E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, vdes emigranti në Greqi

 

Humb jetën për shkak të gripit të derrave emigranti shqiptar në Greqi. Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Jani Metushi, i cili kurohej në gjendje të rëndë në një spital të Athinës. Emigranti shqiptar ishte shtruar në këtë spital në datën 19 gusht, pasi u konstatua se ishte prekur nga virusi AH1N1. Më tej, ai shfaqi komplikacione duke nisur nga vështirësitë në frymëmarrje e deri në pneumoni të rëndë në mushkri. Pacienti vuante prej kohësh nga problemet kardiake, madje kishte dhe aparat aritmie në zemër. Ky ka qenë një nga shkaqet kryesore për rëndimin e gjendjes së tij shëndetësore. Nga sa pohuan mjekët që e kanë ndjekur orët e fundit të jetës ai shfaqi edhe mosfunksionim të shumë organeve çka i solli vdekjen. Rasti i emigrantit shqiptar ishte një prej dhjetë rasteve më serioze të gripit të derrit në shtetin fqinj. Në Greqi numri i përgjithshëm i të prekurve me virusin A/H1N1 ka arritur në gati 2000 persona. Vetëm javën e fundit u regjistruan 157 raste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›