E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetërsimi i historisë mbi dëmet e luftës në Shqipëri (1939-1945) (II)Nga Dr. Teodor KarecoVijon nga numri i djeshëm Lajthitje, lapsus apo dezinformim Jam i një mendimi me Profesor Krisafin, kur shprehet se “janë të papranueshëm, si zmad

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Tjetërsimi i historisë mbi dëmet e luftës në Shqipëri (1939-1945) (II)Nga Dr. Teodor Kareco

Vijon nga numri i djeshëm

Lajthitje, lapsus apo dezinformim

Jam i një mendimi me Profesor Krisafin, kur shprehet se “janë të papranueshëm, si zmadhimi, ashtu edhe injorimi apo minimizimi i shifrave. Përpjekjet për ndryshime, të motivuara nga konjuktura të caktuara apo të iniciuara nga aktorë interesi, do të bënin të kundërtën. Historia e luftës së popullit shqiptar është më shumë se e lavdishme dhe nuk ka nevojë për kozmetikë”.1 Natyrisht, pajtohem me atë pjesë që nuk duhet të pranojmë shifra joreale për të treguar të vërtetat, luftërat kundër okupatorit, lavdinë. Por, kuptohet, nuk mund të bie dakord me atë që rëndom në libër gjithë “lavdinë”, “sakrificat” ia atribuon forcave të drejtuara nga komunistët jo gjithë aktorëve realë të luftës.

Megjithatë konstatoj se në gjithë argumentet e tij mbështetet në falsifikimin dhe keqinterpretimin e të dhënave për dëmet, me gjithë një lloj hezitimi në dukje. Por ajo që prish gjithë balancën e librit, që shpresoj të jetë lajthitje apo lapsus, është shuma marramendëse, jashtë çdo logjike të kohës që jepet në libër. Kjo është “kozmetikë” jashtë kornizës së logjikës më elementare, “kozmetikë” që nuk është e imagjinueshme apo e pranueshme për një “shkencëtar”. Në libër thuhet se “këto janë në vija të përgjithshme, sipas autoriteteve shqiptare të kohës, dëmet dhe humbjet që rezultojnë nga okupacioni fashist italian. Shuma e tyre është vlerësuar në 36.394.921.626 franga ari shqiptare”.2

Profesor, nuk besoj që të ketë shqiptar që të mohojë “lavdinë” e forcave të udhëhequra nga komunistët kundër pushtuesve fashisë e nazistë, ashtu sikundër nuk mohohen krimet e tyre në luftën civile e më pas. Por të “argumentohet” kjo “lavdi” me shifrat e dëmeve në luftë vetëm nga fashistët italiane (pa përmendur dëmet nga nazistët gjermanë), me shumën prej rreth 36.4 miliardë franga ari apo të kthyera në dollarë amerikanë në 12.13 miliardë dollarë është jashtë çdo ëndërrimi fantastik.

Sqarim për lexuesin. Në Konferencën e Jaltës që i zhvilloi punimet nga data 4 deri më 12 shkurt 1945, qeveria sovjetike, e përkrahur edhe nga ajo amerikane, propozoi një shumë që do kërkohej si reparacione lufte prej 20 miliardë dollarësh, nga të cilat 10 miliardë do t’i kalonin Bashkimit Sovjetik, 8 miliardë dollarë do t’i kalonin SHBA dhe Britanisë së Madhe, ndërsa 2 miliardë për vendet e tjera.3 Këto vetëm për reparacionet nga Gjermania. Nga Italia vetëm Bashkimi Sovjetik, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme, do të merrte 100 milionë dollarë.4 Kjo ndodhte, kur humbjet në Luftën e Dytë Botërore vetëm në BS arrinin në 20-30 milionë njerëz, nga 50 milionë vetë që llogariten të vrarët në këtë luftë në rreth 40 shtete. Me sa duket, Stalini rastësisht do të ketë patur informacion për pretendime të tilla të komunistëve shqiptarë, kur u shpreh në mënyre cinike për një moment se “doni që Shqipëria të ketë të njëjtin status me SHBA? ǒbëri Shqipëria në këtë luftë për të merituar një vend të tillë”5 Shqipëria, në kushtet që përjetonte, me raportin ekzistues të forcave, pozicionin gjeografik e të tjera të kësaj natyre, po të abstragojmë për një moment nga lufta civile vëllavrasëse, ndaj armikut bëri shumë, pati humbje të konsiderueshme materiale e njerëzore. Por çdo gjë ka një masë. Dhe tejkalimin e kësaj mase e kuptoi në kohë Stalini, njeriu që përgjëroheshin komunistët shqiptarë, ai në emrin e të cilit u bë gjithë ajo luftë e egër klasash për rreth pesë dekada, për të cilën Shqipëria e kuqe u prish me ata që i quajti revizionistë, social-imperialistë hrushovianë, kinezë e të tjera. Pra, sozia e Hoxhës - Stalini - e kuptoi me kohë se “çiraku po e kalonte me shpejtësi ustanë” dhe bënte thirrje për vetëpërmbajtje.

I solla këto shembuj për të treguar se ku vemi. Mund të shtrohet pyetja se kjo shifër e dhënë është lajthitje, lapsus, gabim në shtyp. Edhe unë gjykoj se është ashtu. Në gjithë dokumentacionin arkivor që kam mundur të konsultohem gjatë shumë viteve pune, nuk më ka dalë një shifër e tillë.

Unë kam një shqetësim tjetër, e shkruar shifra në një libër “shkencor”, në ditët e sotme, nga një Profesor e Doktor në shkencë, nga një jurist e diplomat, nga një njeri me pozicione të larta në hierarkinë shtetërore - mbetet si një postulat, një e vërtetë, që merr natyrën e të vërtetave absolute. Kështu dashur padashur falsifikohet historia, glorifikohet lufta që u bë nën drejtimin e komunistëve, megjithëse me shifra të tilla që në opinion të bëjnë qesharak. Mos shkojmë më larg. Sa doli libri, lexoj një artikull të z. Ferdinand Dervishi në gazetën “Panorama” me titull “Reparacionet, dueli i panjohur i shqiptarëve me italianët pas Luftës”, ku, pasi rendit listën e gjatë të dëmeve, thotë se “përfund fletës vunë një vizë ndarëse, shuma e përgjithshme e dëmeve e përllogaritur nga autoritetet shqiptare ndalte në vlerën e 36,4 miliardë frangave të arta shqiptare”6. Deri sot nuk kam parë ndonjë “korrigjim” në shtyp të kësaj shume marramendëse që e turpëron autorin e origjinës.

Nëse shifra është lapsus, autori ishte i obliguar të bënte korrigjimin e menjëhershëm. Madje, për t’i shpëtuar epitetit si “mashtrues i historisë”, duhej të gjurmonte e të gjente të gjitha kopjet e shitura për të bërë ndreqjet përkatëse, madje deri në Shtetet e Bashkuara, ku unë jetoj e punoj. Nuk është thjesht problemi tek unë si person. Unë sa përmend rrezikshmërinë historike të këtyre shifrave, qoftë dhe të gabuara. Në logjikën time, të mbështetur në dokumentacionin arkivor, as që mund të mendohet për ta pranuar e përdorur në shkrime të mëtejshme. Madje unë e quaj të domosdoshme të informoj se edhe shifrat më minimale që janë dhënë nga qeveria komuniste janë të manipuluara dhe të falsifikuara. I ruaj të drejtën vetes që, kur të krijohen mundësitë, të shkruaj një analizë kritike për këtë problem madhor të historiografisë shqiptare.

Shifra të padokumentuara për dëmet e luftës. Manipulime nga literatura komuniste

Paradokset në këtë libër neokomunist dhe me nivel tepër të ulët shkencor për nga thelbi dhe vërtetësia e këtij problemi nuk kanë të mbaruar. Autori pretendon se ka përdorur dokumentacionin autentik arkivor, kur bën krejt të kundërtën, jep dokumentacion mashtrues për të dalë te qëllimi. Për problemet themelore që përbëjnë thelbin e çështjes së dëmeve të luftës e respektivisht reparacioneve që kërkohen nga ish-pushtuesit italiano-gjermanë, jo vetëm nuk bën kërkim, nuk përdor dokumentet përkatëse të kohës, por me sofizma, manipulime, përdor herë njërin autor, qoftë krye-komunistin Hoxha, herë autor tjetër. Kujton se duke vënë ndonjë rresht, se nuk pretendon vërtetësinë e tyre, të lërë një tymnajë dhe një informacion fals për brezat që vijnë për çështjen që analizojmë.

Të shqyrtojmë pretendimet e autorit dhe me sa mundemi t’i hedhim poshtë si një ndër mashtrimet më monstruoze që i bëhet historisë së popullit shqiptar, me vepra të tilla të “sheqerosura” me terminologji e aparat “shkencor”. Autori nënvizon në libër se “hartimi i pjesës për dëmet dhe humbjet e shkaktuara në Shqipëri nga okupatorët nazifashistë italo-gjermanë, shifrat e të cilave janë vënë hera-herës në dyshim, është bërë përmbledhtas duke u mbështetur në dokumentacionin dhe në materialet informative e përshkruese të prodhuara prej organeve kompetente shqiptare, që ishin ngarkuar me evidentimin dhe përllogaritjen e tyre. Autori nuk pretendon vërtetësinë e tyre, të cilën e ka konsideruar jashtë objektit të këtij libri. Ai është kufizuar vetëm në përmbledhjen, redaktimin dhe paraqitjen skematike të shifrave dhe të përshkrimeve, sipas dokumenteve, që disponohen në arkivat zyrtare shqiptare.”7

Këtu kemi të bëjmë me disa të pavërteta. Këto qëndrojnë edhe për një studiues tjetër që është marrë me dëmet e luftës së pushtuesve italianë e gjermanë, duke shkruar dy artikuj që pretendojnë të jenë shkencorë në revistën “Studime Historike”. Është fjala për Asistent Profesor, Doktorin Hamit Kaba. Të dy mashtrojnë me shifrat, qoftë edhe duke cituar sipas dëshirës - i fryjnë ato.

Së pari, në gjithë librin voluminoz prej 362 faqesh8 të mbushur me detaje pa interes, si dhe në dy artikujt9 e përmendur të zotit Kaba, nuk gjejmë asnjë referim nga organizmi shtetëror i origjinës i ngarkuar me dëmet e luftës dhe reparacionet përkatëse. Sikundër do të shikojmë bëhen sofizma me dokumentacionin përkatës duke i dyfishuar me qëllim dëmet e luftës (nuk përmendim këtu manipulimet e mëtejshme komuniste për shumëfishimin e tyre 30 vjet më vonë). Dihet se organi shtetëror që u ngarkua me përmbledhjen e dëmeve sipas një hierarkie të caktuar e të “dokumentuar” ishte Drejtoria e Statistikave pranë Komisionit të Planit të Shtetit. Aty dhe vetëm aty do të duhet të kërkohet vendi i origjinës për llogaritjen e dëmeve. Autorët e përmendur bëjnë të kundërtën, i referohen në mënyrë të dyshimtë herë ndonjë materiali me gabime të Ministrisë së Punëve të Jashtme e herë tjetër, për paradoks, veprave të Hoxhës, ndonjëherë gjejnë ndonjë stalinist të tërbuar nëpër botë, mik besnik i Hoxhës.

T’i referohemi dokumentit të origjinës. Në dokumentin përmbledhës gjejmë këto të dhëna:

Përmbledhje e dëmeve të shkaktuara prej okupatorëve italianë dhe gjermanë në Shqipëri10

Degët e ekonomisë Franga ari

1-Industri, miniera11 1.482.096.600

2-Bujqësi, blegtori, pyje 720.428.000

3-Tregti 53.325.000

4-Transport, PTT etj. 181.179.000

5-Mobilie dhe sende personale 140.585.000

6-Dëme në fushën monetare 140.809.499

7-Shpenzime buxhetore dhe pensione. 1.808.976.000

Gjithsej (pas korrigjimeve)12 në franga ari 4.146.659.21113

Një studiues serioz dhe i paanshëm do të duhet t’i referohet këtyre dokumenteve të rëndësishme të origjinës, qofshin në Arkivin Qendror Shtetëror apo në atë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në fakt, edhe këto të dhëna janë shumë të fryra - falsifikimi, mashtrimi, manipulimi janë ndër cilësitë e pakontestueshme të organizmave të shtetit komunist. Për vërtetësinë e tyre, sikundër përmenda, për të hedhur poshtë edhe këto pretendime të pabaza, do të gjej një kohë tjetër. Megjithatë, si pikë referimi për historianët dhe gjithë studiuesit e tjerë është fakti i dokumentuar në të gjitha hallkat e strukturave shtetërore, nga fshati, qyteti, prefektura e për vendin në tërësi se dëmet e luftës të shkaktuara nga okupatorët italianë e gjermanë, e përsëris, nga dy forcat okupuese, ishin diçka më shumë se 4.1 miliardë franga ari, të pretenduara të vitit 1938 apo 1.38 miliardë dollarë.

Sot shtroj problemin se, si është e mundur që shkencëtarë që përpiqen të trajtojnë këtë problem kaq të rëndësishëm e delikat nuk e gjejnë të arsyeshme të konsultohen me dokumentet e origjinës, por hallakaten nëpër literaturë duke na dhënë në mënyrë mashtruese jo të vërteta që e çorodisin dhe e shtrembërojnë historinë? Këtu ka vetëm një dhe vetëm një qëllim - duke u dukur si “shkencorë” të shumëfishojnë dëmet që u sollën nga okupatoret ndaj “heroizmave” vetëm të beniaminëve të tyre partizanë në organizmin e Luftës Nacionalçlirimtare. Duke vepruar kështu zotërinjtë nuk kuptojnë që me të vërtetë nënvlerësojnë gjithë ato sakrifica, vështirësi, dëme, pse jo dhe heroizma të mbarë popullit shqiptar, duke përfshirë edhe atë pjesë që u drejtua apo u gënjye nga komunistët. Pyetjes se ndoshta autorët nuk kishin dijeni se ku ndodheshin dokumentet origjinale, i përgjigjemi në mënyrë negative. Ata kishin dijeni të plotë. Madje Profesor Krisafi citon se në materialin “Sqarime plotësuese mbi studimin dhe nxjerrjen e të dhënave mbi dëmet e shkaktuara nga okupacioni gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore”, përgatitur nga Ministria e Financave në vitin 1977 “thuhet se materiali dokumentar mbi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga pushtuesit gjermanë, ndodhej në Komisionin e Planit të Shtetit”14

Së dyti, për ta ngatërruar lexuesin në labirintin e shifrave e ndajnë shumën e dëmeve, veç ato të shkaktuara nga okupatorët italianë dhe veç ato të shkaktuara nga okupatorët gjermanë. Që të jepen të ndara këto dëme nuk ka gjë të keqe, në të kundërt. Problemi qëndron se duke i dhënë në mënyrë të stër-ngatërruar, përpiqen që dëmet të paktën t’i dyfishojnë nga ato që realisht janë evidentuar. Se vetë komunistët me vonë i kanë shumëfishuar.

Të marrim Prof. Dok. Krisafin. Dëmet nga Italia fashiste na i paraqet herë në shumën 3.544.232.626 franga ari15 të cituara nga veprat e E. Hoxhës (dihet që numrat, emrat dhe problemet në veprat e Hoxhës ndërronin sipas situatave, dukuri mjaft e njohur për shqiptarët), herë në shumën 3.639.491.626 franga ari16, pa asnjë referim dokumentar. Cilën shifër të besojmë? Natyrisht këtu nuk përmend edhe një herë dezinformimin trashanik për dëmet e deklaruara prej tij për Italinë fashiste prej mbi 36 miliardë franga ari, shifër që e konsideroj lapsus.

Ende me shqetëson fakti pse bëhet kjo, pse nuk ka asnjë referim origjinal për dëmet, kur pretendon për një punim serioz të mbështetur në dokumentacionin e kohës. Në fakt, në libër kemi një dokumentacion të bollshëm. Por, kur vjen puna pikërisht për thelbin e thelbeve të problemit që shtrohet, nuk ka referim origjinal, i referohet mashtrimeve të Hoxhës që ishte në majën e piramidës së mashtruesve apo thënë ndryshe krye-mashtruesi.

Asistent Profesori Kaba ndjek një rrugë tjetër, më “origjinale”, për të mbështetur këtë mashtrim të madh - ai i referohet, jo vetë Hoxhës, por adhuruesit stalinist të tij - W. Bland. Për W. Bland, Enver Hoxha ishte një stalinist i madh, i vetmi marksist-leninist pas Stalinit. Në biografinë e komunistit stalinist anglez thuhet se “ai nuk e ndërpreu për asnjë çast mbështetjen ndaj Enver Hoxhës që e konsideronte si një ndjekës besnik i Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit”.17 Është i njëjti W. Bland që e etiketon si “tradhtar” Ramiz Alinë për ndryshimet që rrodhën në Shqipëri, i njëjti që ndihmonte “Komunistët Shqiptarë” në vitet e demokracisë “për të rindërtuar socializmin nëpërmjet rrugës ilegale e të fshehtë në kushtet e reja.”18

E vërteta është se nuk i kam kuptuar dhe as që i kuptoj sot e kësaj dite disa shkencëtarë që preferojnë të citojnë çfarëdo dokumenti, shifre, ngjarjeje, nga literatura e huaj sesa dokumentet origjinale të kohës apo literaturën shkencore të vendit. Iu duket se kjo e rrit vlerën shkencore. Për mua është tregues i uljes së kësaj vlere.

Të vijmë konkretisht te problemi. Edhe z. Kaba jep një ndër tri shifrat e z. Krisafi për të njëjtin problem, atë të cituar nga E. Hoxha, d.m.th., dëmet e luftës nga Italia i paraqit me shumën prej 3.544.332 franga ari,19 apo 1.161.000.000 dollarë amerikanë.

Të dy autorët, megjithëse në kohë të ndryshme, nuk na japin një shifër origjinale të paraqitur në mënyrë autentike në Konferencën e Paqes në Paris. Edhe nëse nuk gjendet në dokumentacionin shqiptar të kohës, megjithëse e vërteta është se vështirë se ndodh një dukuri e tillë, pse nuk i drejtohen dokumentacionit të ruajtur me skrupulozitet shkencor në arkivat e organizmave ndërkombëtare? Këtu kemi të bëjmë me mungesën e dëshirës dhe me vullnetin e ndërgjegjshëm për të fryrë dëmet apo për të mbuluar e mbajtur në errësirë të vërtetën.

Së treti, me gjithë inkonveniencat e theksuara në shifrat që jep z. Krisafi për dëmet e Italisë fashiste, të pranojmë për një moment shifrën e njëjtë që paraqesin të dy autorët, d.m.th., 3.544.332.000 franga ari. Sikundër përmendëm, dëmet e shkaktuara nga okupatorët italianë dhe gjermanë së bashku, sipas dokumenteve origjinale të Komisionit të Planit të Shtetit, ishin 4.146.659.211 franga ari. Logjika e do që po të bëhet diferenca midis shumës së përbashkët italo-gjermane të dëmeve me shumën që iu kërkua vetëm Italisë, atëherë si rregull do të duhej të pretendohej si shumë e dëmeve të shkaktuara nga okupatori gjerman 602.327.211 franga ari.

Autorët e përmendur e mënjanojnë këtë logjikë, këtë e bëjnë thjesht dhe vetëm për spekulim.

Natyrshëm lind pyetja: Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris ka folur dy herë dhe rrjedhimisht ka paraqitur veçmas dëmet dhe kërkesat për reparacione të shkaktuara nga fashistët italianë dhe veçmas për ato të shkaktuara nga nazistët gjermanë? Nuk më duket kështu. Ai ka paraqitur vetëm një herë dëmet e luftës në atë Konferencë. Po të ishte ndryshe, të jepen dokumente.

Që këtu lindin pikëpyetjet, por edhe përpjekjet për të mashtruar, manipuluar opinionin. Nuk përdoren dokumente origjinale të Konferencës së Paqes, por citime të nxjerra në mënyrë të dyshimtë nga burime të ndryshme. Që ka mashtrim nga të dy palët, është problem që nuk mund të vihet në dyshim. Çështja është të bëhen sqarime se që në atë kohë komunistët e rritën shkallën e mashtrimit dhe të gënjeshtrave duke dyfishuar shumën reale të dëmeve apo lanë një tymnajë. Kjo nuk i përjashton nga përgjegjësia autoret e mësipërm, të cilët ishin të obliguar ta nxirrnin këtë mashtrim. Nëse i kanë “qepur” vetë letrat për shkaqe që dihen, atëherë përgjegjësia bëhet edhe më e madhe.

Zoti Krisafi ndjek një logjikë krejt absurde dhe jashtë çdo gjykimi normal për të justifikuar shifrat që do të japë. Ai pretendon se “në evidencën e parë, atë të vitit 1945, shifrat janë relativisht modeste, në krahasim me ato të viteve të mëvonshme, të viteve 1947 dhe 1975. Kjo, me sa duket, duhet të ketë qenë një ndër arsyet e rishikimit të tyre, por shkalla e korrigjimit është bërë me koeficient zmadhues, aq sa është vënë në dyshim objektiviteti dhe vërtetësia e tyre.”20 Pra, megjithëse për të larë gojën si Pons Pilati shpall me plot gojën se “nuk pretendon vërtetësinë e tyre”21 dhe se shifrat janë “jashtë objektit të këtij libri”,22 përsëri i jep ato për të çorientuar lexuesin, për të kamufluar historinë.

Megjithatë unë e kam një dyshim të drejtpërdrejtë. Vetë Profesori na jep një citim ku thuhet shprehimisht se të dhënat konkrete për dëmet e paraqitura në vitin 1975 nuk dallojnë nga të dhënat në vitet 1945-1946, atëherë pse jep shifra çorientuese? Konkretisht ai citon një material të përgatitur nga Ministria e Financave të shkurtit 1977, ku “Pohohet gjithashtu se shifrat për të vrarët, të plagosurit, të internuarit, të detyruarit për të kryer punë të rënda, që përmbahen në aneksin e Memorandumit të qershorit 1975, “janë fare afër shifrave që figurojnë në dokumentet e viteve 1945-1946””

Duke qenë i ndërgjegjshëm që dëmet materiale e njerëzore janë ato që u evidentuan në vitet e para të pasluftës, sikundër dhe na e argumentoni me dokumentet që paraqisni, atëherë ç’ndryshime pati? Pse u bënë ato? Kush i bëri? Çfarë manipulimesh u kryen? Këto dhe pyetje të tjera e duan një përgjigje. Ky është në esencë edhe objekti i librit që do sqaruar me përparësi. Kam edhe një pyetje - me cilët numra për dëmet e shkaktuara nga okupatorët gjermanë jeni? Si rregull me ato që janë paraqitur në Konferencën e Parisit. Është kjo arsyeja që, në mënyrë tangjente, kalimthi, duke hedhur gurin e fshehur dorën, në formë shënimi shkruani: “Në Konferencën e Parisit, përfaqësuesi ynë paraqiti listën e dëmeve të shkaktuara nga okupatorët nazistë gjermanë për një shumë prej afro 4 miliardë franga ari ose 1.260.954.096 dollarë USA të 1938”. Në këtë shumë nuk përfshiheshin shpërblimet me karakter humanitar (për të vrarët, të plagosurit, të burgosurit etj.)”23

Para se të vijmë te një llogari apo bilanc i thjeshtë përsëri më shqetëson pyetja: “Pse zihet veshi i djathtë me dorën e majtë?” Thënë ndryshe, pse nuk citohen direkt dokumentet e kohës, nëse kish të tilla, megjithëse unë dyshoj. Këto janë manipulime të regjimit komunist, të organizmave të kalbura të diplomacisë. Janë njëherësh akraballëqe dhe tymnaja që bëjnë pasuesit e tyre në shoqërinë postkomuniste.

Tani të bëjmë një aritmetikë elementare:

Shumat e dëmeve të okupatorëve italianë dhe gjermanë të paraqitura në literaturën shqiptare

Dëme të shkaktuara nga: Shuma në franga ari Shuma në US dollarë

a-Okupatorët italianë 3.544.332.000 1.161.000.000

b-Okupatorët gjermanë 4.000.000.000 1.260.954.096

c-Gjithsej dëmet nga okupatorët italianë dhe gjermanë (a+b) 7.544.332.000 2.421.954.096

d-Dëmet gjithsej sipas dokumenteve të Komisionit të Planit të Shtetit të shkaktuara nga okupatorët italianë dhe gjermanë. 4.146.659.211 1.382.219.737

e-Diferenca e shtuar nga shkencëtarët e historiografisë komuniste (c-d) 3.397.672.789 1.039.734.359

Profesor Krisafi, megjithëse “nuk pretendon vërtetësinë” e shifrave, meqë për mashtrim i ke “konsideruar jashtë objektit të këtij libri”, përsëri po lëshon disa tullumbace me gaz me hidrogjen që helmojnë ndërgjegjen shoqërore të shqiptarëve, jo vetëm në brezat e sotëm, por veçanërisht për ato që vijnë. Nuk ka mashtrim, manipulim, gënjeshtër më të madhe se sa të japësh në mënyrë të stërholluar, me “shkencë”, dëmet e luftës nga okupatorët italianë e gjermanë në shifrat astronomike prej mbi 7.5 miliardë frangash ari apo 2.4 miliardë dollarësh. As komunistët në fuqi në kohën e tyre nuk guxuan ta japin hapur këtë shifër marramendëse. Me këto shifra vështirë se diskutohet në ditët e sotme në Shqipëri, jo më për vitet 1939-1944, që ekonomia ishte e sfilitur, pasuria kombëtare e papërfillshme. Nuk e kuptoj, ju jeni në profesion jurist, por, kur jepen shifra, të paktën do mbajtur një përgjegjësi morale. Nuk mjafton të thuhet se është përdorur “koeficient zmadhues”. Kjo është bërë tri dekada më vonë nga komunistët. Dyfishimin e dëmeve në rastin tonë e keni bërë ju, me ndërgjegje apo jo, nga shkalla e njohjes, impenjimi ideologjik, nuk di ta përcaktoj. Si ekonomist mund të them se “mjaft, është mjaft”. Me këtë kuptoj që çdo gjë, madje edhe çdo qëllim, ka një kufi. Sot nuk mund të pranohen thëniet se “qëllimi justifikon mjetin”. Këtu kemi të bëjmë me historinë e vendit tonë, të Shqipërisë, që nuk i takon vetëm një grupi, por të gjithëve.

Ndryshe vepron z. Kaba. Edhe duke mos qenë në gjendje të sjellë dokumente autentike nga Konferenca e Paqes ne Paris, nuk i duket e drejtë të përdorë shifra nga manipulimet e dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Jashtme që në total dyfishojnë dëmet e luftës. Të paktën përdor një politikë racionale, megjithëse joshkencore. Për t’i kompensuar apo zbutur këto shifra krejt të papranueshme dhe alogjike, bën kërkime. Në fund na “zbulon” një broshurë të hartuar për qëllime propagandistike nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë aty nga viti 1948. Se çfarë përfaqëson shifra e dhënë në të, asnjë nuk është në gjendje tani për tani të shfaqë ndonjë mendim. Kjo derisa të gjenden dokumente autentike dhe të ballafaqohen ato me shifrat shtetërore të llogaritura nga Drejtoria e Statistikave në Komisionin e Planit të Shtetit. Një gjë është fakt, ato nuk janë kaq të fryra sa ato që paraqet me papërgjegjësi Profesor Krisafi. Z. Kaba citon: “Dëmet e shkaktuara nga pushtimi gjerman në Shqipëri llogariteshin në 1.329.997.567 franga ari ose 437.499.211.88 dollarë amerikanë.”24 Gjithsesi këto janë zgjidhje amatoreske që kryhen nga intelektualë që merren me shkencë. Në fund të fundit edhe këto shifra të dëmeve nga okupatorët gjermanë, të mbledhura me dëmet e luftës që i janë faturuar okupatorëve italianë, duke cituar W. Blande, janë shumë më të mëdha se ato që janë llogaritur dhe janë në arkivat e Komisionit të Planit të Shtetit pranë Arkivit Qendror Shtetëror. Ato në total na çojnë në shumën e humbjeve nga okupatorët italianë dhe gjermanë prej afro 4,8 miliardë franga ari apo 1,6 miliardë dollarë. Edhe këto shifra, megjithëse disi më të vogla, nuk të çojnë në konkluzion tjetër, veç në atë se, historia po falsifikohet me “shkencë”. Ndryshe ndershmëria shkencore do të detyronte të kërkoheshin rrugë për zvogëlimin e vlerave të humbjeve të luftës të paraqitura në organizmat ndërkombëtare për reparacionet nga Italia. Natyrisht, jo për të ndryshuar shifrat e dhëna, por të paraqisnin në mënyrë reale e të dokumentuar përmasat e atyre dëmeve.

Vijon numrin e nesërm

__________

1. Prof. Dr. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 74-75.

2. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 69. Autori citon një dokument të: Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të RSH, F. Traktati i Paqes me Italinë. D. A/II/30. V. 1948.

3. Alec Cairncross, The price of war, British Policy of German Reparations, 1941-1949, Basil Blackwell, Ltd, New York, 1986, faqe 70-71.

4. Gazeta “Bashkimi”, 6 korrik 1946.

5. Prof. Dok. K.Krisafi, libër i cituar, faqe 106. (Sipas Artur Conte, Jalta dhe ndarja e Botës, Albin, 1994, f. 123).

6. Ferdinand Dervishi, “Reparacionet, dueli i panjohur i shqiptarëve me italianët pas Luftës, Gazeta “Panorama”, datë 15-7-2009.

7. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 63-64.

8. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar.

9. Hamit Kaba, a- Dëmshpërblimet italiane të luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë (1945-1960), botuar në revistën “Studime Historike”, Nr. 1-2, viti 2003, faqe 95-105; b- Dëmshpërblimet gjermane të Luftës së Dytë Botërore ndaj Shqipërisë, botuar në revistën “Studime Historike”, Nr. 3-4, viti 2001, faqe 163-174.

10. AQSH, Dosja A. “Komisioni i Planit të Shtetit. Drejtoria e Statistikës, Dosja Nr. 1: Pasqyrat përmbledhëse të dëmeve të luftës të bëra nga okupatorët gjatë viteve 1939-1944 në pasuri të tundshme dhe të patundshme, sipas prefekturave, si Republikë në vleftë dhe në njësi matje të ndryshme dhe sipas fuqive shkatërruese, të përpunuara nga Drejtoria e Statistikave”, faqe 26.

11. Shënim: Në pasqyrë për të mënjanuar shifra të hollësishme dëmet për degët e industri-miniera, bujqësi-blegtori dhe transport janë përmbledhur nga dokumenti origjinal.

12. Shënim: në dokumente nga Komisioni i Planit të Shtetit janë bërë disa korrigjime me që shifrat ishin të fryra. Është kjo arsyeja që shuma e dëmeve në total nuk përputhet me dëmet po të mblidhen sipas llojit të dhëna në pasqyrë nga numri 1 deri në numrin 7.

13. AQSH, Dosja A, dokument i cituar i Komisionit të Planit të Shtetit. (Është shifra origjinale e paraqitur në dokumentin autentik për reparacionet, pasi janë zbritur korrigjimet që janë konsideruar të domosdoshme nga zyrtarët e kohës.

14. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 70; cituar: AMPJ, F. Reparacione nga Gjermania, D. Nr. 17, v. 1977.

15. E. Hoxha, Fjalim i mbajtur në seancën plenare të Konferencës së Paqes në Paris, më 21 gusht 1946, Vepra, vol. 3, f. 422.

16. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 142.

17. http://www.oneparty.co.uk/compass..

18. Po aty- http://www.revolucionarydemocracy.org/

19. Hamit Kaba, Dëmshpërblimet italiane të Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë (1945-1960), në “Studime Historike”, Nr. 1-2, 2003, faqe 97. Autori i referohet: E.Bland - J.Price, A tangled Web. A history of Anglo-American Relations with Albania, 1912-1955, London, 1986, f. 210.

20. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 69-70.

21. Po aty, faqe 64.

22. Po aty.

23. Po aty, faqe 64. Citohet: AMPJ, F. Reparacionet nga Gjermania, D. Nr. 17, v 1977.

24. Hamit Kaba, Dëmshpërblimet gjermane të Luftës së Dytë Botërore ndaj Shqipërisë (1945-1990), në “Studime Historike”, Nr. 3-4, 2001, faqe 168. Autori i referohet: Damages de guerre causes par l”Allemagne nazie a l’Albanie (Dëmet e luftës të shkaktuara nga Gjermania naziste në Shqipëri), Tiranë, 1948 - Broshurë e përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›