E Diel, 1 Nëntor 2026

Aplikimi në BE, nuk shqyrtohet kërkesa e Shqipërisë

28/10/2009  Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së “pengohen” nga parlamenti gjerman

Ministri i Suedisë, Bildt: “Shtyrja ishte teknike dhe jo politike”

LUKSEMBURG - Shkaqet teknike kanë qenë serioze për kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi ato kanë shtyrë kohën e marrjes në shqyrtim nga ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së të kësaj kërkese. Pas takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg, ministri suedez Karl Bildt deklaroi se çështjet që kanë penguar shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë nuk janë politike, por kanë të bëjnë me zgjedhjet e fundit në Gjermani dhe faktin se parlamenti gjerman nuk është mbledhur ende. “E vetmja vonesë këtu ka qenë për faktin se parlamenti gjerman nuk është mbledhur ende dhe sipas kushteve të Traktatit të Lisbonës ne kemi procedura më të komplikuar: konsultimin e parlamenteve në disa vende, përfshirë edhe vendin tim (Suedia), megjithëse ne nuk kemi pasur zgjedhje kohët e fundit, por gjermanët kanë pasur zgjedhje kohët e fundit. Pra, është thjesht çështje teknike dhe nuk është politike”, - vuri në dukje ai. Gjatë takimit të djeshëm në Luksemburg ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së diskutuan mbi çështjen e kandidaturës së Shqipërisë, duke mos arritur asnjë qëndrim konkret. Ndryshe nga qëndrimi që mbajti Suedia për vonesat e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë, Holanda duket se e konsideron si politike çështjen e shqyrtimit të kësaj kërkese. Shqipëria e paraqiti aplikimin për të qenë vend kandidat i BE-së në prill të këtij viti, vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit. Aplikimi i Shqipërisë u bë në një kohë që vendet anëtare ishin të ndara në opinionet e tyre lidhur me kohën e paraqitjes së tij. BE-ja para disa muajsh vendosi ti ofrojë Islandës një procedurë të përshpejtuar të anëtarësimit menjëherë sapo ky vend bëri aplikimin.

Aplikimi

Vendi ynë e dorëzoi kërkesën në prill të këtij viti. Më parë rezoluta “Për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE” u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë pas propozimit të saj nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe miratimit me konsensus nga të gjithë komisionet parlamentare përgjegjëse. Në mbështetje të aktit të Shqipërisë kanë qenë vende si Greqia, Republika e Çekisë dhe Italia, ndërsa më hezitues kanë qenë Gjermania, Holanda, Britania e Madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›