Higjiena mbyll 4 shkolla e 3 kopshte
Inspektorati i Higjienës mbyll tre çerdhe, katër kopshte dhe katër shkolla të sistemit parauniversitar në Tiranë. Shkak për këtë vendim është bërë amortizimi tej mase i ambienteve në të cilat qëndrojnë fëmijët, por edhe i kuzhinave ku gatuhet. "Bëhet fjalë për çerdhen 11 në Laprakë, kopshtet 22 dhe 39 në njësinë bashkiake 4, ku nuk është bërë asnjë punim. Gjendja e tyre është me të vërtetë alarmante. Ambientet e gatimit dhe të shërbimeve në këto institucione lë shumë për të dëshiruar", sqarojnë specialistët e Drejtorisë së Higjienës. Ata sqarojnë se për këtë vit nuk do të çelen dhe dyert e katër shkollave të sistemit parauniversitar. Megjithëse rikonstruksioni i tyre duhej të bëhej në muajt e verës, për të qenë gati në shtator, kjo gjë nuk ka ndodhur. Një nga këto shkolla është "Petro Nini Luarasi", e cila konsiderohet si një nga më të preferuarat në Tiranë, pasi ka dhe një numër të konsiderueshëm nxënësish.