E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma shëndetësore amerikane… guri i Sifizit!?

Dr. Shefqet Deliallisi 

Ditët e fundit dy ngjarje të rëndësishme ndodhën në SHBA. Përpjekjet për bllokim të reformës së kujdesit shëndetësor dhe vdekja e senatorit Kenedi. Dy ngjarje në dukje pa lidhje, por që i lidh pikërisht reforma shëndetësore. Senatori Kenedi, si kryetar i shëndetësisë në Senat, për një kohë shumë të gjatë ka qenë avokat i kësaj reforme, të cilën ai e quante “kauza e jetës time”. Mungesa e këtij mjeshtëri të konsensusit sigurisht që do të ndikojë në ecurinë saj.
Shumë është folur dhe vazhdon të flitet për reformën shëndetësore amerikane. Me të drejtë ngrihet pyetja: pse kaq problematike kjo reformë për vendin më të zhvilluar të botës!?
Vitet e para, pas rënies së komunizmit, në një trajnim për njohjen me sisteme shëndetësore të vendeve të zhvilluara, referuan disa ekspertë nga Europa. Pas tyre ai amerikan. Për habinë tonë, referimi titullohej: “Sistemi shëndetësor amerikan - ndryshe, si nuk duhet të jetë një sistem shëndetësor”!!!.......
“Shëndetësia amerikane është mjaft e sëmurë”, shkruan Ried në librin e tij “Shërimi i Amerikës”. “I ashtuquajturi sistem në fakt nuk është i tillë, nuk ka dizenjues, është kaotik, jo stabël, i drejtuar nga mijëra mjekë të vegjël praktikë,... një relike e kohës së shkuar, i papërshtatshëm për shekullin 21”.
Sipas një studimi të OBSH në 191 vende, sistemi shëndetësor universal francez renditet i pari, si kombinimi më i mirë i cilësisë dhe drejtësisë. Ai amerikan vetëm i 37, si pasojë e kontrastit ekstrem që ndërmjet mirëqenies së amerikanëve të siguruar dhe pjesës së popullsisë të pasiguruar (rreth 46 milionë). Pra, ndonëse niveli i shpenzimeve për kujdesin shëndetësor në SHBA, është më i larti në botë, rezultati i përftuar jo. Në vitin 2001, Amerika shpenzonte për frymë $4887, rreth 50% më shumë se vendi i dytë Zvicra. SHBA shpenzon mbi 17% të GDP për kujdesin shëndetësor, kur vende të tjera me të ardhura të larta vetëm 8% - 11%.
“Kam jetuar në tre vende, - shkruan një mbështes i reformës – Amerikë, pa shërbim shëndetësor kombëtar dhe Gjermani dhe Britani me shërbim kombëtar. Në Gjermani pësova një aksident serioz automobilistik, m’u desh të qëndroja për 2 muaj në spital dhe më pas të trajtohesha për 18 muaj me fizioterapi intensive. Kujdesi ishte i klasit të lartë. Më shpëtuan këmbën, sot as nuk çaloj. Kjo nuk më kushtoi asgjë. Në atë kohë, të ardhurat e mia e bënin të pamundur që të paguaja sigurim shëndetësor privat. Në sistemin gjerman, paguaja bazuar vetëm në të ardhurat e mia. I jam mirënjohës përgjithmonë këtij sistemi. Nëse ky aksident do më kish ndodhur në Amerikë, jam i bindur se do të kisha prerë këmbën dhe familja ime do të kish falimentuar. Sot jetoj në Britani. Ndërsa mendoj se sistemi gjerman është më efecienti, ai britanik është i mirë gjithashtu. Siguron nivel të shkëlqyer kujdesi, dhe në mënyrë konstante është në përmirësim. Parimi që mbështet është: shërbim për sa më shumë njerëz, për pjesën më të madhe të kohës.
Përpjekjet e vazhdueshme për reformimin e sistemit shëndetësor amerikan të kujtojnë mitin e Sifizit. Edhe pas shtatëdhjetë vjetësh, historia është e njëjtë: përpjekje për përfshirjen e të gjithë amerikanëve brenda sistemit shëndetësor dhe përpjekje për ta bërë sa më pak të kushtueshëm atë. Këtë premtoi dhe u përpoq ta vinte në jetë presidenti Harry Truman në vitin 1940, Richard Nixon në 1970, Bill Clinton në 1990. Hillary dhe Bill Clinton në 1994. Këtë premtoi dhe po përpiqet ta vërë në jetë presidenti Obama. Është pikërisht kjo reformë prioritare, që sot përbën sfidën e tij, duke ndikuar në popullaritetit të tij.
Në fakt, reformimi i sistemit shëndetësor ka qenë dhe mbetet i vështirë kudo në botë. Do të ishte e gabuar që diskutimin për ndërmarrjen e një reforme ta dominonte fizibiliteti politik afatshkurtër. Historia ka shembuj ndryshimesh politike të mëdha, në dukje politikisht jo fisibël, ndërkohë që më pas ka rezultuar e kundërta. 
Duke analizuar përpjekjet për reformimin e sistemit shëndetësor amerikan nga viti 1932-1943, Hirshfield në artikullin e tij “Dështimi i reformës” konstaton: “Që nga fillimet e shekullit të shkuar, reformatorët kanë dështuar për t’u bashkuar në një kurs të vetëm drejtues... Disa e shohin sigurimin shëndetësor kryesisht si një masë edukative dhe masë të shëndetit publik, të tjerë e argumentojnë si një instrument ekonomik për të nisur një riorganizim të praktikës mjekësore. Të tjerë e shohin si një instrument për të kursyer para, ndërsa të tjerë janë të sigurt se ajo do t’i rrisë dukshëm shpenzimet”.
Këto diferenca ekzistojnë dhe sot. V. R. Fuchs, autoriteti botëror i fushës, në revistën prestigjioze, New England Journal of Medicine, në janar 2009 në shkrimin me titull: “Reforma e Kujdesit Shëndetësor. Pse kaq shumë fjalë dhe kaq pak vepra” jep shkaqet që pengojnë vënien në jetë të reformës shëndetësore Obama. Ai i referohet Makiavelit, i cili në vitin 1513 shkruante: “Nuk ka asgjë më të vështirë për të kryer... se sa të iniciosh një rend të ri të gjërave. Reformatorët kanë armiq të gjithë ato që përfitojnë nga rendi i vjetër, dhe mbrojtës të vakët, të gjithë ata që do të përfitojnë nga rendi i ri... Ky vështrim i mprehtë, që njihet dhe si “Ligji i Reformës”, tregon se ekziston një minoritet kundra, i vendosur, që lufton me pasion për të ruajtur status quon. Ai ka një avantazh të ndjeshëm ndaj mazhorancës që favorizon reformat, mbasi kjo e fundit, nuk është kompakte dhe aq e vendosur për të luftuar për përfitimet e premtuara.
Status quon e preferojnë kompanitë e sigurimit shëndetësor; prodhuesit e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore; kompanitë e sigurimeve; kompanitë që punësojnë kryesisht të rinj në moshë, të shëndetshëm, që kanë kosto më të ulët për kujdesin shëndetësor; një pjesë e konsiderueshme e mjekëve. Sipas këtyre kundërshtarëve të vendosur, reforma “Obama” është e papranueshme mbasi në plan të parë del shteti. Sipas saj shteti do të stimulojë përdorimin e medikamenteve më të lira... shteti do detyrojë kompanitë farmaceutike të shesin me gjysmë çmimi medikamentet për të moshuarit... shteti do të ndërhyjë edhe nëpërmjet risigurimit... do të futet në tregun e siguracioneve një agjenci shtetërore për të shmangur monopolet.. etj. Për të njëjtën arsye kjo reformë kundërshtohet fort edhe nga shumë individë, mbasi është kundër filozofisë mbi të cilën ai mbështetet kapitalizmin amerikan”, individualizmin e theksuar “që nga njëra anë nxit zgjedhjen, por nga ana tjetër edhe përgjegjësinë personale. Kjo filozofi nuk pranon ndërhyrjen e shtetit, por magjinë e tregut të lirë që rregullon gjithçka..... Sipas tyre: “Mjekësia e socializuar (dhe politikat ekonomike socialiste) nuk kanë punë në vendin e lirisë dhe guximit”. “Sakrifikimi i lirisë, për kontrollin autoritar të qeverisë mbi mjekësinë, duke huazuar sistemet e huaja të pasuksesshme do të ishte gabimi më i madh në gjithë historinë tonë”, shprehet Shoqata Amerikane e Shëndetësisë, që vazhdon: “Duke pasur parasysh që dhe Lenini kish proklamuar socializimin e shëndetësisë si guri kyç në harkun e shtetit socialist, shpejt edhe sektorë të tjerë të jetës amerikane mund të socializohen... Kjo do të ishte orvatja më e gjerë e bërë deri më sot në këtë vend, në drejtim të kontrollit të jetës personale të amerikanëve”... “Mundet të kryhet me sukses një parajsë barazie nëpërmjet rishpërndarjes së sforcuar të shëndetit nga produktivët tek parazitët?...
Është pikërisht ky mentalitet shkaku i ndryshimit të sistemeve shëndetësore në Europë nga sistemi amerikan. Ekzistenca dhe shërbimi shëndetësor universal në Europë shpjegohet me filozofinë e solidaritetit, që pranohet nga shumica e njerëzve në kontinentin plak. Sistemi i siguracionit në këto vende është “universal”, i mbështetur në modelin klasik të Bismarkut. Taksim i përgjithshëm, të gjithë  mbulohen nga një fond i përbashkët, duke e ndarë peshën në mënyrë të barabartë.
Por çfarë thonë mbështetësit e reformës?
Shumica janë mbrojtës të moderuar. Sipas tyre, Obama po fokusohet te pylli dhe jo te pemët. Ka ende shumë probleme që nuk janë zgjidhur... ende nuk ka një reformë domethënëse për pagesën për kujdesin shëndetësor, shpjegim të qartë si do të sigurohem paratë për kujdesin shëndetësor etj., etj. Por- thonë ata – këto arsye nuk duhet të na ndalojë për ta provuar, madje edhe nëse duhet të shkatrrojnë çfarë ka mbetur nga liritë tona. Ndriçimi, madje dhe vetëm i një qiriri të vogël është më i mirë se ankimi kundër errësirës...
Amerikanët, përfshi dhe shumë mjekët si unë, shkruan një mjek, besojnë vërtet se status quo në shëndetësi duhet të ndryshojë… ndryshe, do humbasë rasti më i mirë në dekada. Amerika është e aftë për krijimin e një sistemi shëndetësor kombëtar më të mirin në planet.
“Ëndrra e Ted Kenedi për një kujdes shëndetësor, cilësor për të gjithë amerikanët, në sajë të lidershipit dhe inspirimit të tij, do të bëhet këtë vit realitet”, u shpreh zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Nancy Pelosi, me rastin e vdekjes së senatorit. “Nuk mund të presim, nuk duhet të presim dhe nuk do të presim”, thotë me vendosmëri presidenti Obama, edhe pse sondazhet nuk po e favorizojnë optimizmin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›