Kapet supermashtruesi, grabiti karta rimbushëse në vlerën 2600 euro
SHKODËR – Policia ka zbardhur dhe ka ndaluar një nga super-mashtruesit më të mëdhenj të akuzuar për vjedhjen e qindra kartave rimbushëse të qytetarëve nga rrethet e ndryshme të vendit. Burimet zyrtare të Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se dje, rreth orës 17.00 është ndaluar shtetasi Artan Bardhi, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër ndalimi nga prokuroria e rrethit. Ndalimi i 22 vjeçarit Bardhi, lindur dhe banues në fshatin Frekën të Lezhës, u bë pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale të “mashtrimit”. Ai ka mashtruar disa persona nga Shkodra, Puka, Durrësi, Korça, Mirdita, Peshkopi, etj., duke u telefonuar atyre, kryesish në numra fiks, dhe duke u hequr si përfaqësues i një kompani private, e cila do jepte dhurata për të ashtëquajturit fitues të lotarive të ndryshme. Qytetarët i dërgonin atij përmes telefonit serinë e numrave të kartave rimbushëse të llojit “Vodafon” dhe “AMC”, të cilat kapnin një shumë të konsiderueshme lekësh. Të mashtruarit kanë bërë denoncime, numri i të cilëve është mbi 8 raste. Vlera e dëmit që iu është shkaktuar atyre arrin mbi 2600 euro. Pas kallëzimeve të njëpasnjëshme, policia e Shkodrës iu ka bërë disa herë thirrje publike qytetarëve që të distancohen nga ky fenomen dhe të bashkëpunojnë me efektivat për të kapur autorët e këtyre skemave mashtruese. Falë bashkëpunimit mes policisë dhe prokurorisë, më në fund u bë i mundur identifikimi dhe prangosja e personit që kishte vjedhur paratë e qytetarëve në mënyrë abuzive. Tashmë ndaj Bardhit rëndon akuza e “Mashtrimit”, për të cilën ka nisur hetime prokuroria e Shkodrës.
TË MASHTRUARIT
V. O. nga Shkodra, (20 karta rimbushëse) 20.000 lekë
P. N. nga Shkodra (60 karta rimbushëse) - 70.000 lekë
H. K. nga Shkodra (9 karta rimbushëse) - 9.000 lekë
Z. B. nga Shkodra (75 karta rimbushëse) - 75.000 lekë
M. Sh. nga Shkodra (55 karta rimbushëse) - 55.000 lekë
A. C. dhe H. K. nga Lushnja (24 karta rimbushëse) 30.000 lekë
E. M. nga Shkodra (8 karta rimbushëse) - 8.000 lekë
S. M. nga Kukesi (10 karta rimbushëse) - 10.000 lekë
E zë korenti, vdes mbi çati 46 vjeçari
LEZHË - Një 46-vjeçar nga Lezha ka gjetur vdekjen teksa punonte në çatinë e një godine, pasi ka rënë në kontakt me linjën e tensionit që kalonte sipër saj. Burime nga policia lokale thanë se 46-vjeçari, Simon Pepa, banues në lagjen “Kodër Marlekaj”, punonjës i ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, po punonte në çatinë e një godine thertoreje në lagjen “Skënderbeg” për të montuar një cisternë, por kontakti me linjën elektrike që kalonte sipër objektit i ka marrë jetën. Personat që kanë qenë pranë tij janë përpjekur që t’i japin atij ndihmën e shpejtë, por pa rezultat, pasi linja e tensionit i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
17 Maj 2008