E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, përsëriten sirenat nga Roma

Miliarderi hungarezo-amerikan Xhorxh Soros i dërgoi një ultimatum me afat 3-javor familjes Sensi për t'i shitur Romën në shumë 270 milionë euro, por lajmi i publikuar nga të përditshmet më të mëdha italiane, rastësisht u "kryqëzua" edhe me përsëritjen e njoftimit se skuadra e Francesko Totit kërkon me ngulm shërbimet e lojtarit më të paguar shqiptar Lorik Cana. Kapiteni i Olimpikut të Marsejës kushton mbi 15 milionë euro, osë së paku kaq do të dëshironte ta shiste mesfushorin shkatërrues presidenti i skuadrës franceze, Pape Diuf.
"Ankandi Cana" është një nga më të lartit që ka parë një futbollist shqiptar, pasi për shërbimet e gjakovarit interesohet prej disa kohësh edhe kampioni i Spanjës, Reali i Madridit, njëherësh edhe klubi më i pasur në planet. Në lojë për Canën, tashmë i sigurt për një vend në Ligën e Kampioneve edhe për edicionin e ardhshëm, pasi Marseja për herë të parë gjatë këtij sezoni të filluar shumë keq, ndodhet në vendin e tretë.
"Ishte një nga fitoret më të rëndësishme sezonale, pasi Olimpiku tani është atje ku duhet të jetë, për ta përfunduar sezonin në vendin e tretë", - tha Cana pas fitores 3-2 në transfertë me Monakon. Trajneri belg i Olimpikut e ka vendosur prej kohësh Lorikun në pozicionin e një mbrojtësi qëndror, duke i dhënë edhe një përmasë tjetër kualiteteve të zvëndeskapitenit të Kombëtares shqiptare.
Shërbimet e tij i kërkon edhe Bajerni i Mynihut, i cili pas fitimit të titullit nga ana e Otmar Hitcfeldit, do të drejtohet sezonin e ardhshëm nga Jurgen Klinsmani. Në fakt "gogla" Cana do të jetë një short midis dy trajnerëve gjermanë, pasi edhe Bernd Shusteri po e con Realin drejt titullit kampion në Spanjë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›