Kodi, futet koalicioni i përbërë, përjashtohet ai i pjesshmi
Përveç përcaktimit të “Koalicionit të Përbërë”, eliminohet në mënyrë përfundimtare mundësia për të bërë koalicione të pjesshme
TIRANË- Një parti politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mund të kandidojë ose si forcë e vetme zgjedhore ose si pjesë e një koalicioni të përbërë. Një detyrim i tillë, është bërë pjesë e Draft-Kodit Zgjedhor që grupi i ekspertëve i ka paraqitur për diskutim dhe më pas për miratim Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Materiali që dje iu shpërnda anëtarëve të komisionit, një kopje së të cilës e disponon edhe gazeta “Shekulli”, bën propozimet për Kapitullin e Parë, të Kreut të Katërt, të Kodit të ri Zgjedhor, ku midis të tjerave, “Koalicioni i Përbërë” përcaktohet si alternativë e vetme për t’u zgjedhur nga ato parti politike që do të vendosin të garojnë jo të vetme në zgjedhjet e ardhshme.
Drafti
Projekti i paraqitur për këtë kapitull përmban 8 nene, nëpërmjet të cilave përshkruhet procedura ligjore e regjistrimit në KQZ të një subjekti zgjedhor. Që në nenin e parë të tij bëhet përcaktimi se subjekt zgjedhor do të quhet një parti politike, ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë shumemërore për kandidatë. Në këtë mënyrë, hartuesit e këtij drafti megjithëse shmangin emërtimin “Koalicion i Përbërë” përcaktojnë se çdo parti përbërëse e një koalicioni duhet të paraqitet në zgjedhje me listën e vet të kandidatëve, një detyrim ky që ekziston vetëm në këto lloj koalicionesh. Ndërkohë që një përcaktim i tillë bëhet edhe më i qartë në nenin tjetër të renditur në këtë material, ku dhe përcaktohet mënyra e regjistrimit të koalicioneve zgjedhore. Në pikën e dytë të këtij neni, përcaktohet se “një parti politike pjesëmarrëse në një koalicion, nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe të paraqesë listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë”. Ndërkohë që, më pas evidentohet saktë detyrimi se një parti politike pjesëmarrëse e një koalicioni duhet të depozitojë pranë KQZ-së listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore.
Koalicioni
Përveç përcaktimit të “Koalicionit të Përbërë”, eliminohet në mënyrë përfundimtare mundësia për të bërë koalicione të pjesshme ose në rajone të ndryshme. Sipas pikës së parë, të nenit 3, të këtij kapitulli, theksohet se “dy ose më shumë parti politike mund të regjistrohen në KQZ si koalicione zgjedhore në shkallë vendi”, pra duke shmangur alternativën e koalicioneve rajonale. Gjithashtu, si derivat i këtij detyrimi është përcaktuar edhe se çdo parti pjesëtare në një koalicion, duhet të paraqesë kandidat në lista shumemërore për çdo zonë ose rajon. Ndërkohë, numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt më vete, ose edhe e një koalicioni të tërë, nuk duhet të jetë më i vogël sesa numri i mandateve të deputetëve që do të zgjidhen në një zonë zgjedhore. Nga ana tjetër, për partitë pjesëmarrëse në një koalicion lind detyrimi se në listat e tyre shumemërore duhet të kenë jo më pak kandidatë sesa gjysma e mandateve. Gjithashtu, është menduar që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të lihet mundësia e kandidimit të kandidatëve të pavarur, të cilët për t’u regjistruar duhet të krijojnë dhe më pas të regjistrojnë, së pari në KQZ, një komitet prej nëntë vetash dhe më pas të mbledhin 1 për qind të firmave të të gjithë zgjedhësve që do të ketë një zonë zgjedhore.
Çfarë përmban drafti për koalicionet:
Subjekt zgjedhor është një parti politike, ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë shumemërore për kandidatë, sipas rregullave që përcaktohen në këtë Kod.
Subjekt zgjedhor mund të jetë edhe një shtetas shqiptar me të drejtë vote. i cili propozohet si kandidat për deputet nga një grup zgjedhësish.
Dy ose më shumë parti politike mund të regjistrohen në KQZ si koalicione zgjedhore në shkallë vendi, 50 ditë para datës së zgjedhjeve.
Një parti politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë.
Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt më vete, ose edhe e një koalicioni të tërë, nuk duhet të jetë më i vogël sesa numri i mandateve të deputetëve që do të zgjidhen në një zonë zgjedhore.
Kandidati i propozuar nga një grup zgjedhësish nuk mund të jetë pjesë e asnjë partie apo koalicioni që konkurron në zgjedhje dhe as të mbështesë haptazi apo në mënyrë të tërthortë ndonjë subjekt apo kandidat tjetër që konkurron në zgjedhje.
Kandidatët e pavarur për t’u regjistruar duhet të krijojnë, dhe më pas të regjistrojnë, së pari në KQZ, një komitet prej nëntë vetash dhe më pas të mbledhin 1 për qind të firmave të të gjithë zgjedhësve që do të ketë një zonë.