E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi pa mëshirë: S’e fal as Riedin

 

Jetmir Halilaj

Hamdi Salihi nuk njeh mëshirë kur ndodhet para portës së kundërshtarëve. Këtë e vërtetoi të dielën në mbrëmje, ku nuk ngurroi t’i shënonte Matersburgut golin e tretë. “I kam shënuar gjithsej shtatë herë kësaj skuadre gjatë kohës që luaj në Austri dhe pashë që disa revista sportive këtu në Vjenë i kishin kushtuar shumë rëndësi këtij detaji. Nuk kam asnjë personale me këtë ekip, thjesht më ka ecur fati”, ka thënë Salihi në një intervistë për “Panorama Sport”. Problemi “i madh” i sulmuesit është përballja këtë fundjavë me Riedin, ish-skuadrën e tij që e afirmoi në arenën ndërkombëtare.
Arritët kuotën e nëntë golave, po aq sa keni edhe numrin e fanellës...Cili është objektivi juaj për këtë sezon?
Objektivi im primar është që të mos pësoj asnjë dëmtim. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë jam i bindur se me këtë skuadër do të shënoj edhe shumë gola të tjerë.
Nuk do ta kurseni as Riedin të shtunën?
Hëm...(mendohet)...Në fakt është paksa i çuditshme të luaj përballë kësaj skuadre. Aty kam kujtime shuam të bukura. I kam dhënë shumë atij ekipi dhe sigurisht që më ka dhënë shumë, por nuk e kam menduar gjatë deri tani. Momentalisht po mendoj për ndeshjen e së mërkurës kundër Austria Karnetnit.
Nëse i shënoni Riedit në fundjavë do të gëzoni?
Për të qenë i sinqertë, nëse do të më jepet rasti do të shënoj patjetër. Jam profesionist dhe derisa paguhem nga ky klub nuk mund të përfshihej emocionet apo preferencat në punën që bëj. Do të luftoj që të shënoj, por do të përpiqem që të mos festoj. Tifozët e kësaj skuadre e meritojnë që t’i respektosh. Edhe tani, madje edhe për golin e fundit që shënova, tifozët e Riedit më dërguan mesazhe urimi. Është paksa e sikletshme të them të drejtën, por futbolli të vendos edhe përballë situatave të tilla.
Si e shënuat golin ndaj Matersburgut?
Mora një pasim në zonë, gjuajtja me kokë dhe portieri grushtoi dhe më erdhi sërish topi në këmbë. Gjuajta me të djathtën dhe e dërgova topin ngjitur me shtyllën e majtë pingule. Ishte gol i bukur.
Me Rapidin keni një ecuri të shkëlqyer, a është “Këpuca e Artë” një objektiv personal për ju këtë sezon?
Ky është një objektiv për çdo sulmues, por shumë i vështirë për t’u arritur. Së pari unë dua të jem konstant, më pas të shohim. Gjithsesi, jam i ndërgjegjshëm se këtu ka disa sulmues të tjerë që janë mostra. Do të jetë e vështirë.
U zhbllokuat edhe me Kombëtaren, ndonëse në ndeshjen e fundit. A keni menduar se çfarë duhet të bëni që të jeni po kaq konstant edhe me përfaqësuesen, ashtu siç bëni edhe në klub?
Shikoni, ekipi përfaqësues është paksa ndryshe. Varet se çfarë kundërshtari ke, se ku të vendos trajneri. Në klub është ndryshe. E di shumë mirë se ku do të luash. Stërvitesh gjithë javën me ekipin i njeh mirë gjithë skemën. Në kombëtare është paksa ndryshe. Gjithsesi unë nuk jam i shqetësuar. Përkundrazi, jam i bindur se gjatë edicionit të ardhshëm do të paraqitem shuam më mirë me ekipin përfaqësues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›