E Diel, 1 Nëntor 2026

Jetonin në një qytet, por pas 24 vitesh njeh për herë të parë të ëmën



Kanë kaluar 24 vite qëkur ajo erdhi në jetë..., hodhi shtat nën kujdesin e duarve që s’i njihte, por jeta duhet të vazhdonte. Tashmë kujton lodrat dhe shtëpinë prej kukullash ku u rrit. Rreth e përqark saj shihte njerëz që ishin si ajo, të vegjël, që qanin... disa që luanin e të tjerë që u gëzoheshin përkëdheljeve të rastit nga disa zonja me përparëse të bardha. Ato dukeshin si drita në sytë e këtyre krijesave të vogla, por që s’mund ta zëvendësonin atë aromë, atë shije që u kishte lënë puthja e parë dhe e fundit e nënave të tyre. Mes këtyre orvatjeve nostalgjike është vërtitur për vite me radhë jeta e Brunilda Tilkës, një vajzë e imët 24-vjeçare, e cila u braktis nga nëna e saj që në momentin kur lindi. E ka pyetur shpesh veten përse nëna e la vetëm në dhomën e ftohtë brenda një inkubatori dhe u largua përgjithmonë nga ajo, por nuk arriti ta marrë asnjëherë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Kjo bëri që Brunilda t’i drejtohej emisionit “Njerëz të humbur”, në Vizion Plus, me shpresën për të njohur nënën e saj pas kaq vitesh mungesë. Ajo rrëfeu historinë e jetës së saj që prej momentit kur ishte birësuar nga një çift në moshën 7-vjeçare. Stafi i gazetarëve filloi menjëherë kërkimet për të gjetur nënën e Brunildës. Fillimi i kërkimeve dukej i vështirë pasi në regjistrin themeltar të shtëpisë së fëmijës në qytetin e Durrësit nuk figuronte asnjë fëmijë me emrin Brunilda Tilka. Pas shumë verifikimesh u mësua se Brunilda ishte quajtur Afërdita nga nëna e saj biologjike, për këtë arsye ishte e pamundur të gjendej edhe identiteti i mundshëm i nënës së saj. Informacionet që vinin në adresë të emisionit “Njerëz të humbur” flisnin për një zonjë, e cila jetonte në Durrës. Të shtunën mbrëma, falë informacioneve dhe verifikimeve, u arrit të gjendej nëna e Brunildës, e cila pati mundësi të dëgjojë zërin e nënës së saj të dashur pas vitesh të tëra. Teksa preku receptorin e telefonit Brunilda filloi të dridhej nga emocionet dhe ndjenja e madhe e dashurisë që kishte për personin që e solli në jetë. Ndërsa pëshpëriste shpesh fjalët: “Nënë, të dua. Faleminderit që më solle në jetë“, - Bruna u mbulua nga lotët që i fshinte pa u vënë re. Brunilda deklaroi publikisht se e kishte falur të ëmën dhe mezi priste të takohej me të ballë për ballë, për të mbushur boshllëkun e madh në zemrat e të dyjave. Kështu përfundoi edhe historia e Brunilda Tilkës, me një fund të lumtur aq të dëshiruar prej saj.

SHËNIM

“Për çdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com shkruani në adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni në Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›