Edi Lekvukaj zhduket në 2005-n teksa shkonte në punë
E shtuna mbrëma në “Njerëz të humbur”, në Vizion Plus, solli emocione që në orët e para të fillimit të saj. Pas tri javë kërkimesh brenda një kohe rekord u arrit të gjendej vendndodhja e Ymer Pones në shtetin gjerman. Njëra nga motrat e Ymerit, Edlira, erdhi me një pamje tërësisht të ndryshuar në studion e “Njerëz të humbur”. Mjaft emocionues ishte edhe momenti kur vetë Ymer Pone hyri në linjë të drejtpërdrejtë telefonike dhe foli me prezantuesen Shtino për disa minuta. Ai rrëfeu disa momente të jetës së tij në Gjermani, pa u hyrë shumë detajeve. Ishte pikërisht publikimi i historisë së tij në ekranin e Vizion Plusit që e bëri Ymerin të telefononte familjen dhe redaksinë e “Njerëz të humbur”. Ymeri i premtoi në lidhjen direke së motrës, Edlirës, se do të kthehej së shpejti në Shqipëri dhe se nuk do t’i humbiste më asnjëherë, për asnjë motiv kontaktet me pjesëtarët e familjes.
Intervista ekskluzive me pronarët grekë për fatin e Nevruz Brahilikës nxorën në pah fakte të reja rreth qëndrimit dhe punës që ai ka bërë në Greqi. Ka qenë vetë stafi i gazetarëve të “Njerëz të humbur” në Vizion Plus dhe drejtuesja e emisionit Aida Shtino që ka investiguar te shtëpia ku ka qëndruar Nevruzi dhe ka mundur të takojë pronarët tek të cilët Nevruzi, i njohur në Greqi me emrin Thanasi, ka kaluar ditët e fundit para se të humbte kontaktet. Nga biseda që Aida Shtino ka realizuar me Kostën ai ka dëshmuar se dy vëllezërit, Mamica dhe Nevruzi, kanë pasur grindje të shpeshta me njëri-tjetrin, grindje të cilat kanë precipituar deri në dhunë fizike mes tyre. Por, kjo gjë sipas tij ka ndodhur në vitin 1999. Kosta nuk e pranon më në punë, por e drejton atë te një pronar tjetër i quajtur Ilia Panopulos në fshatin Kallamatu. Atje Nevruzi punon si bari delesh për gati 8 muaj dhe në datën 10 gusht të vitit 2001 ai ka shkuar për të punuar në mbjelljen e domateve në fshatin Skulari. Që prej këtij viti ai nuk ka dhënë asnjë shenjë jete! Ajo që “Njerëz të humbur” ka zbuluar nga kjo bisedë ka qenë fakti se një vit më vonë, në vitin 2001 konfirmohet zyrtarisht nga Ilia se Nevruzi ka qenë gjallë dhe shëndoshë e mirë! Një bllok kujtimesh i zverdhur, i mbushur me momente e përjetime, është një nga të paktat gjëra që kanë mbetur nga Fran Zefi. Janë mbushur plot 9 vite qëkur djali nga Tale i Lezhës është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Frani jetonte në fshatin Tale të Lezhës në një familje me kushte tejet të vështira ekonomike. Për herë të parë ai është larguar drejt Greqisë në vitin 1993 ku punonte në sektorin e bujqësisë. Në vitin 1997 ai kthehet nga Greqia pranë familjes së tij. Në fillim të 1998-s ai do të niste shërbimin e detyruar ushtarak në Vaqar të Tiranës. Frani arratiset nga ushtria në qershor të vitit 1998 bashkë me disa shokë të tij. Në qelitë e Burgut 313 në Tiranë ai njihet me një shqiptar nga Juniku i Kosovës i quajtur Ali. Pasi lirohet nga burgu ai qëndron në shtëpi deri në prill të 1999-s. Në atë kohë ai vendos të largohet përsëri drejt Greqisë. Pak kohë pasi ishte kthyer në shtëpi, ai debaton me të atin pasi ky i fundit nuk ishte dakord që Frani të linte ushtrinë. Në këtë mënyrë ai del nga shtëpia dhe nuk kthehet më. Pikësynimi i tij nuk shteti grek, pasi ky i fundit i kishte dhënë dëbim për 10 vite e as Italia, pasi atje jetonin njerëz që ai i njihte. Veshja e tij i kishte lënë këta të fundit të dyshonin duke qenë se ai mbante mbathur çizme të gjata megjithëse ishte mesi i muajit korrik. Trajtimi në “Njerëz të humbur” solli në vëmendjen e teleshikuesve fytyrën e harruar të Fran Zefit duke i nxitur të jepnin shenja jete për të. Pista e parë e ngritur ishte ajo e Amerikës. Telefonues të shumtë pohonin faktin se një person me të njëjtin emër jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara. Por shumë shpejt ky informacion do të hidhej poshtë. Pak e nga pak po fitonin terren dy pista të reja, tashmë në kontinentin europian. Teleshikues të ndryshëm pohonin faktin se kishin njohur një Fran Zefi nga Lezha në Greqi për t’ua lënë vendin atyre që merrnin nga shteti zviceran. E ndërsa kërkimet vazhdojnë akoma, ajo çfarë të afërmit e miqtë e tij urojnë është që ai “vend i largët”, ku Frani dëshironte të shkonte të mos jetë aq larg sa të mos kenë mundësi të bien përsëri në gjurmët e tij.
Sonte në “Njerëz të humbur” do të ndiqni: Niset për në punë në datën 25 shtator të vitit 2005, por zhduket pa lënë asnjë gjurmë. Cila është enigma që shoqëron historinë e djalit 28-vjeçar nga Velipoja e Shkodrës, Edi Lekvukaj? Kontinenti europian mbetet pista kryesore e kërkimeve të Fran Zefit. Për disa histori, investigimet kanë arritur në fazën përfundimtare. Cilat janë ato dhe si do të jetë reagimi i tyre? Mos humbisni, sonte ora 21:00, “Njerëz të humbur” në Vizion Plus!
17 Maj 2008