LMN, “ndryshe” nga Rama apo njësoj si Berisha?Nga Mero BazeDy ditët e fundit jeta politike në vend është e dominuar nga dy ngjarje të rënda politike, qëndrimi ndaj të cilave nuk ndan mendimin ndryshe, por konceptin e ndryshëm mes opozitës dhe pushtet
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
LMN, “ndryshe” nga Rama apo njësoj si Berisha?Nga Mero BazeDy ditët e fundit jeta politike në vend është e dominuar nga dy ngjarje të rënda politike, qëndrimi ndaj të cilave nuk ndan mendimin ndryshe, por konceptin e ndryshëm mes opozitës dhe pushtetit. Skaneri që raporti i ODIHR i bën standardit të numërimit të votave në vend, si dhe mbyllja mafioze e procesit gjyqësor ndaj një ministri, i cili ishte i akuzuari kryesor si përgjegjës për vdekjen e 26 qytetarëve të këtij vendi, janë dy histori që ndajnë thellë shoqërinë shqiptare. Qëndrimi ndaj këtyre dy historive nuk ka të bëjë as me mllefet shpesh të justifikuara që shumë politikanë të vjetër të Partisë Socialiste kanë me Edi Ramën, dhe as me dashurinë e re që shumë të tjerë kanë me Sali Berishën. Qëndrimi ndaj këtyre zhvillimeve është lakmus i qartë për të ndarë opozitën nga pushteti në këtë vend.
Në këtë pikë opozitarët e rinj të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që kryesisht përmblidhen në dyshen Blushi-Malaj, duhet të jenë seriozë në qëndrimin e tyre ndaj këtyre ngjarjeve. Problemet e tyre me Edi Ramën janë probleme të ngritura mbi atë që ata e quajnë shpesh me të drejtë mungesë e rregullave të lojës brenda Partisë Socialiste, por në garën e tyre me Edi Ramën për të udhëhequr PS, kriter themelor është se cila është opozita e Sali Berishës në këtë vend.
Sali Berisha arriti të mposhtë Gjykatën e Lartë të këtij vendi dhe t’i detyrojë 5 gjyqtarë, nga të cilët disa me probleme me ligjin e pastërtisë së figurave, që të pushojnë në mënyrë skandaloze një çështje, e cila do t’i bëjë shumë dëm imazhit të Shqipërisë dhe identitetit profesional të drejtësisë në Shqipëri. Sali Berisha përdori në mënyrë të diskutueshme imunitetin e ri që ende nuk dihet nëse e ka fituar pas 28 qershorit Fatmir Mediu dhe përmes këtij imuniteti pushoi çështjen penale, që pritej të qetësonte së paku shpirtrat e atyre familjeve që kanë mbetur pas 26 viktimave të prodhuara nga makutëria dhe korrupsioni i familjes së Sali Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij politikë. Lëvizja për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste (për lehtësi po e quaj LMN), duhet të ketë së paku në këtë pikë një mendim ndryshe nga Sali Berisha dhe jo nga Edi Rama. Ata po konkurrojnë para socialistëve shqiptarë për t’u dëshmuar se janë më opozitarë se Edi Rama me Sali Berishën dhe jo më komplementarë me të se Edi Rama. Pavarësisht lidhjeve personale që kanë me Fatmir Mediun, ata synojnë të përfaqësojnë socialistët shqiptarë dhe duhet të denoncojnë një ministër të akuzuar për vrasje, që është i lirë dhe pa çështje penale për shkak të dhunës politike mbi gjykatat. Heshtja e tyre ndaj këtij fenomeni është e rëndë dhe zvogëlon shumë rëndësinë, jo të vogël, që kanë pretendimet e tyre kundër Edi Ramës si opozitar i dobët. Vendimi i Gjykatës së Lartë ka vendosur një rekord të zi botëror, pasi ne mund të jemi i vetmi vend në botë, që për 26 të vdekur, një ministër as nuk çohet në gjykatë.
I njëjti qëndrim konfuz është dhe ndaj raportit të ODIHR. Ata po e lexojnë këtë raport njësoj si Sali Berisha, i cili me paturpësi del e krahason atë me raportin e vitit 2000, ndërkohë që ne e kemi garën me të ardhmen tonë evropiane. Ky raport, i cili qartëson se numërimi së paku në 33 për qind të qendrave të votimit ishte i keq, është në anën e kërkesës formale të liderit të opozitës që kërkon hetim parlamentar për materialet zgjedhore. Nëse opozitarët e Edi Ramës janë të bindur se në ato kuti nuk ka asnjë manipulim, ata duhet të bëhen flamurtarë të hetimit të kutive, për të mos i lënë asnjë argument Edi Ramës. Ata nuk duhet t’i bashkohen korit të Berishës, që kërkon vetëm largimin e Edi Ramës, pa respektuar pretendimin e tij. Unë nuk di të them nëse e vërteta që rri brenda atyre kutive shpëton apo varros Edi Ramën, por kjo opozitë s’mund të gjejë kurrë qetësi dhe identitet politik, nëse nuk e ringre veten në betejën për zgjedhje të lira në vend. Nëse opozitarët e Edi Ramës janë të bindur se nuk ka pasur asnjë manipulim, ata duhet ta përdorin dhe simpatinë që ka filluar të ketë Sali Berisha për ta, për ta bindur atë të hapë kutitë dhe të varrosin të ardhmen politike të Edi Ramës. Ata s’mund të sillen si Sali Berisha, madje dhe më keq se ai në vetësigurinë e tyre se “zgjedhjet nuk janë prekur dhe standardet janë arritur”. Nëse janë për një mendim ndryshe brenda opozitës, ata kanë shansin të dëshmojnë që janë opozitarë që kanë plan të ndryshëm nga Edi Rama, dhe jo antiopozitarë që kanë një plan dhe qëndrim të njëjtë si Sali Berisha. Rasti për t’u kuptuar nëse janë në anën e opozitës dhe pushtetit, po u jepet përditë, por ata, me sa duket, janë të përqendruar vetëm në një pikë, te lufta ndaj Edi Ramës, dhe jo te beteja për t’i mbushur mendjen shoqërisë opozitare në këtë vend se ata dinë ta luftojnë Sali Berishën më mirë se Edi Rama.