Ish-ushtarakët, si mund të formuloni kërkesëpadinë për t’iu drejtuar gjykatës
Jonida Tashi
Ish-ushtarakët që duan t’i drejtohen Gjykatës për të paditur qeverinë për pensionin e padrejtë që përfitojnë së pari duhet të përgatisin kërkesëpadinë. Gazeta “Albania”, për t’u ardhur në ndihmë, po boton në numrin e sotëm kërkesëpadinë e ish-majorit të Ushtrisë Shqiptare, Kadri Muka, i cili ka dalë në lirim në vitin 1994. Kadri Muka ka qenë i pari deri tani që i është drejtuar dhe mbrojtur i vetëm Gjykatës së Tiranës për të paditur Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Ish-majori në kërkesëpadinë drejtuar trupit gjykues ka parashtruar jo vetëm kërkesat e tij, por edhe ka argumentuar se çfarë trajtimi për pension meriton sipas ligjit. Sipas tij, falë këtij argumentimi juridik trupi gjykues nuk ka pasur asnjë kundërshtim. Moszbatimim i ligjit për trajtimin e ish-ushtrakëve, ka bërë që secili prej tyre ti bëjë një padi individuale në gjykatë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sipas burimeve nga Shoqata e Ushtarakëve në lirim, mendohet që një veprim të tillë pritet ta bëjnë 10 mijë ushtarak në të gjithë vendin.
KËRKESËPADI
PADITËS: Kadri MUKA, i biri i Hysenjit dhe i Xhevrijes, i datëlindjes 08.06.1951, me zotësi të plotë juridike, i padënuar, banues në rrugën “Llazi Miho”, pallati 163, shkalla 2, apartamenti 33 Tiranë, Nr.tel. 352775, cel. 0693023280.
E PADITUR: Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë.
OBJEKTI I PADISË: Detyrimin e palës së paditur (Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë), për:
1- Të më lidhur pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga data e daljes në lirim, 01.09.2004 sipas nenit 35 të ligjit Nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe nenit 13 të ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
2- Të më rillogaritur dhe paguar shumën që rezulton, nga diferenca e trajtimit me pagë kalimtare me masën e pensionit sipas nenit 13 e 14 të ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, nga data 01.09.2004 deri më datën 01.09.2006.
3- Të më rillogaritur pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, që më ka lidhur nga data 01.09.2006 e deri më sot mbi bazën e nenit 13 dhe pikës 1 e 2 të nenit 14, të ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe paguar diferencën ndërmjet masës së pensionit të rillogaritur dhe masës së pensionit që më ka dhënë gjatë kësaj periudhe.
4- Të më vazhduar trajtimin me pension të parakohshëm sipas nenit 13 dhe pikës 1 e 2 të nenit 14 të ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, derisa masa e pensionit të mos ketë pësuar rritje për shkak të ndryshimeve në ligjin Nr.9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar .
5- Të më japë shtesat e përvitshme të pensionit të parakohshëm në masën e ndryshimit të pagës referuese, siç përcaktohet në nenin 27 pika 2 e ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
BAZA LIGJORE:
- Ligji Nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, neni 35 dhe 49.
- Ligji Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, neni 13 dhe 14 i ndryshuar.
- Ligji Nr.9481, datë 16.02.2006 “Për disa ndryshime në ligjin Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, neni 14, pika 1,2 dhe 3 gërma “c”.
- Ligji Nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit”, neni 11 i ndryshuar.
- Ligji Nr.8521, datë 30.07.1999 “ Për disa ndryshime në ligjin Nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit”, neni 6.
GJYKATËS SË RRETHIT GJYQËSOR
T I R A N Ë
Zoti Kryetar!
Unë paditësi Kadri Hysenj MUKA, major në lirim, lindur në Mimias, Berat më 08.06.1951 dhe banues në Rr.“Llazi Miho“, P.163, Sh.2, Ap.33 Tiranë, kam qënë ushtarak (oficer) i shërbimit aktiv të përhershëm. Më datë 30.07.1972, jam titulluar oficer aktiv. Që prej kësaj date e deri më datë 31.08.1993, datë në të cilën jam nxjer në rezervë, kam shërbyer dhe kam kryer detyra të ndryshme në repartet e Frcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Në datë 16.11.1997 me urdhër Nr.3028/1, datë 13.11.1997, jam rititulluar oficer aktiv i shërbimit të përhershëm dhe kam shërbyer në repartë të ndryshme deri në datën 01.09.2004.
Në kuadër të reformës në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me urdhër Nr.8487, datë 29.07.2004, më datë 01.09.2004, jam rinxjerr në rezervë. Nga kjo datë deri më datë 31.08.2006 në kundërshtim me nenin 13 të ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me nenin 1 të ligjit Nr.9481, datë 16.02.2006, në vend të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi jam trajtuar me pagë kalimtare. Ky nen përcakton si kushte të përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi vjetërsinë 15 vjet dhe moshën 47 vjeç. Në ndryshim nga neni 6 i ligjit Nr.8521 datë 30.07.1999, neni 13 i ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005, që kërkonte si kusht përfitimi të këtij pensioni edhe përfundimin e periudhës dy vjeçare me pagë kalimtare, me përcaktimin:“Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, që dalin në rezervë/ lirim pas hyrjes në fuqi të ligjit Nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie,…përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbim, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak, në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 44 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt...”, e ka përjashtuar plotësisht këtë. Në këto kushte kur e drejta e pensionit më ka lindur që në datën e daljes në lirim, për shkak edhe të nenit 35 të ligjit Nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, nga ka buruar neni 13 i ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 dhe faktikisht nga Dega Rajonale e ISSH Tiranë më është njohur e trajtuar nga data 01.09.2006, kërkoj që: trajtimi me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga Dega Rajonale e ISSH Tiranë të më lidhet prej datës 01. 08.2004 mbi bazën e pikës dhe 2 të nenit 14 të ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005, të ndryshuar. Për periudhën që jam trajtuar me pagë kalimtare, kërkoj: të bëhet rillogaritja dhe nga diferenca ndërmjet masës së pensionit sipas nenit 13 dhe pikës 1 e 2 të nenit 14 të ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005, në masën 50% të pagës referuese prej 43 000 lekë, pra 21 500 lekë për 15 vjet vjetërsi shërbimi duke i shtuar edhe shumën prej 2% të kësaj page për 13 vjetët mbi 15 vjetshin e vjetërsisë së shërbimit, barabartë me 43 000 lekë x 26% = 11 180 lekë dhe të më jepet shtesa prej 11 180 lekë për çdo muaj e mbajtuar për çdo muaj nga moszbatimi i ligjit deri më datën 30.06.2006. Nga kjo datë deri më datë 31.08.2006 të bëhet rillogaritja mbi pagën e re referuese 46 860 lekë dhe nga 23 430 lekë që më është dhënë si pagë kalimtare të më jepet edhe shtesa 46 860 lekë x 26% për 13 vjetshin mbi 15 vjet vjetërsi, baras me 12 183 lekë për çdo muaj.
Më datën 01.09.2006 nga Drejtoria Rajonale e ISSH Tiranë jam trajtuar me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Masa e këtij pensioni më është lidhur në bazë të interpretimit dhe zbatimit të gabuar që kjo Drejtori i ka bërë nenit 11 të ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, ndryshuar me nenin 6 të ligjit Nr.8521, datë 30.07.1999, duke e kufizuar masën e pensionit në nivelin e pensionit maksimal të pleqërisë, ndërkohë që duhej të më paguante një pension sipas germës ”a”, 50% të pagës referuese për 15 vjet vjetërsi shërbimi dhe gërmës ”b”, duke i shtuar për çdo vit tjetër 2% të pagës referuese, por jo më shumë së masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Për rrjedhojë nga 50% të pagës referuese prej 46 860 lekë për 15 vjet vjetërsi shërbimi, barabartë me 23 430 lekë plus shtesën 2% të kësaj page për çdo vit vjetërsi shërbimi mbi 15 vjet (për 13 vjetët) që i korrespondon 26%, baraz me 12 183 lekë (masë më e ulët se pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi), gjithsej 35 613 lekë, më është dhënë një pension prej 16 480 lekësh, pra 19 133 lekë më pak. Përveç kësaj theksoj se në çastin kur më është lidhur pensioni ligji Nr. 8087, datë 13.03.1996, ndryshuar ligjin Nr.8521, datë 30.07.1999, ka qënë i shfuqizuar. Në fuqi në atë kohë ka qënë ligji Nr.9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar me ligjin Nr.9481, datë 16.02.2006, sipas të cilit duhej të më lidhte pensionin Drejtoria Rajonale e ISSH Tiranë. Neni 13 i këtij ligji në pikën 1 shprehet:“Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, që dalin në rezervë/ lirim pas hyrjes në fuqi të ligjit Nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie,…përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak, në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 44 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt, në masën e përcaktuar në nenin 14 të këtij ligji”. Neni 14, i ndryshuar nga neni 2 i ligjit Nr.9481, datë 16.02.2006 përcakton:
” 1. Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 përqind e pagës referuese.
2. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit, mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2 përqind të pagës referuese”.
3.Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se:...
c.Katërfishi i pensionit bazë, në çdo 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993”Për sigurimin shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, për ushtarakët që mbajnë gradat major dhe nënkolonel....”.
Për rrjedhojë të mosrespektimit të pikës 1 dhe 2 të këtij neni, padrejtësisht nuk më është dhënë shuma e pensionit prej 50% e pagës referuese plus 2% po të pagës referuese për 13 vjet shërbim mbi 15 vjetshin e vjetërsisë së shërbimit. Masa e pensionit prej 16 480 lekë që më është lidhur, nuk bazohet aspak në përcaktimin e mësipërm të ligjit në fuqi, por në keqinterpretimin dhe moszbatimin e nenit 11 të ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, ndryshuar me nenin 6 të ligjit Nr.8521, datë 30.07.1999. Kufizimit që vendos gërma ”c”, pika 3 e nenit 14 e ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005, ndryshuar me ligjin Nr.9481, datë 16.02.2006, nuk qëndron pasi bie ndesh me nenin 35 dhe 49 të ligjit Nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, nga i cili buron vetë ligji Nr.9418, datë 20.05.2005, i ndryshuar. Neni 35, i cili përcakton skemën e përfitimit shprehet: ”Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët rrogëtarë, me vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura , 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë të drejtën për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50% të pagës mujore , deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm , ushtarakut i jepet një shtesë 2 pë rqind të pagës mujore...”. Neni 49 taksativisht përcakton: “… shprehja “por jo më shumë sesa masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi”, në shkronjën “b”, të nenit 11, të ligjit Nr.8087, datë 13.03.1996... shfuqizohen”. Me këto akte, ligji (statusi i ushtarakut) përjashton çdo kufizim mbi përcaktimin e nenit 35 të tij. Mosrespektimi i këtij përcaktimi, përbën shkjelje të hapur të njërit nga elementët më thelbësor të parimit Kushtetues të shtetit ligjor të së drejtës, atij të sigurisë juridike. Për mos zbatim të përcaktimeve ligjore, padrejtësisht më është mohuar e drejta e fituar me ligj të mëparshëm, me atë ligj që merr përsipër të zbatojë neni 13 dhe 14 i ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005, ndryshuar me ligjin Nr.9481, datë 16.02.2006. Për këto arsye, kërkoj që Drejtoria Rajonale e ISSH nga data 01.09.2006 të më rillogarisë masën e pensionit dhe të më paguaj shumën e mbajtur për çdo muaj që prej kësaj date deri më datë 30.06.2007 dhe, nga data 01.07.2007 rillogaritja e pensionit të më bëhët dhe të më jepet mbi pagën referuese prej 51 700, pra 50% për 15 vjet vjetërsi e 51 700, baras me 25 850 lekë plus 26% e 51 700 lekë për 13 vjet mbi 15 vjetshin, barabartë me 13 442 lekë, gjithsej 39 292 lekë, duke më kthyer për çdo muaj shumën e diferencës 39 292 lekë minus 16 974 lekë, barabartë me 22 318 lekë.
Përveç këtyre kërkoj që në vazhdim Dega Rajonale e ISSH Tiranë të më trajtojë me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi simbas pikës 1 e 2 e nenit 14 të ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 dhe përcaktimin e nenit 49 të ligjit Nr.9210, datë 23.03.2004, për sa kohë skema e masës së pensionit të parakohshëm nuk pëson rritje nga ndryshimet e mëvonshme në ligjin Nr.9418, datë 20.05.2005 ”Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin Nr.9481, datë 16.02.2006 .
Shtesa e pensionit të parakohshëm që më është lidhur nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, Tiranë deri më sot më është bërë, jo sipas pikës 2 të nenit 4 të ligjit Nr.9481, datë 16.02.2006 që ndryshon nenin 27 të ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005, por sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave për vitin 2006 dhe 2007. Ligji në nenin 4, pika 2 shprehet: ” Përfitimet suplementare, që jepen sipas neneve ..., 13,... të këtij ligji, rillogariten sa herë që ndryshon dhe në masën që ndryshon paga referuese, me të cilën është bërë llogaritja e këtyre përfitimeve”. Bazuar në këto realitete kërkoj; të më jepen edhe shtesat e pensionit që rezultojnë nga, rritja e pagës referuese mbi të cilën më është llogaritur përfitimi i pensionit të parakohshëm për vjtërsi shërbimi për gjithë periudhën nga data e daljes në lirim e në vijim.
Sa sipër, ju lutem pranoni kërkesëpadinë time duke caktuar një ditë për shqyrtimin e saj dhe pasi të bëni hetimin e plotë gjyqësor dhe nëse e gjeni të bazuar në ligj, të vendosni pranimin e saj dhe detyrimin e palës paditëse të më bëjë pagesën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas ligjeve të përcaktuar qartë në objektin e padisë.
Ju faleminderit për mirëkuptimin.
Me konsideratë të lartë për funksionin dhe personalitetin tuaj
P A D I T Ë S I
USHTARAKU NË PENSION
KADRI MUKA
Tiranë më 10.12.2007
17 Maj 2008