Universiteti i Durrësit, së shpejti me fakultet mjekësie dhe filial në Peshkopi
Ka shmangur deklaratat politike në Durrës Kryeministri Sali Berisha, ndërsa mbështeti idenë e çeljes së një filiali të Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Peshkopi dhe çeljen e fakultetit të mjekësisë pranë këtij universiteti. Deklarata është bërë gjatë ceremonisë së diplomimit të 160 studentëve të parë që mbyllën ciklin 3-vjeçar të studimeve në universitetin më të ri publik në vend. Filiali i Peshkopisë do të shërbejë për të gjithë zonën verilindore të vendit, ku nuk ka asnjë institucion të arsimit universitar. Berisha është fokusuar tek arsimimi i lartë dhe rëndësia e tij, ndërsa u është drejtuar diplomantëve me fjalët: "Ju studentë jeni mosha biologjike dixhitale. Ne po bëjmë hapa konkretë në përafrimin me standardet europiane edhe për sa i përket arsimit". Duke u ndalur te nevoja për mjekë, Berisha hodhi idenë e çeljes së këtij fakulteti në Durrës. Aktualisht UV e Durrësit ka 4 fakultete dhe në 22 degët e tyre studiojnë 3600 studentë. Berisha, duke i dhënë hapësirë arsimimit të lartë, tha se qeveria e tij do të akordojë fonde shtesë, në mënyrë që numri i studentëve në këtë universitet të shkojë deri në 10 mijë. Sipas tij, në fillim të mandatit të kaluar, në vitin 2005 në vend kishte 12 studentë për çdo 1000 banorë, ndërsa sot në sajë të reformave të qeverisë në arsim, ky numër ka arritur në 30 studentë, ndërsa mesatarja në vendet e BE-së është vetëm 40 për të njëjtin numër banorësh. Kreu i ekzekutivit tha se ky do të jetë edhe objektivi i qeverisë së tij, ndërsa vlerësoi UV-në e Durrësit dhe cilësinë e arsimimit që prodhon, ndonëse ka veç pak vite jetë. Ndërkaq, rektori Agim Kukeli, duke dorëzuar diplomat, tha se ato janë një pasaportë e qytetarëve të botës globale dhe të parat e shumë të tjerave që do të pasojnë, ndërsa Durrësi do të ketë kampusin e tij dhe do të kthehet në një nyje ndërkombëtare universitare.