E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Hiqe taksën e votës, jemi ende në kohë

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist i është drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, ku i kërkon karta identiteti falas. Në letrën e tretë që Edi Rama i dërgon Berishës, sa herë bëhet fjalë për zgjedhje dhe reformë zgjedhore, kërkohet t’u jepet e drejta qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese, duke hequr atë që Rama e quan ‘taksa e votës’. “Taksa e votës që qeveria juaj ka vendosur është jo vetëm arbitrare, por shkon kundër parimeve të shenjta të lirisë dhe cenon të drejtën themelore të njerëzve për të zgjedhur”, shprehet Rama në letrën e tij. Kryesocialisti i kujton kryeministrit se taksa e votës jo vetëm njollos vendin para ndërkombëtarëve, por përbën dhe rastin e vetëm që një qeveri evropiane detyron shtetasit të paguajnë për të votuar. “Të vendosësh një taksë për votën, do të thotë të njollosësh vendin tonë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Asnjë qeveri e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nuk i detyron shtetasit e saj të paguajnë për të pasur mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. Asnjë qytetar i vendeve anëtare të NATO-s nuk paguan për të votuar”, shprehet Rama. Sipas tij, një standard i tillë që vendoset nga qeveria shqiptare, përbën një mesazh negativ edhe para partnerëve ndërkombëtarë që presin zgjedhjet më të mira që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri në këto 18 vjet. “Qeveritë, të cilat kufizojnë të drejtën e shtetasve të tyre për të votuar, janë qeveritë autoritare të së shkuarës. Shqipëria, si një shtet anëtar në NATO dhe aspirues për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të respektojë qytetarët e saj dhe të drejtat e tyre. Kjo nyje duhet zgjidhur pa humbur kohë, që të kemi zgjedhje”, shprehet kryesocialisti në letrën e tij. Për Ramën, pajisja e shtetasve që nuk kanë pasaporta me karta identiteti falas nuk duhet parë si çështje politike por si një kërkesë që vjen nga pamundësia ekonomike e atyre shtetasve që nuk e përballojnë dot tarifën e kartës. “Taksa a votës nuk është një çështje politike. Taksa a votës është një çështje parimore. Çdo shqiptar e shqiptare, pavarësisht nëse jeton në qytet apo në fshat, nëse është i varfër apo i pasur, nëse është i punësuar, pensionist apo i papunë, duhet të ketë mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës. Kjo është një e drejtë që qytetarët nuk mund ta blejnë dhe as një shërbim që qeveria duhet ta shesë”, shprehet Rama. Kreu socialist i kërkon kryeministrit të maxhorancës qeverisëse të dëgjojë zërin e arsyes së popullit, pasi procesi është ende brenda afateve të arritshme. “Shtetasit e Republikës tonë nuk duhet të paguajnë për të qenë të lirë. Dëgjojeni z.Kryeministër sa s’është vonë zërin e arsyes së popullit sovran dhe adresojeni sa s’është kapërcyer kufiri i fundit kohor këtë problem, duke hequr taksën e votës e duke çliruar zgjedhjet nga zgjedhja e pamundësisë ekonomike të qindramijëra njerëzve për ta paguar këtë taksë absurde”, shprehet Rama. Dy ditë më parë, përmes një konference për shtyp, kryetari socialist i bëri apel Kryeministrit Berisha, i cili ndodhet për një vizitë pune në Kinë, të ulen bashkarisht për dialog për të gjetur zgjidhje për çështjen e kartave të identitetit, të cilat duhet të jepen falas për të gjithë ata që nuk kanë pasaporta për jashtë. Në të kundërtën, Rama paralajmëron rrezikim të zgjedhjeve dhe protesta në të gjithë vendin të qytetarëve të drejtuar nga Partia Socialiste.

Teksti i letres

Zoti Kryeministër                       

Taksa e votës që qeveria juaj ka vendosur është jo vetëm arbitrare, por shkon kundër parimeve të shenjta të lirisë dhe cenon të drejtën themelore të njerëzve për të zgjedhur.

Të vendosësh një taksë për votën, do të thotë të njollosësh vendin tonë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Asnjë qeveri e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nuk i detyron shtetasit e saj të paguajnë për të pasur mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. Asnjë qytetar i vendeve anëtare të NATO-s nuk paguan për të votuar.

Taksa e votës, përcjell jo vetëm një frymë anti-demokratike në Shqipëri, por edhe një mesazh të gabuar te partnerët tanë ndërkombëtar në këtë moment kaq të rëndësishëm, kur Shqipëria duhet të provojë me zgjedhje absolutisht të lira e të ndershme se e meriton besimin dhe mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme.

Taksa a votës nuk është një çështje politike. Taksa e votës është një çështje parimore. Çdo shqiptar e shqiptare, pavarësisht nëse jeton në qytet apo në fshat, nëse është i varfër apo i pasur, nëse është i punësuar, pensionist apo i papunë, duhet të ketë mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës. Kjo është një e drejtë që qytetarët nuk mund ta blejnë dhe as një shërbim që qeveria duhet ta shesë.

Qeveritë të cilat kufizojnë të drejtën e shtetasve të tyre për të votuar, janë qeveritë autoritare të së shkuarës. Shqipëria, si një shtet anëtar në NATO dhe aspirues për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të respektojë qytetarët e saj dhe të drejtat e tyre. Kjo nyje duhet zgjidhur pa humbur kohë, që të kemi zgjedhje.

Sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme që qeveria shqiptare të marrë një vendim të drejtë, për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Shtetasit e Republikës tonë nuk duhet të paguajnë për të qenë të lirë. Dëgjojeni z.Kryeministër sa s’është vonë zërin e arsyes së popullit sovran dhe adresojeni sa s’është kapërcyer kufiri i fundit kohor këtë problem, duke hequr taksën e votës e duke çliruar zgjedhjet nga zgjedha e pamundësisë ekonomike të qindramijëra njerëzve për ta paguar këtë taksë absurde.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›