Edi Paloka: Kushtet e Ramës, absurde dhe pa logjikë politike. S’ka për tu bërë kurrë politikan

Demokratët i cilësojnë kushtet e vendosura dje nga kryesocialisti Rama si një kërkesë të opozitës ndaj mazhorancës për t’i dorëzuar asaj pushtetin. 10 kushtet e Ramës, deputeti demokrat Edi Paloka i cilësoi si absurde dhe pa logjikë politike. Kushtëzimi i procesit të integrimit me dhjetë kushtet që paraqiti Edi Rama të premten, komentohet nga deputeti demokrat Edi Paloka si një përpjekje për t’i thënë mazhorancës së zgjedhur me vote të lirë që t’i dorëzojë asaj të gjithë pushtetet, si e vetmja rrugë për të mos mbajtur më peng integrimin. “Për mua kjo tregon në radhë të parë se zoti Rama nuk ka ndryshuar aspak në qëndrimet e tij, vazhdon të jetë më filozofinë e pengmarrësit. Me një filozofi që e ka ndjekur gjatë gjithë kësaj periudhe. Duke filluar që nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, kur ai bënte protesta në rrugë”- u shpreh Paloka. Lista prej dhjetë kushtesh që Paloka i cilësoi absurde dhe pa logjikë politike, shpallur vetëm pak ditë para se komisioni europian të publikojë progres-raportin e radhës, sipas tij, dëshmoi fytyrën e vërtetë të Ramës, i cili në seancën e të enjtes pati mundësi për të dëshmuar se ka potenciale për të ndjekur kurse të reja në politikë. Deputeti demokrat kujton se Rama ndoqi kurs bllokues edhe për liberalizimin e vizave një vit më parë. “Me liberalizimin e vizave që Rama i shoqëronte me greva urie deputetësh. Së fundi kushti i peng - marrjes në këtë rast është integrimi i Shqipërisë. Pra, zoti Rama thotë në këmbim të integrimit të shqiptarëve, unë dua pushtet. Kërkon atë që ka kërkuar gjithmonë, pushtet në tavolinë. Kjo do të thotë që zoti Rama as nuk është bërë politikan dhe as ka për tu bërë ndonjëherë. Dhe vijon ta konsiderojë pushtetin si një tortë që duhet të ndahet”- tha ai. Në këndvështrimin e nënkryetarit të grupit parlamentar demokrat, Rama nuk do të ketë asnjë hapësirë që të mund të zgjedhë presidentin jashtë kuadrit kushtetues që vetë e ka propozuar. Rama ofroi të premten si një pakt për Shqipërinë dhjetë kushte për mazhorancën, ndërkohë që vetëm një ditë më parë në seanc¡ plenare, PS e udhëhequr nga Ruçi refuzoi të votonte ligjet me tre të pestat, pasi kërkonte që shumica të pranonte paktin kombëtar të para tre viteve.
Mazhoranca me anë të kreut të deputetëve të saj i bëri të qartë opozitës se nuk do të pranojë asnjë pazar pushteti, që kushtëzon axhendën e integrimit të vendit.