E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: E di mirë radhën e punëve të mia

"Unë jam kryetari i Partisë
Socialiste, jam i
qartë për detyrimet
e punës sime, të tjerët mund të
nguten, por mua nuk më lejohet".
Me këto fjalë u është përgjigjur
kryetari i Partisë Socialiste, Edi
Rama, zërave brenda kësaj partie,
që pretendojnë se kjo parti ka
humbur në zgjedhjet e 28 qershorit,
ndaj duhet të përgatiten
për të bërë opozitë. Por ndryshe
nga ata, kreu socialist ka zgjedhur
të veprojë më me qetësi, duke u
fokusuar te çështja dhe beteja e
momentit me kundërshtarin, te
beteja ligjore për të hapur kutitë
e Qarkut të Tiranës, Shkodrës
dhe Beratit, për të cilat selia
rozë mendon se do të marrë më
shumë mandate. Ndaj, siç theksoi
Edi Rama, ai ka zgjedhur të
vijojë me qëndrimin e tij për të
fi tuar betejën e radhës, që është
gatuar më 28 qershor dhe përbën
atë që quhet krim elektoral. E
nëse ndodh që as Kolegji nuk u
jep të drejtën, Rama paralajmëroi
hetim parlamentar dhe kallëzim
në organet e drejtësisë. "Unë jam
kryetar i Partisë Socialiste, e cila
nga zgjedhjet e 28 qershorit doli
forca më e madhe në vend. Unë i
kam të qarta detyrimet dhe radhët
e punës sime. Sot, detyrimi
dhe radha e punës kërkon që
unë dhe Partia Socialiste të jemi
në këtë pozicion, qartësisht të
vendosur dhe të hapur përpara
publikut, për të mos lejuar që
ajo që ndodhi më 28 qershor,
të përfundojë me grabitjen e
mandateve tona dhe me asgjësimin
e një të drejte që ne na i jep
Ligji Zgjedhor. Të tjerët mund të
nguten, por mua kjo nuk më lejohet",
deklaroi ai. Fokusi i daljes
së radhës në një komunikim me
mediat ishte sërish kreu i Partisë
Demokratike, për të cilin qysh
në krye Rama deklaroi se ai nuk
ka të drejtë që të flasë si Kryeministër,
pasi nuk e ka marrë
mandatin më 28 qershor, për të
qenë në atë post. Ai iu përgjigj
pretendimeve të Kryeministrit
për bashkëpunim me opozitën,
duke paralajmëruar kundërshtarin
se këtë duhet ta harrojë dhe
se PS nuk mund të bashkëpunojë
me një Kryeministër që rri në atë
karrige me mandate të vjedhura.
Rama shtoi se PS do të jetë një
pengesë e pakapërcyeshme për
të dhe për nusen e tij të re që i
pruri në prikë 83 mijë vota të
majta, duke krijuar mundësinë
për koalicionin më të turpshëm
në historinë e këtij vendi. Rama
vlerësoi se procesi nuk ka marrë
ende fund dhe se pa u hapur
kutitë e Beratit, Tiranës dhe
Shkodrës, Partia Socialiste nuk
do të njohë asnjë rezultat zgjedhor,
kjo sepse këtë të drejtë ia
jep ligji e duhet të zbardhet deri
në fund krimi elektoral, i cili jo
vetëm që rrezikon standardet,
por edhe demokracinë e vendit.
"E siguroj Sali Berishën se, në
qoftë se nuk do të lejojë hapjen
e kutive të Beratit, Shkodrës e
Tiranës, do të zgjedhë rrugën
më të shkurtër për të ndenjur
mbi karrige, po absolutisht më
të gjatën për ta mbajtur karrigen
në këmbë", deklaroi Rama.
Kryesocialisti paralajmëroi
se ankimimet e selisë rozë do
të shkojnë më lartë se Kolegji
Zgjedhor dhe Komisioni Qendror
i Zgjedhjeve në rast se nuk
lejohet zbardhja e së vërtetës,
duke mos përjashtuar hetim
parlamentar edhe nga ana e
Prokurorisë. "Këtë të drejtë nuk
e ka KQZ-ja, nuk e ka Kolegji
Zgjedhor, po padyshim e ka
Parlamenti dhe organet kushtetuese
të hetimit, ku ne do të
depozitojmë kallëzimin përkatës",
përfundoi kreu socialist.

Mhilli: Rama të pranojë humbjen

Pas deklaratës së bërë nga kryetari
i PS-së se nuk do t‘i njohë
zgjedhjet pa u hapur dhe kutitë e
Beratit Shkodrës dhe Tiranës, ka
reaguar zëdhënësja e PD-së, Erla
Mhilli. Në një deklaratë për shtyp,
në emër të PD-së, ajo deklaroi se
"Edi Rama, sërish për të maskuar
humbjen, lëshoi kërcënimet e radhës
ndaj institucioneve shtetërore
të vlerësimit të rezultatit të zgjedhjeve,
por akoma më keq edhe ndaj
komisionerëve të tij, të cilët kanë
fi rmosur çdo tabelë dhe rezultat
në Berat, Shkodër, Tiranë dhe në
të gjitha qarqet e tjera të vendit".
Sipas zëdhënëses së PD-së, pas
anatemimit të KQZ-së, të zgjedhur
me konsensusin e të gjitha
palëve, presionit dhe paragjykimit
të Kolegjit Zgjedhor, Rama bëri
të ditur se nuk ka ndërmend të
njohë rezultatin e zgjedhjeve e as
të pranojë humbjen. "Rama dukej
thellësisht i rrënuar psikologjikisht
dhe deklaroi se do t‘i padisë
komisionerët e tij socialistë. PD
i thotë z. Rama se kërcënimet,
mallkimet dhe trillimet janë të
pafuqishme për të ndryshuar
rezultatin e zgjedhjeve. Je ti ai që
e mori mandatin e Fierit me vota
dhe kuti të pavlefshme. Kutitë e
Beratit, Shkodrës apo Tiranës nuk
janë si kutitë e Fierit z. Rama. Ato
janë të numëruara, të certifi kuara
dhe të shpallura tashmë", deklaroi
zëdhënësja e selisë blu. Më tej ajo i
ka kujtuar kreut të selisë rozë se në
harkun kohor prej dy viteve ai dhe
PS-ja kanë dalë dy herë humbës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›