E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama: “Konflikti me truallin në qendër, qeveria sulmon pronarët e ligjshëm”



Emanuela Sako

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në një takim me përfaqësues të kompanive të ndërtimit në Tiranë, është shprehur se KRRTSH-ja po mban peng planin rregullues të Tiranës. Kryebashkiaku Rama ka kërkuar një miratim sa më të shpejtë të planit rregullues të Tiranës nga KRRTSH-ja. Miratimi i këtij plani, sipas Ramës, do të ishte një hap para për kapërcimin e krizës ekonomike në të cilën është zhytur vendi. Sipas tij, lënia pa punë e ndërtuesve dhe mospërkrahja është një gabim i pafalshëm i qeverisë. Një situatë e tillë do të sillte probleme në zhvillimin ekonomik të kryeqytetit. “Mbetet sot e gjithë ditën miratimi i domosdoshëm në KRRTRSH. Pa dyshim, vonesa në miratimin e këtij plani sot është akoma më i rëndësishëm në kuptimin e pasojave negative, sesa dje. Sepse sot Shqipëria është në një krizë ekonomike dhe kompanitë e ndërtimit janë, pa më të voglin dyshim, pika ku çdo qeveri e arsyeshme dhe e përgjegjshme duhet të kapet për të bashkëpunuar në funksion të përballimit të krizës”, - u shpreh Rama.
Deklarata
Kryetari i Bashkisë u shpreh se pengesat e bëra nga qeveria janë vërtetuar që po bëhen pengesë për të drejtat e pronarëve. Sipas tij, sulmet e qeverisë ndaj pronarëve të ligjshëm dhe pushtetit vendor u vërtetuan më së miri me konfliktin e truallit në qendër të Tiranës. Ai e cilësoi atë si një sulm mafioz. “Çështja nuk është vetëm thjesht e një grupi investitorësh, por është një çështje simbol e asaj që ndodh me titujt e pronësisë, dokumentet e pronësisë, liritë e të drejtat kushtetuese të pronarëve, liritë e të drejtat kushtetuese të investitorëve, të ndërtuesve dhe të vetë pushtetit vendor, të goditura në bllok, a thua se nuk jetojmë në një sistem demokratik. Qeveria u shfaq si grabitëse e pronës private dhe zbatuese e një territori nën juridiksionin e pushtetit vendor me një alibi, e cila ndryshoi tri herë në tri ditë për të dalë në formën e tjetërsimit të pronës për interesa të Berishës”,- deklaroi Rama.
Edhe ndërtuesit kanë kërkuar sa më shpejt miratimin e planit rregullues për të ndërtuar në bazë të rregullave dhe kritereve. Më pas është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës së Ndërtuesve, i cili synon komunikimin transparent mes palëve të interesit.
Plani Rregullues
Plani Rregullues i Tiranës ka përfunduar dhe ka marrë miratimin e të gjitha instancave lokale, nga KRRT-ja te Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe ka ngecur në tavolinën e KRRTRSH-së, në krye të së cilës është kryeministri Berisha. Sipas Ramës, nxitja e papunësisë për firmat e ndërtimit do të pezullonte zhvillimin e aktiviteteve ekonomike dhe përshpejtimin dhe thellimin e krizës ekonomike në vend. Plani rregullues kërkon miratim të shpejtë dhe vënie të menjëhershme në funksion të plotë për të bërë të mundur që shumë studime që janë në pritje të miratimit të planit të vihen në lëvizje jashtë çdo kahu politik.

Berisha: ”Plani Rregullues nuk ka mbërritur për shqyrtim”

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, u është përgjigjur akuzave të bëra nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se Plani Rregullues i Tiranës nuk është mbajtur peng nga KRTRSH-ja, pasi nuk ka mbërritur ende në sekretarinë teknike. Kryeministri Berisha ftoi Ramën të dorëzojë sa më parë planin për ta miratuar, edhe pse vonesat për një vit e gjysmë nuk kanë qenë për shkak të KRRTRSH-së. Edhe këtë herë mosmarrëveshjet qeveri-bashki nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, por janë mjaftuar duke hedhur fajin nga njëra palë te tjetra. “E ftoj zotin Rama, që del në konferencë shtypi dhe që, pasi e ka mbajtur një vit planin, ta sjellë sa më shpejt në sekretarinë teknike dhe do t’ia miratojmë, në mënyrë që të mos krijojmë alibi të kota. Pasi e mbajti planin e rregullimit një vit e gjysmë, e miratoi para dy javësh, tani del e thotë po e bllokon KRRTRSH-ja. Në përputhje me planin urbanistik ne duhet të gjejmë mënyrën e fitimit maksimal dhe kjo e tëra do të shkojë në fondin e kompensimit të pronarëve. Por si ky rast mund të ketë edhe raste të tjera analoge, për të cilat qeveria duhet të autorizohet me ligj, të procedojë. Krahas këtyre fondeve, të ardhurat e ankandeve të pronave të tjera, sipërmarrjeve, vlerave apo aseteve shtetërore, ky ligj i adreson gjithashtu në fondin monetar të kompensimit të pronarëve”,- theksoi Berisha.
Qeveria miratoi projektligjin për caktimin e fondit të kompensimit të pronave. Kryeministri Berisha pranoi se rimbursimi i pronarëve me vlerën e tregut përfaqëson një faturë të madhe për qeverinë. Por, sipas tij, ky është një detyrim kushtetues dhe moral kundrejt ish-pronarëve. “Pra, ligji është në funksion pikërisht të procesit të kompensimit të pronarëve, çka do të thotë që me një amendim të lehtë të tij, për ta qartësuar, Këshilli i Ministrave duhet të autorizohet të përdorë trojet në mënyrën më eficiente për kompensimin e pronarëve. P.sh., për qendrën e Tiranës, ankandi duhet të jetë për metër katror ndërtimi, sepse kështu arrihet vlera më maksimale, natyrisht në përputhje me urbanistikën e qytetit”, - theksoi Berisha.

14 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›