Nuk tolerojmë shkeljen e Kushtetutës

Kryetarja e ligjvënësve të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha dje, se nuk do të ketë asnjë largim nga Kuvendi dhe asnjë tërheqje nga pozitat e forcës më të madhe në vend për t’u përballur me të drejtën, respektimin e ligjit, Kushtetutës dhe Rregullores për të gjitha çështjet, mbi të cilat po abuzon shumica e sotme në pushtet.
Leskaj i tha dje “Korrierit”, se socialistët nuk do të bojkotojnë sallën e Parlamentit, përkundrazi do të vazhdojnë luftën politike për të mos lejuar shkeljen e Kushtetutës e rregullores së Kuvendit. Deputetët e partisë më e madhe e opozitës u larguan nga salla në seancën plenare të së hënës në formë proteste, për mospërfshirjen në kalendarin trejavor të votimit të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe votimit të dekreteve të presidentit për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Numri një i socialistëve në Kuvend sqaron se nuk do të ketë bojkot, por në të kundërt, më shumë këmbëngulje nga ana e deputetëve të PS-së për të realizuar kërkesat e tyre. “Nuk do të ketë bojkot. Ne nuk ikim, do të jemi aty e nuk do të tolerojmë asnjë shkelje të Kushtetutës apo rregullores së Kuvendit”, - u shpreh qartë Valentina Leskaj, duke shprehur palëkundshmërinë e socialistëve për të “mos lëshuar pe”. Socialistët kërkojnë që më datë 9 qershor të votohen dekretet e presidentit Bamir Topi, ndërsa më datë 12 të po këtij muaji, të votohet në Kuvend kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për zhveshjen e nga imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së nënvizoi faktin se Kuvendi po vonon qëllimisht dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, po ashtu edhe futjen në rendin e ditës së heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Liderja e socialistëve në Kuvend theksoi faktin, se Topalli po merr më shumë kompetenca nga çfarë i takojnë. Për këtë arsye, socialist janë drejt përfundimit të procedurave për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, që do të shënonte mocionin e tretë kundër Topallit. Për të mos lejuar zvarritjen e të dyja çështjeve të mësipërme, socialistët janë të gatshëm për të ndërmarrë edhe këtë iniciativë, duke mos e parë këtë thjesht si një çështje numrash, por standardesh dhe morali. Për më tepër, veç qëndrimit të Topallit, socialistët ndajnë të njëjtin vlerësim edhe për kryeministrit. Sipas tyre, heshtja e kryeministrit është e papranueshme.