Siguracionet në rënie

Pagesa e dëmit nga kompanitë e sigurimeve që veprojnë në tregun vendas ka shënuar ulje. Raporti i përgatitur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për 4-mujorin e parë të këtij viti, vlerëson se vlera e dëmit të paguar nga kompanitë e sigurimit është 87 milionë lekë të reja, apo 21.48 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm. Pavarësisht se raporti nxjerr në pah që vlera mesatare e dëmit për sa i përket sigurimeve motorike ka shënuar rritje, pagimi i tij është më i ulët se një vit më parë. Të dhënat po ashtu nxjerrin në dritë problematikën e tregut të sigurimeve, e cila është paralajmëruar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë pak ditë më parë edhe nga kryetarja e AMF-së, Elizabeta Gjoni. Kjo e fundit ka deklaruar mbi problematikën e tregut, dhe kjo, pasi niveli i dëmeve të paguara nga kompanitë ulet në raport me standardet. “Edhe pse i zgjeruar, tregu i sigurimeve ka probleme, pasi niveli i dëmeve të paguara ulet nga kompanitë në raport me standardet. Çmimet e fiksuara nga kompanitë private të sigurimeve, sidomos për sigurimin e mjeteve motorike, pengojnë konkurrencën në treg, dhe për pasojë mbajnë çmime monopol”, është shprehur Gjoni, duke theksuar se vlerësimi i dëmeve të shkaktuara është nën nivelin e kostos reale të tyre, duke bërë kështu që individi apo firma të humbasin. Duke iu referuar raportit, mësohet se totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në 4-mujorin e parë të vitit 2008 ishte rreth 404 milionë lekë, ose 21.48 për qind më pak se në janar - prill të vitit 2007. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin “Kartoni jeshil”, pra që është sigurimi vjetor i automjeteve, ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimit me rreth 59.83 për qind, dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 40 për qind krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit 2007. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 339 milionë lekë, apo 84.03 për qind të totalit të dëmeve të paguara bruto. Për sa i përket dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për MTPL e brendshme dhe Kasko, ku ndjeshëm paraqitet ulja e dëmit mesatar “Karton jeshil”, në krahasim me një vit më parë.
Të ardhurat e kompanive 31 milionë dollarë
Sipas raportit të Autoritet të Mbikëqyrjes Financiare, thuhet se në periudhën janar - prill 2008, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 178,124, duke shënuar një rritje prej rreth 16.64 për qindësh në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Pra, në krahasim me një vit më parë, të ardhurat e kompanive kanë qenë rreth 365 milionë më të larta. Rritja e numrit të kontratave në vitin 2008 u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 2,054 milionë lekë, apo rreth 31 milionë dollarë, shifër kjo 14.73 për qind më e lartë se ajo e së njëjtës periudhë të vitit 2007. Raporti nënvizon se tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek Sigurimet e Jo-jetës, që sollën rreth 92 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë Sigurimet e Jetës me rreth 8 për qind. Gjatë kësaj periudhe të vitit 2008, sigurimi i detyrueshëm vazhdoi të dominojë në tregun vendas, duke sjellë rreth 62 për qind të të ardhurave nga primet e shkruara bruto të sigurimeve. Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008, ishin rreth 917 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 6.54 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, lidhet me rritjen me rreth 9.65 për qind të numrit të kontratave. Në periudhën janar - prill 2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të “Kartonit jeshil” arritën rreth 314 milionë lekë, ose 11.98 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2007, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 3.43 për qindësh, krahasuar me të njëjtën periudhë. Kurse sigurimi kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 41.94 për qind, në krahasim me janar - prill 2007. Në të njëjtën kohë ulje shënoi edhe numri i kontratave të sigurimit kufitar në masën 10.17 për qind. Gjatë kësaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 49 milionë lekë.
Sigurimi vullnetar
Sipas AMF, në 4 muajt e parë të vitit, vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 775 milionë lekë, me një rritje prej 36.95 për qindësh, kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 36.67 për qind rritje të numrit të kontratave të sigurimit. Të ardhurat nga produktet vullnetare të Sigurimit të Jo-jetës u rritën me rreth 31.87 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Në portofolin e “Pronës, përgjegjësive e garancive me të ardhura rreth 394 milionë lekë në total”, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 51për qind, të ndjekura nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 24 për qind dhe sigurimi i garancisë me 13 për qind. Në portofolin “Zjarri dhe rreziqet shtesë” ndihet një rritje prej 46 për qindësh e numrit të kontratave të sigurimit dhe ulje me rreth 2 për qind të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, që shpjegohet edhe me marrjen në sigurim të përgjegjësive me vlera të vogla. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 4-mujorin e parë të vitit 2008 arritën në rreth 74 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 32.71 për qindësh në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 76.54 për qind të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim, lidhet më numrin në rritje të vazhdueshme të personave që udhëtojnë jashtë vendit.