E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama: Raporti i OSBE-ODIHR evidenton gjendjen kritike të demokracisë në ShqipëriNga TemaKryetari i PS, Edi Rama, tha dje se, raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit konfirmoi akuzat e opozitës për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershori

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Edi Rama: Raporti i OSBE-ODIHR evidenton gjendjen kritike të demokracisë në ShqipëriNga Tema

Kryetari i PS, Edi Rama, tha dje se, raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit konfirmoi akuzat e opozitës për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama tha se në raport evidentohet qartë gjendja kritike e demokracisë në Shqipëri, duke theksuar se PS do të vazhdojë bojkotin ndaj parlamentit, deri në momentin kur mazhoranca të plotësojë kushtet e vendosura nga PS për të hyrë në parlament. Rama u shpreh dje se gjendja e demokracisë në Shqipëri është kritike dhe se zgjedhjet e 28 qershorit nuk i përmbushën ato standarde, për të cilat socialistët u përpoqëm gjatë gjithë periudhës përgatitore që i parapriu zgjedhjeve dhe të cilat qytetarët e qytetaret e këtij vendi meritojnë.

“Ne gjejmë në këtë raport një vlerësim konfirmues për analizat dhe qëndrimet tona lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit dhe për ne ky raport është një kambanë alarmi për gjendjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Është e ditur se 28 qershorin ne e kemi konsideruar një shans të humbur për të gjithë dhe pa dallim, por mbi të gjitha për qytetaret e qytetarët e këtij vendi, që si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, meritonin më 28 qershor zgjedhje të standardeve të një vendi anëtar të NATO-s. Dhe si qytetare e qytetarë të një vendi që troket në dyert e BE për t’u bërë pjesë integrale e familjes evropiane, meritonin zgjedhje njësoj si në vendet evropiane, si në vendet e BE, gjë që del qartësisht e munguar edhe nga raporti i OSBE/ODIHR. Ne, Partia Socialiste, e vlerësojmë me mirënjohje certifikimin në raport të kontributit tonë politik për rolin që kemi luajtur në procesin paraelektoral dhe elektoral”, - tha Rama.

Do vazhdojmë bojkotin

Kreu socialist tha dje se raporti evidenton vlerësimin pozitiv që pati Partia Socialiste gjatë procesit të zgjedhjeve në Shqipëri. Rama tha se PS ofroi konsensusin dhe bashkëpunim konstruktiv për atë infrastrukturë ligjore e zgjedhore që përmendet në raport si pjesë e një arritjeje të prekshme. Rama shprehet se në raport evidentohet qartë qëndrimi i PS se zgjedhjet e 28 qershorit u cenuan në thelbin e tyre.

“Në të gjithë ecurinë e leximit të raportit, shprehet qartësisht ky cenim, duke filluar nga njehsimi i shtetit me pushtetin, te mungesa e transparencës, te pabarazia në garë, tek aksesi i pabarabartë në media, te përdorimi i errët i fondeve shtetërore, te kërcënimi i administratës dhe shndërrimi i saj në palë në zgjedhje dhe mbi të gjitha te procesi i keq dhe shumë i keq i numërimit të votave. Ne sot ripërsërisim, bazuar edhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, se qëndrimi ynë i kushtëzuar ndaj Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, është rruga ku kalon transparenca e domosdoshme për gjithçka ka mbetur e errët dhe për gjithçka fshihet nga ato kuti votimi dhe materiale zgjedhore që janë pjesë e konstatimit se në 1/3 e qendrave është numëruar keq dhe shumë keq. Praktikisht, ne besojmë se për opozitën, për të përfaqësuar denjësisht jo thjesht popullin opozitar, por për të përfaqësuar denjësisht bindjen se Shqipëria meriton të bëjë, jo zgjedhje pak më të mira se të tjerat, por zgjedhje të standardeve të një vendi anëtar të NATO-s dhe BE, ne dëshirojmë që të kuptohet qartë, nga të gjithë, se kushtëzimi i marrëdhënies sonë me parlamentin, ka të bëj me disa aspekte esenciale, jo thjesht për zgjedhjet që shkuan, por për zgjedhjet që vijnë, për cilësinë e demokracisë në Shqipëri, për garancinë që duhet të ketë çdo qytetar e qytetare, çdo zgjedhës e zgjedhëse në një proces realisht demokratik, ku nuk mundet që vullneti i popullit të deformohet përmes gjithë atyre mekanizmave të një procesi që është i mirë-përshkruar në analizën e imët që bën raporti i OSBE/ODIHR”, - tha Rama. Kreu socialist përsëriti dje qëndrimin se PS do të vazhdojë bojkotin deri në plotësimin e kushteve të vëna. Rama theksoi një prej vërejtjeve të pasqyruara në raportin e OSBE/ODIHR, sipas të cilit në 22 qendra numërimi të votave nga 66, pra në 1/3 e qendrave, procesi i numërimit është kryer keq dhe shumë keq, kjo është e mjaftueshme për të bërë transparencë dhe është në interesin e të gjithëve. “Interesi ynë nuk është ndryshimi i pushtetit në tavolinë. Interesi ynë është garantimi i procesit elektoral njëherë e mirë dhe çlirimi i procesit elektoral njëherë e mirë nga gjithë këto cenime që kanë të bëjnë në fakt me një mekanizëm të vetëm, që është mekanizimi i deformimit të vullnetit të qytetarëve përmes mekanizmave dhe fuqisë së shtetit”, - tha Rama.

Islami: Raporti i OSBE/ODIHR nuk justifikon bojkotin e opozitës

Kastriot Islami, deputet i PS, i pozicionuar si një prej kundërshtarëve të Ramës në PS, tha dje se, raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit nuk evidenton shkelje në zgjedhjet e 28 qershorit, në atë shkallë sa të justifikohet bojkoti i deputetëve të PS ndaj parlamentit. Islami tha dje se OSBE rrëzoi akuzat e Ramës për manipulim të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Do të thosha që ka dy mesazhe të rëndësishme në këtë raport, po të zhvishet nga gjuha e balancuar e raportit, pasi gjithmonë edhe në të gjitha vendet ndodh që secila pjesë merr atë element dhe e thekson edhe më shumë. Mesazhi i parë është që në Shqipëri standardet nuk janë arritur. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në një proces të kthimit në një vend kandidat të Bashkimit Evropian. Besoj se kjo do të përcaktojë të gjithë axhendën e bashkëveprimit me Komisionin Evropian dhe me Bashkimin Evropian për të garantuar në zgjedhjet e ardhshme zgjedhje tërësisht të lira apo thënë ndryshe, plotësimin e të gjitha standardeve në nivelin e tyre më të lartë. Mesazhi i dytë është natyrisht për të gjitha forcat politike, por në mënyrë të veçantë për opozitën që në raport nuk ka bazë dhe elementë që do të justifikonin vlerësime dhe qëndrime që çojnë te bojkoti i parlamentit. Brenda këtyre dy kufizave pastaj ka për përzierje progresi dhe mosarritjesh, më tepër të karakterit teknik që janë të përkthyer në rekomandime për politikën shqiptare, pra për të gjitha forcat politike shqiptare, të cilat ato duhet t’i adresojnë në parlamentin shqiptar”, - tha Islami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›