E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksistët i lënë një javë afat Ramës për konkurrencën e pandershme



Taksistët e kryeqytetit njoftojnë se do të nisin protestat ndaj qeverisë, e cila nuk i mbron nga konkurrenca e pandershme. Gjatë një takimi me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, taksistët kanë deklaruar se e kanë ngritur vazhdimisht këtë problem që po i çon drejt falimentimin, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Ata janë shprehur se nëse nuk përmbushen kushtet ata do të vijojnë protesta pa afat, të cilat do të nisin javën e ardhshme. Sipas tyre, konkurrenca e pandershme e taksive private po i falimenton, ndërkohë që ata vetë janë të detyruar të paguajnë të gjitha taksat brenda rregullave. Rama i vuri në dijeni se do të bëjë të pamundurën përsa u përket detyrimeve të pushtetit vendor. Sipas tij, Policia Bashkiake ka pezulluar aktivitetin e 812 taksive që kanë ushtruar aktivitetin pa licencë. E njëjta situatë do të vijojë deri në zhdukjen e këtij fenomeni. Kjo nuk është hera e parë e protestave të Shoqatës së Taksistëve.
Shoqata e Taksive 1+4 “Tirana” ka protestuar rreth dy javë më parë, para Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Transporteve kundër hartimit të projektligjit të ri që po harton Ministria e Transporteve për liberalizimin e shërbimit taksi dhe heqjen përfundimtare të licencave. Ata kërkojnë moskryerjen e këtij projektligji, i cili do të ishte një shkelje e të drejtave të tyre, si biznes, pasi do të sjellë krijimin e konkurrencës së pandershme në shërbimin taksi. Anëtarët e kësaj shoqate kanë hartuar një relacion që është dërguar në këtë ministri në shenjë proteste kundër udhëzimit dhe duke e argumentuar se përse nuk duhet të bëhet liberalizimi përfundimtar i licencave të taksive. Kështu, taksistët ndihen të terrorizuar nga kjo nismë e Ministrisë, pasi konkurrenca e pandershme pritet që të lindë me dëshirën e shtetit. Kryetari i Shoqatës së Taksistëve, Gëzim Bardhi, shprehet se kjo nismë është e padrejtë dhe mbi ta do të rëndojë papunësia dhe konkurrenca e pandershme, e cila këtë herë po shtyhet nga shteti. Sipas anëtarëve të Shoqatës, në çdo qytetar do të bënte një punë të dytë si taksist.

14 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›