E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, ballistët dhe pulat

REDI GJUZI

Dështimi i një pakti formal mes partive të vogla dhe PD-PS u eklipsua disi nga debati i zjarrtë mes Edi Ramës dhe përfaqësuesve të Partisë së Ballit Kombëtar. Kryetari i socialistëve, në përpjekje për tiu përgjigjur ndërprerjeve të vazhdueshme që iu bënë pa të drejtë gjatë ligjëratës së tij, gjeti një batutë partizane për të atakuar përfaqësuesit e paduruar të Ballit Kombëtar. Unë nuk ndërpreva njeri. Zakonisht ju hanit pula. Atakimi i Ballit Kombëtar me këtë fjali është marrë borxh nga propaganda kulturore që pushteti komunist u përpoq të impononte gjatë viteve të diktaturës. Ballistët që hanë pula janë skena të zakonshme, të mbushura me batuta humoristike, pothuajse në të gjithë filmat e viteve 1970-1990. Përgjithësisht, ballistët paraqiteshin në pjesë kryesore të filmit si tradhtarë, si njerëz me pushtet, por grykës të paparë, të cilët pavarësisht luftës, kishin preokupim kryesor më shumë të mbushnin barkun me pulat e fshatarëve të varfër, sesa të dilnin malit e të luftonin. Edhe në rast se dilnin, ata kapeshin rob ose vriteshin nga partizani trim. Përgjithësisht ballistët ishin përkrahës të beut apo përkrahës të ndonjë tregtari dhe, si të tillë, ata vriteshin edhe nga ndonjë fshatar këpucëgrisur e i varfër që nuk duronte dot dhunë. Do të ishte e kotë analiza e të gjitha skenave të filmave apo edhe e të vërtetës së historisë së Ballit Kombëtar. Dihet botërisht se preokupimi i regjisorëve dhe skenaristëve, shumë të talentuar të asaj kohe, ishte demaskimi i Ballit Kombëtar, legalitetit dhe atyre që i përkrahnin. Kjo si pjesë e një lufte të hapur klasash që duhet ta bindte popullit edhe në spektrin e argëtimit, se ballistët, legalistët, pasanikët e tregtarët ishin njësoj dhe se e vetmja zgjidhje e mirë ishin komunistët. Ishte kjo arsyeja që i nxiste skenaristët e regjisorët që ta shikonin në këtë spektër luftën, partitë politike, opozitare të komunistëve. Në krahun tjetër të filmave ishin komunistët dhe partizanët. Përgjithësisht fshatarë të varfër dhe ndonjë intelektual, i rrallë, që i drejtonte fshatarët. Partizanët ishin nga baza e popullit dhe meqenëse propaganda kishte vendosur që shumica e popullit në kohën e luftës ishte e varfër në beter, atëherë edhe partizanët ishin përfaqësues të beterit të shoqërisë. Pavarësisht se për çfarë po punonin dhe kujt i shërbenin, ata regjisorë e skenaristë kanë bërë punë të mirë. Na i kanë treguar të dyja palët njësoj në ekstremitetet që donte partia, ballistët duke ngrënë pula e partizanët fshatarë të varfër dhe punëtorë me mëditje.
Problemi i filmave të propagandës komuniste erdhi pas viteve 1990, ku u pa se këta ballistët, legalistët dhe pasanikët e tregtarët nuk ishin ashtu siç tregohej në skenat e filmave. (Për partizanët nuk ka akoma një kundërshtim të propagandës). Shqiptarët e kuptuan, ose më saktë e thanë me zë të lartë se komunistët e kishin mjeruar Shqipërinë pas lufte dhe kishin vrarë e prerë ballistë e legalistë pa të drejtë dhe pa gjyq. Në këto kushte, e gjithë propaganda e filmave apo edhe pikturave të Realizimit Socialist ra. U rrëzua turpshëm dhe dhimbshëm për ata që u vranë gjyqeve partizane apo postpartizane dhe që ndenjën burgjeve me dekada.
Marrja e djeshme e batutës së pulave nga filmat komunistë dhe përdorja për të etiketuar ballë për ballë përfaqësuesit politikë të Ballit Kombëtar, është më shumë se një lajthitje në tension debati. Vetëkënaqësia dhe qeshja me të madhe me batutën në një sallë të habitur me përfaqësues politikë, tregon se Edi Rama ka të njëjtën pikëpamje për Ballin Kombëtar, njësoj si të skenarëve që firmoseshin nga përfaqësuesit e Partisë së Punës. Sidoqoftë, në partinë që përfaqëson Rama ka me mijëra votues që pranojnë akoma se ballistët dhe zengjinët e asaj kohe hanin pulat e fshatarit të varfër. Sot është zgjedhje e lirë ta besosh edhe këtë tezë, nuk shkon të burg. Në partinë e Edi Ramës ka shembuj jetikë se si demaskimi i ballistëve dhe zengjinëve që hanin pulat e fshatarëve i ka rritur në karrierë këta të fundit. Ka me dhjetëra shembuj të gjallë se si partizani këpucëgrisur, pasi ka varur a internuar ballistin që ha pula, jo vetëm nuk është dënuar, por është graduar dhe ngritur në hierarki aq lart, sa edhe sot përfaqëson popullin. Po të mos vriteshin ballistët e legalistët, po të kishte Shqipëria një sistem tjetër pas lufte, sigurisht që ai dhe opozitarët e tij do të ishin shumë larg nga pozicioni që kanë sot. Në atë kohë nuk kishte mundësi zgjedhjeje të kinematografisë apo artit, detyrimisht duhet të shikoje filma me ballistë që hanin pula. Kishte nga ata që i qante zemra kur i shikonin, kishte nga ata që e shijonin dhe pasqyroheshin në ato skena. Sot ka mundësi zgjedhjeje, dhe zgjedhja e Shqiptarëve është bërë. Sot është turp tu kujtosh përfaqësuesve të Ballit Kombëtar skenat e filmave komunistë kur këta të fundit i kanë vrarë dhe burgosur duke u përpjekur të justifikohen pikërisht nga ato skena.
Edi Rama ka një të drejtë në qeshjen dhe talljen e tij cinike. Ndoshta përfaqësuesit e sotëm të Ballit Kombëtar janë vërtet në nivele qesharake dhe nuk i ngjanë aspak Mithat Frashërit dhe atdhetarëve të tjerë si ai. Por një gjë është e sigurt, Balli Kombëtar, PD, partitë e tjera, dhe vetë PS, do të përfaqësoheshin shumë më mirë sot e gjithë ditën po të mos ekzistonin komunistët dhe filmat e tyre. Produktet dhe përfaqësimi politik sot është pjellë e atyre pulave të filmave. Kush ka dashur është distancuar dhe ka pasur 20 vite kohë ta bëjë këtë pa u kërcënuar me vrasje a burgim.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›