"Reuters": Gjermania bllokon Shqipërinë në BE?
Agjencia "Reuters" paralajmëron rrugë të gjatë për vendet e Ballkanit që duan të anëtarësohen në BE. Përkundër deklaratave të ministrit të Jashtëm suedez Karl Bild, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, duket se integrimi nuk është kaq i lehtë. Në analizën e "Reuters", theksohet se çdo vend ballkanik duhet të përmbushë një sërë detyrimesh para anëtarësimit. Në veçanti procesi për Shqipërinë duket i bllokuar nga Gjermania. Ministri i Jashtëm gjerman Shtanmajer, i cili komentohet si një nga kandidatët më të fortë për të pasuar Havier Solanën, si shef i politikës së jashtme të BE-së, ka rezerva në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë. Në takimet e deritanishme të vendeve të BE-së në Bruksel, ministri Shtajnmajer është rezervuar për të mos dhënë konsiderata për Shqipërinë, duke bllokuar kandidaturën e Tiranës zyrtare si vend potencial për anëtarësim në BE. Por, pengesat nuk janë vetëm për Shqipërinë. Sipas "Reuters", edhe Serbia ka ndeshur në kundërshtimet e Holandës, e cila kërkon më shumë bashkëpunim për kriminelët e luftës. Nga ana tjetër, konflikti ndërshtetëror për çështjen e emrit Maqedoni-Greqisë, ka bllokuar edhe përpjekjet e Shkupit në rrugën e integrimit europian. "Reuters" thekson se anëtarësimi i Bosnjës është ende larg, pasi Sarajeva duhet të zgjidhë konfliktet e saj të brendshme. Agjencia prestigjioze thekson më tej se edhe negociatat e Turqisë me BE-në kanë mbetur pezull si pasojë e konfliktit në mes Qipros turke dhe asaj greke.