E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Pasoja kush thyen rregulloren e PS

Kryetari i PS-së, Edi Rama bëri të qartë dje se, nuk do të ketë asnjë palë zgjedhje në rast se nuk ka zgjidhje për të garantuar procese sipas standardeve. Gjatë emisionit “5 pyetje nga Babaramo”, në “News 24”, Rama foli edhe për raportet me deputetët kundërshtarë. Ai tha se në PS ka hapësira që mendimi i tyre të dëgjohet. Por, Rama bëri shumë të qartë se nëse ata do të thyejnë vendimin kolegjial të grupit parlamentar, atëherë do të përballen me pasojat e rregullores së grupit.
Përse u humbën zgjedhjet e 28 qershorit?
Besoj pyetja është retorike, sepse ju e dini mirë. Zgjedhjet e 28 qershorit dolën jashtë standardit dhe rezultati i tyre nuk përputhet me vullnetin e popullit. Është shprehje e një deformimi të rëndë për të cilin PS-ja është jashtë Parlamentit dhe kërkon me çdo kusht, që në bazë të plotësimit të kërkesave, t’i kthehet legjitimiteti këtij Parlamenti dhe kësaj qeverie. Për sa kohë zgjedhjet e 28 qershorit nuk janë transparente dhe i gjithë mekanizmi i 28 qershorit nuk është çmontuar, jo vetëm ato zgjedhje PS-ja nuk i njeh si proces normal politik dhe demokratik, por përkundrazi janë baza e kontestimit tonë.
Sa kohë do të zgjasë bojkoti?
Ne kemi paraqitur publikisht disa kërkesa me qëllimin për të zgjidhur një krizë që sot është në themel të procesit demokratik, kriza e legjitimitetit të Parlamentit, të qeverisë. Në Shqipëri nuk mund të ketë një proces zgjedhor në të ardhmen e afërt apo pas tij, nëse procesi zgjedhor që u mbyll nuk bëhet transparent dhe nga procesi që u mbyll nuk nxirren mësimet e nevojshme për t’u reflektuar në përgjegjësi konkrete ligjore të të gjithë atyre që shkelën ligjin e Shqipërisë dhe Kushtetutën, që të reflektohen në ato ndryshime të domosdoshme që duhen bërë. Ne, në fakt, kërkojmë që t’i japim fund traditës së shëmtuar dhe të padenjë të zgjedhjeve të cenuara dhe të kontestuara. Me bindjen që ky proces i mbrapshtë, i deformuar, i gënjeshtërt, dhe mbi të gjitha ky proces që nuk zgjidh, por krijon krizë politike në Shqipëri nuk mund të marrë fund nëse nuk hetohet deri në fund, ne kër-kojmë transparencë. Kërkojmë hapjen e të gjitha kutive të votimit. Nuk kam parasysh të gjitha në numër, por e çdo kutie që ne gjykojmë se duhet bërë transparente. Ne kërkojmë që të ballafaqojmë shqiptarët e shqiptaret me fakte dhe është për të ardhur keq që Sali Berisha dhe gjithë zëdhënësit e tij, Ilir Meta e kompani fshihen pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që nuk ka të bëjë fare me atë që kërkojmë ne. Pavarësisht referencave ligjore që merren sot, hapja e kutive është plotësisht e mundur. Kërkojmë hapjen e kutive të dyshuara, ku një komision parlamentar me një shumicë opozitare, pa asnjë kosto për publikun, pa asnjë lloj problemi për bllokimin e punës së Parlamentit do të hetojë, qofshin lista, qofshin fletë votimi dhe nga ku do të nxirren përgjegjësi.
Sa ka vajtur numri i firmave të mbledhura për projektligjin për hapjen e kutive?
Firmat e mbledhura e kanë kaluar numrin që duhet për të paraqitur projektligjin. Ka një objektiv, do të realizohet ai dhe do të paraqitet.
Kryeministri ka thënë që kutitë nuk hapen në asnjë rrethanë. Ju në 2011 do paraqiteni apo jo?
Kryeministri është larg të qeni zot i këtij vendi, dhe jo e jo pastaj zot i këtij populli. Kryeministri është një funksionar përfaqësues i një pjese, i cili sot është i akuzuari kryesor për deformimin e mandateve të popullit shqiptar dhe nuk është në pozitën që të vërë kushte apo ta kushtëzojë me kokëfortësi dhe me refuzim këtë përpjekje, që është historike për demokratizimin e pakthyeshëm të procesit zgjedhor. Ai mund të futet në bunkerin e kokëfortësisë së tij si në të shkuarën, kryeministri mund të fshihet pas gjithfarë alibish, por koha nuk punon për kryeministrin dhe mbi të gjitha, opozita që përfaqëson shumicën e shqiptarëve nuk ka ndërmend t’i nënshtrohet logjikës së kryeministrit. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë që është për liri e të drejta të panegociueshme. Hapja e kutive nuk ka të bëjë me fatin e pushtetit të radhës që gjendet në atë kuti, por më shpresat e këtij vendi. Nëse pushteti nuk lejon transparencën, atëherë pushteti nuk lejon ballafaqimin paqësor, faktik me popullin sovran, ndërkohë që në këto çështje nuk ka rrugë të mesme, sepse nuk ka më mundësi që ne të pranojmë që një vend në mes të Evropës të kemi zgjedhje pak më të mira se ato që ishin, po pra jo aq të mira si ato që duhet të jenë. Nëse arsyeja quhet Sali Berisha, ne do ta largojmë atë. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm se këtu është rasti dhe mundësia që ai vetë të ndahet nga ai proces në mënyrë normale dhe t’ia dorëzojë popullit përmes opozitës. Në rast se është në gjendje të bindë popullin se është në gjendje të qëndrojë, por jo duke qëndruar mbi kutitë e votimit.
Nuk do të merrni pjesë në asnjë palë zgjedhje nëse nuk hapen kutitë...?
Unë ju them sot se nuk është problemi a do hyjmë në zgjedhjet e ardhshme apo jo, se ne nuk jemi spektatorë të një procesi që mund të privatizohet nga Sali Berisha dhe të rrimë në rolin e spektatorit dhe Sali Berisha vetë të drejtojë procesin, vetë të drejtojë vendin. Unë mund t’ju them se nuk do të ketë zgjedhje në rast se nuk do të ketë zgjidhje, në rast se populli, opozita, të gjithë individët që nuk janë dakord të sundohen, nuk do të garantohen se do të vendosin të lirë.
Ju kërkoni një premtim të Berishës për hapje kutie...?
Premtimet Berisha nuk i mban. Premtimet mund tua bëjë atyre që e dëgjojnë. Ne kërkojmë pranimin e kërkesave tona dhe hapjen e një procesi normal transparence që normalizon Parlamentin, që normalizon jetën politike në Shqipëri, e cila është në një krizë shumë më të thellë nga ajo që duket, e cila mbahet peng nga pushteti dhe nga Sali Berisha.
Një grup deputetësh kanë deklaruar se do të hyjnë në Parlament.
Çfarë ndodh me ta?
Së pari, më lejoni që të flasim këtu për çështje që janë vërtetë çështje të rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe për shoqërinë. Sa i përket pastaj emërtimeve që ju vendosen për lehtësi komunikimi nga mediat, prononcimeve apo shfaqjeve të ndryshme të një individi apo disa individëve, këto nuk janë çështje të një rendi të dorës së parë. Sigurisht, unë dhe PS-ja, jo thjesht si person, është në vëmendjen maksimale për të dëgjuar këdo, çdo zë jo brenda partisë po e po, por kudo ku ai zë ngrihet për çështje që kanë të bëjnë me jetën aktuale dhe me procesin demokratik në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë aspak se në rastin konkret kemi grupe, kemi lëvizje, kemi të gjitha këto të krijuara për lehtësi komunikimi nga mediat apo nga vetë zërat. Kjo nuk është çështje e dorës së parë. Në PS rregullat janë të qarta dhe vendimi për të mos hyrë në Parlament është vendim i marrë kolegjialisht, i marrë në grupin parlamentar, ndaj edhe është e qartë se çfarë nënkupton ky vendim për anëtarët e grupit dhe s’kam asnjë arsye të komentoj deklarata që nuk janë veprime.
Rregullta çfarë parashikojnë?
Rregullat mund t’i lexoni. Të mos humbasim kohë me këtë aspekt që ka të bëjë me një hapësirë lirie brenda PS-së, me të drejta të individëve që e përfaqësojnë PS-në në çdo nivel për të shprehur mendimin e tyre dhe me një moment të caktuar kur PS-ja është në një proces të rishkrimit të të gjitha parimeve dhe rregullave brenda saj.
Do t’i përjashtoni nga grupi në rast se hyjnë?
Që këtu unë e paragjykoj pyetjen tuaj, sepse unë nuk shoh një kategori që quhet “ne” dhe një kategori që quhet “ata”. Në PS ka një kohezion shumë të fortë dhe shumë të qartë lidhur me momentin politik, lidhur me vendimmarrjen politike, lidhur me këtë aksion, lidhur me një numër të caktuar individësh, nuk përbëjnë një arsye për t’i kategorizuar si “ata”. Dhe, unë nuk pranoj këtu të flas si “ne” apo “ata” kur bëhet fjalë për PS-në. “Ne”-ja nuk është pjesë e risive të literaturës mesdhetare, por është pjesë e një aksioni politik që ka bashkuar jo vetëm të gjithë anëtarësinë, dhe PS-ja është e vendosur në këtë proces dhe për ta çuar para këtë aksion.
Si e shpjegoni këtë raport krejt të ri me Blushin, duke pasur parasysh se pas dorëheqjes së Nanos ishte një nga mbështetësit tuaj?
Le t’ia lëmë lirisë tuaj leximin e raporteve mes njerëzve dhe mes personave publikë apo politikë. Komentit të këtyre raporteve unë i jam shmangur, që debati të fokusohet tek çështjet dhe të mos devijojë tek personat. Kështu që nuk e kam ushqyer në të shkuarën dhe nuk dua të ushqej asnjë lloj zanafille për telenovelë në PS. Ka mbaruar koha e telenovelave në PS me kohë.
A ka pasur në 2005 një pakt mes teje dhe Blushit?
Nuk do doja që të mbaronte koha pa ju bërë unë një pyetje. Jeni apo jo për hapjen e kutive? Kjo është një çështje që ne na intereson. Në 20 nëntor kemi ftuar shqiptarët e shqiptaret në një manifestim të madh për Parlamentin që refuzoi të hapen kutitë e votimit të shqiptarëve, që refuzoi të hetojë të gjitha ato pjesë të procesit, që e kriminalizuan procesit dhe deri në 20 nëntor ne do të bëjmë protesta pas protestash në plot qendra urbane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›