E Diel, 1 Nëntor 2026

Miku i Berishës “certifikon” zgjedhjet para raportit përfundimtar të ODIHR-it

Volfgang Grosruk viziton Tiranën pak ditë para daljes së raportit të zonjës Glover. Ai lajmëron “certifikimin” e zgjedhjeve: “Janë më të mira se sa proceset e tjera”

Albert Gjoka

Vetëm pak ditë para daljes së raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit, në Tiranë është shfaqur zoti Volfgang Grosruk, i cili ka sjellë pak para kohe “haberet” e certifikimit të procesit. Përtej vizitës zyrtare, kjo shërben edhe për “certifikimin” e zgjedhjeve përkundër pretendimeve të socialistëve, të cilët presin që të marrin një vendim në Kongresin e tyre të 28 gushtit për legjitimitetin e procesit.
I njohur si miku i kryeministrit Berisha dhe njëherësh anëtar i së njëjtës familje të partive popullore europiane, zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së ka përcjellë të njëjtin mesazh që u tha më 29 qershor në Tiranë: “Zgjedhjet kanë probleme të karakterit teknik, por janë në përputhje me angazhimet që ka marrë Shqipëria si vend anëtar i OSBE-së”. Ai, i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë, diplomatë të strukturave të OSBE-së, kanë zhvilluar gjatë ditës së djeshme takime me zotin Berisha, me kryetaren e Kuvendit, zonjën Topalli, kryesocialistin Rama dhe kreun e LSI-së, Ilir Meta. Në përfundim, zoti Grosruk ka deklaruar se zgjedhjet kanë qenë pozitive, duke nxjerrë sekretin e pritshëm të raportit të ambasadores Glover, që pritet të dalë në fillim të shtatorit.
Zgjedhjet, më të mirat
Kreu i misionit afatshkurtër të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit duket se nuk e ka mbaruar zyrtarisht angazhimin e tij në lidhje me Shqipërinë. Ndonëse ai ka qenë faktori kryesor në paraqitjen e deklaratës paraprake, më 29 qershor, sërish po përfshihet në proces, ndonëse peshën kryesore tashmë e ka ambasadorja Glover, e cila, në cilësinë e misionit afatgjatë, ka ndjekur të gjithë sagën zgjedhore, deri në shpalljen e mandateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas përfundimit të apelimeve në Kolegjin Zgjedhor. Ashtu siç thonë edhe burimet zyrtare të maxhorancës, zoti Grosruk ka konfirmuar dje dy detaje, të cilat paralajmërojnë pranimin e standardeve nga OSBE-ja: Së pari, që këto zgjedhje ishin më të mirat që janë zhvilluar ndonjëherë (shih njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë) dhe së dyti, ishin më të mira se sa pritshmëritë e ndërkombëtarëve. Zyrtarisht, asnjëri prej anëtarëve të Delegacionit parlamentar të OSBE-së që ka mbërritur dje në Tiranë nuk e ka komentuar procesin publikisht, por shenjat e para që jepen nga takimet zyrtare lënë të kuptohet se zoti Grosruk i ka sjellë mikut të tij, zotit Berisha, haberet e mira në prag të krijimit të qeverisë së re falë koalicionit me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Vlerësimi i standardeve
Detaji që ka ngjallur më shumë debat është nëse zgjedhjet ishin sipas standardeve, apo jo. Kjo çështje nuk mori përgjigje as në datën 29 qershor, kur pas këmbënguljeve të shumta të reporterëve shqiptarë dhe të huaj, shefja e misionit afatgjatë të OSBE/ODIHR-it deklaroi se organizata ka ndryshuar metodologjinë e vlerësimit të proceseve zgjedhore. Vëzhguesit e huaj përmendën deklarata të tilla si, “këto zgjedhje ishin më të mira se në proceset e tjera zgjedhore”, apo se “shënuan përparim në arritjen e standardeve”, por ende nuk ka marrë përgjigje fakti nëse ishin sipas standardeve që përcakton OSBE-ja. Më datë 29 qershor, krejt ndryshe nga sa u komentua prej anëtarëve të misionit vëzhgues, në deklaratën zyrtare u tha se “zgjedhjet vlerësohen për përputhshmërinë me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Europës për zgjedhje demokratike, si edhe me legjislacionin shqiptar”.
Ndryshim qëndrimesh
Për herë të parë, në ndryshim nga herët e tjera, u konstatuan mendime të ndryshme mes drejtuesve të delegacioneve që ishin të përfshirë në misionin ndërkombëtar për monitorimin e zgjedhjeve. Ndërsa Asambleja Parlamentare e OSBE-së, që kryesohej nga zoti Grosruk, i cili ishte në cilësinë edhe të shefit të misionit të vëzhguesve afatshkurtër, tha se këto zgjedhje shënuan “progres të prekshëm” që u përsërit edhe dje, kritika të rrepta pati nga përfaqësuesi i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, zoti Brus Xhorxh dhe përfaqësuesja e Këshillit të Europës, zonja Jonker. Madje, Brus Xhorxh, i cili i ka ndjekur edhe më parë proceset zgjedhore në Shqipëri, lëshoi kritika të ashpra për mënyrën se si u bënë zgjedhjet më 28 qershor. Ai i konsideroi të papranueshme praktika të tilla si votimi familjar, apo mënyra e administrimit të procesit nga komisionerët në qendrat e votimeve. Fare qartë ai uli poshtë standardet, duke i krahasuar ato me një vend demokratik që është anëtar i NATO-s. Të njëjtin konstatim bëri edhe përfaqësuesja e Këshillit të Europës, e cila ripërsëriti kërkesën që Tirana zyrtare duhet të respektojë rezolutën e vitit 2007 dhe njoftoi se do të vazhdojë monitorimi i reformave që organizata i ka kërkuar të zbatojë Shqipëria si vend anëtar. Por, deklarata paraprake u dha në momentin kur sapo kishte nisur procesi i numërimit, i cili u konsiderua nga vëzhguesit si vendimtar në vlerësimin e zgjedhjeve. Madje, si asnjëherë tjetër, misioni vendosi që të zgjasë qëndrimin në Shqipëri të delegacionit të misionit afatshkurtër, të cilët ndoqën nga afër numërimin e fletëve të votimit që 66 qendrat e numërimit në të gjithë vendin.

Vjeshta sjell tri raporte për zgjedhjet e 28 qershorit

Kjo vjeshtë do të shënojë daljen e 3 raporteve nga tri organizata ndërkombëtare ku aderon Shqipëria, të cilat do të vlerësojnë standardet e procesit të 28 qershorit, si dhe fatin e integrimit të vendit. I pari është i misionit të OSBE/ODIHR-it, që kryesohet nga ambasadorja britanike, zonja Glover. Vetë zoti Grosruk, por edhe më parë zonja Glover, njoftuan me përafërsi fillimin e shtatorit daljen e raportit përfundimtar të zgjedhjeve, i cili shërben si pikë referimi për gjithë organizatat ndërkombëtare dhe shtetet anëtare të BE-së apo SHBA-ve.
Raporti i dytë po përgatitet nga Këshilli i Europës dhe do të bëhet publik më 28 shtator. Në sesionin e vjeshtës, Byroja e Asamblesë dhe Komiteti Ad Hoc i ngritur për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri, që kryesohet nga zonja Jonker, do të raportojnë para deputetëve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës për cilësinë dhe standardet e procesit të 28 qershorit. Kjo asamble ka miratuar një rezolutë në vitin 2007 për angazhimet e Shqipërisë si vend anëtar i KE-së, përsa i përket realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Po ashtu, vendi ynë është në monitorimin e rreptë të kësaj organizate për të realizuar të gjitha angazhimet që kërkon të qenit anëtar i saj.
Dhe raporti më i fundit do të paraqitet në muajin nëntor, në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Raportues do të jetë zoti Brus Xhorxh, një nga kritikët më të mëdhenj të procesit të zgjedhjeve pas datës 28 qershor. Ai ka pohuar se të gjitha pikat e kritikueshme që u vunë re gjatë procesit të fushatës dhe ditës së votimeve do t’i paraqiten Asamblesë dhe pritet që të dalin një numër rekomandimesh për anëtarin më të ri të NATO-s. Para largimit nga Shqipëria, në fillimin e korrikut të këtij viti, zoti Xhorxh bëri një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë dhe kërkoi prej tyre që t’u ushtrohet presion qeverisë dhe strukturave të sigurisë në vend që të garantojnë rend dhe qetësi pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Këto organizata përcaktojnë standardet dhe angazhimet e Shqipërisë gjatë realizimit të zgjedhjeve, në përshtatje me kërkesat dhe kushtet që ka fakti i të qenit vend anëtar. Shqipëria aderon në të tri këto organizata.

RAPORTET

- Në fillim të shtator del raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-t, që është përgatitur nga misionet afatshkurtra dhe afatgjata. Ky raport certifikon standardet e zgjedhjeve

- Më 28 shtator paraqitet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës raporti për zgjedhjet, ku përcaktohet nëse janë realizuar angazhimet e kësaj organizate nga Shqipëria

- Në nëntor paraqitet në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga Brus Xhorxh raporti për zgjedhjet që përcakton nëse janë zbatuar standardet e një vendi anëtar të Aleancës

Historia e miqësisë së Grosrukut me Berishën

Zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zoti Volfgang Grosruk, është thënë publikisht jo vetëm nga mediat, se ka qenë në konflikt interesi me misionin monitorues të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai ka një të kaluar të afërt dhe të largët bashkëpunimi me PD-në dhe zotin Berisha. Madje është dekoruar nga kreu i shtetit rreth një vit më parë. Që z. Grosruk është mik i Berishës u duk edhe në mënyrën se si u trajtua kolegia e tij, zonja Odrei Glover, së cilës, në cilësinë e shefes së misionit afatgjatë të vëzhgimit të zgjedhjeve, fillimisht iu mbyllën dyert nga qeveria dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kontributi më i çmuar i z. Grosruk, si pjesëtar i një partie popullore në Austri, për zotin Berisha ka qenë certifikimi i zgjedhjeve të vitit 1996, të cilat u deklaruan botërisht si të parregullta dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. 13 vjet më parë, zoti Grosruk doli kundër raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 26 majit, të firmosur në Varshavë nga ambasadorja britanike Odrei Glover, që drejtonte në atë kohë organizatën. “Më duhet të them se zgjedhjet (e 26 majit, shën. ynë) ishin cilësore dhe korrekte”, - deklaronte z. Grosruk në konferencën e tij të shtypit menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 1996, i cituar nga agjencia britanike “Rojter”. Ndërsa ekipi prej 50 vëzhguesve të huaj të ODIHR-it, që ishte në terren, paraqiste me nota tejet kritike të gjithë procesin dhe momentin e votimeve.

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›