Brukseli: OK për aplikimin e Shqipërisë në tetorNga Erisa ZykajDosja e kërkesës së autoriteteve shqiptare për statusin e kandidatit do të shqyrtohet nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e tyre të tetorit. Këtë ka lënë të kuptohet
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Brukseli: OK për aplikimin e Shqipërisë në tetorNga Erisa ZykajDosja e kërkesës së autoriteteve shqiptare për statusin e kandidatit do të shqyrtohet nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e tyre të tetorit. Këtë ka lënë të kuptohet presidenca suedeze e Bashkimit Evropian në përfundim të ditës së dytë të takimit të ministrave të Jashtëm në Bruksel. Vetë ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, është shprehur, në bazë të raportit të monitorimit që i është kryer procesit të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, se vendi është tani në një pozitë shumë më të mirë për të avancuar në procesin e integrimeve. Përmbushja e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri ishte dhe kushti kryesor për konsiderimin e kërkesës për shtet kandidat nga autoritetet shqiptare. Duke u bazuar në një vlerësim pozitiv të procesit zgjedhor, që nuk është vetëm i presidencës, por i shumë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, duket se në tetor ministrat do japin aprovimin e tyre që dosja t’i kalojë Komisionit Evropian. Thënë në gjuhën zyrtare, ministrat do t’i japin mandatin Komisionit Evropian për shqyrtimin e kërkesës zyrtare të Shqipërisë lidhur me statusin e kandidatit.
Faza që pason është ajo e dorëzimit të një pyetësori të dendur, që përmban mbi 3000 pyetje, të cilit autoritetet shqiptare duhet t’i përgjigjen për të nxjerrë në pah se sa ata janë të zotët për të përmbushur kapacitetet e duhura, që duhet të përballojë një shtet kandidat. Koha që llogaritet për përmbushjen e pyetësorit është rreth një vit. Vendi që i është përgjigjur në një kohë rekord këtij pyetësori ka qenë Kroacia, e cila e ka dorëzuar atë vetëm pas gjashtë muajsh. Me të përmbushur pyetësorin, autoritetet shqiptare ia dorëzojnë Komisionit Evropian, i cili mbi bazën e përgjigjeve të dhëna, duhet të japë opinionin e tij, nëse vendi meriton statusin e kandidatit në BE apo jo. Shtetet anëtare duhet më pas në një takim të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të aprovojnë statusin e kandidatit për Shqipërinë. Edhe komisioneri evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, ka konsideruar se Shqipëria është në një pozitë të favorshme të integrimit të saj, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme, që ndonëse nuk konsiderohen perfekte, vlerësohen si më të mirat, ku Shqipëria ka plotësuar shumicën e standardeve.