E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Luarasi, një 70 vjetor mes miqve dhe kolegëve

Është cilësuar si ikona e teatrit dhe filmit shqiptar që aq shumë i dha skenës dhe kinematografisë. Aktorja e njohur shqiptare Edi Luarasi dje festoi mes miqve të saj dhe kolegëve 70 vjetorin. Ishin mbledhur të gjithë për të uruar aktoren e njohur, e cila sot është pa dyshim

një emër i dashur për publikun jo vetëm brenda kufijve të vendit por dhe më gjerë. Aktorja Edi Luarasi ka pasur një karrierë artistike ku numëron shumë role, si në skenën teatrore ashtu dhe në kinematografi. Mes roleve të shumta që aktorja e njohur ka interpretuar para disa kohësh ajo interpretoi dhe në dramën e shkruar nga bashkëshorti i saj dramaturgu dhe regjisori i njohur  Mihal Luarasi. Drama Antigona kërkon të atin ngjiti sërish në skenë aktoren e njohur Edi Luarasi, e cila edhe këtë herë bëri që publiku të mos i kursente duartrokitjet, jo vetëm për veprën por dhe për interpretimin e aktores. Emri i saj i nderuar ishte bërë sinonim i një stoicizmi të paparë, e cila priste ditë më të mira kur atdheu do të çlirohej nga terrori i kuq  komunisto-stalinist, i cili ia zinte frymën atdheut të saj. Por shumë vite më vonë erdhi ëndrra e dëshiruar që të binte ai regjim i tmerrshëm. Gjatë jetës së saj plot batica dhe zbatica ajo ka provuar shumë kundërthënie. Në bisedat me miqtë e saj fliste për diktaturën e pashpirt që nuk e lente vendin të ecte përpara. Por edhe në vitet e sotme tek ajo ndjehet një vullnet i madh për jetë dhe art, sepse ishte dhe mbeti e tillë përgjithmonë. Lindi në Tiranë në vitin 1940 është aktore i njohur shqiptare. Që në moshë të re ka debutuar në skenë. Fillimisht në 1956, kur ishte 16 vjeçe, së bashku me të motrën këndonin në skenën e Teatrit të Estradës. Spektatori duartrokiste Motrat Mirdita. U diplomua për aktore në 1963 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor. Roli i parë i saj ishte Vera në dramën Shtëpia në bulevard më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin (AP). Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të arrirë, ku veçojmë Lenën tek Doktor Aleksi, Kordelja tek Mbreti Lir, Cuca tek Cuca e maleve, Kristina tek Fytyra e dytë, etj. Martohet me regjisorin e mirënjohur Mihal Luarasi. Përjashtohet nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974, për arsye politike. Rikthehet në skenë në mars 1991, me interpretimin dinjitoz të rolit të damës plakë në dramën Vizita e Damës plakë. Interpretoi edhe në 1995 në dramën Hekurat, më vonë, me sukses në dramat Cilindri, Streha e të harruarve, etj. Ka interpretuar pak role në filmin artistik. Është Artiste e Merituar.

Last Updated on Monday, 17 May 2010 20:14

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›