E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seminar për ndërgjegjësimin mbi ligjin për mbrojtjen e të dhënave



TIRANË – OSBE-ja, Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Informacionit të Këshillit të Europës në Shqipëri, organizoi në Hotel Tirana International një seminar ndërgjegjësimi mbi ligjin për mbrojtjen e të dhënave. Sipas Zyrës së Informacionit të Këshillit të Europës, qëllimi i këtij seminari dyditor ishte rritja e ndërgjegjësimit të ligjit të ri, të sapomiratuar, si dhe të sjellë informacion të përgjithshëm për mbrojtjen e të dhënave në Shqipëri, për biznesin e turizmit që përfshin hotelet dhe agjencitë turistike, si dhe në atë bankar dhe të shoqërive të sigurimit. Pjesëmarrës në ditën e parë të seminarit ishin përfaqësues të sistemit bankar në Shqipëri, si dhe të shoqërive të sigurimit. Ndërkohë, në ditën e dytë të tij, morën pjesë përfaqësues të biznesit të hoteleri turizmit. Ndërkohë, burime nga Zyra e Informacionit të Këshillit të Europës pohojnë se, në këtë kuadër, do të vazhdohet më tej me trajnime të tjera ndërgjegjësimi, sipas sektorëve të ndryshëm publikë dhe private.

Oketa: “Objektivi kryesor, anëtarësimi në NATO”

TIRANË - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, theksoi dje gjatë një takimi me një delegacion të Forcave të Armatosura të Turqisë, të kryesuar nga gjeneral-lejtënant Ahmet Turmus, se “objektivi kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë është anëtarësimi me të drejta të plota në NATO”. Zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes bëri të ditur se gjatë këtij takimi ministri Oketa vlerësoi mbështetjen e qeverisë turke dhe ndihmën që i kanë dhënë FA dhe qeverisë shqiptare për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Z. Oketa shprehu bindjen se “në vitin 2008 dhe gjatë vitit 2009, Shqipëria dhe Forcat e Armatosura do të përmbushin detyrimet për anëtarësimin e plotë në NATO”. Gjeneral-lejtënant Ahmet Turmus, cilësoi se ftesa në NATO ishte e merituar plotësisht, ndërsa garantoi se “FA shqiptare do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e fuqishme të FA të Turqisë për integrimin e plotë në NATO”. Ushtarakët turq shprehën gatishmërinë e FA të Turqisë për të ndihmuar Shqipërinë dhe Forcat e saj të Armatosura, jo vetëm në anëtarësimin e plotë në NATO, por edhe për demontimin e municioneve të tepërta.

17 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›