E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama dështoi në përpjekjen për të shtyrë vendimin e vizave”

Deputetja e PD-së Arenca Trashani

Komentet e paqarta dhe herë-herë emocionale të Edi Ramës, duke e quajtur rezolutën e Parlamentit Evropian si katastrofë për Shqipërinë, tregojnë se kryesocialisti është kundër integrimit të vendit. Këtij fakti iu referua dje deputetja e Partisë Demokratike, Arenca Trashani, e cila reagoi menjëherë pas deklaratës së kryetarit të socialistëve lidhur me raportin e fundit të Brukselit për integrimin e vendit. Trashani tha se Rama është në krizë të rëndë psikologjike nga e cila vështirë se mund të dalë.
“Edi Rama në një gjendje të rëndë psikologjike, në kontrast me gëzimin e shqiptarëve, në vend të përshëndetjes për rezolutën e liberalizimit të vizave e quajti atë një katastrofë alarmante. Edvin Rama dështoi në përpjekjen e tij, për të shtyrë vendimin e liberalizimit të vizave. Në fakt kjo ishte fiaskoja e fundit e turpshme e tij. Natyrisht, askush nuk priste që ai të kishte kurajën që të bënte qoftë edhe me demek, se e përshëndet këtë vendim historik”, u shpreh Trashani.
Ajo vuri në dukje se Parlamenti Evropian ka bërë thirrje për fillimin nga puna të hartimit të Kodit Zgjedhor, ndërsa nga ana tjetër Rama vazhdon të qëndrojë në pozita qesharake bashkë me deputetët e tij.
“Njoftojmë zotin Rama se liderët e grupeve të djathta e të majta i kanë kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të fillojë punën për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR për kodin elektoral. Edi Rama mos i vendos më në pozita qesharake dhe kundër interesave të popullit deputetët e PS-së”, tha deputetja Arenca Trashani, duke ftuar deputetët socialistë që të bashkohen me mazhorancën për t’i bërë përmirësime të tjera kodit elektoral.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›