-ut, i cili, përmes zhdëmtimit të viktimave me mjete materiale kërkoi që të kenë imunitet nga përgjegjësia penale duke insistuar nga familjarët që të heqin dorë nga ndjekja penale.
Po ashtu, KMDLNj-ja kërkoi nga Parlamenti i Kosovës që ta ketë si pikë të veçantë 10 Shkurtin 2007.
Reagon Amnesty International
Përmes një komunikatë për media, AI-ja ka vlerësuar se procedurat penale janë rihapur kundër Albin Kurtit, i akuzuar për organizimin dhe pjesëmarrje në demonstratat e Vetëvendosjes dhe është thellë e shqetësuar se viktimave të asaj dite ende nuk u është dhënë qasja në drejtësi, duke vlerësuar se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. “Tanimë tri vjet prej që familjet Balaj dhe Xheladini kanë humbur djemtë e tyre në rrethana tragjike dhe Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjovaj, u plagosën. AI-ja konsideron se dhimbjet dhe vuajtjet e tyre ka qenë zgjatur padrejtësisht si rezultat i dështimit të UNMIK-ut për t’u lejuar atyre qasje për një kompensim më efektiv”, thuhet në komunikatë.
Albin Kurti nuk do të shkojë në gjykatë
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk do të paraqitet në seancën gjyqësore të 15 Shkurtit të thirrur nga EULEX-i, për faktin se kjo lëvizje nuk i njeh misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.
Aktivisti Glauk Konjufca, ka theksuar se arsyeja pse Kurti nuk do të jetë i pranishëm në seancën e 15 Shkurtit është fakti se ai konsideron se ky proces nuk ka të bëjë me institucionet e Kosovës.
Seancat në rastin e Albin Kurtit do të mbahen nga data 15 shkurt deri më katër mars. Gjithsej janë paralajmëruar të mbahen nëntë seanca gjyqësore.