“Edi Rama, distancohu nga krimet elektorale”
Atentati kundër kandidatit të mazhorancës për komunën Dajt - reagon Partia Demokratike
Një ngjarje e rëndë do trondiste kryeqytetin dy ditë më parë, ku një militant politik i Partisë Socialiste ka qëlluar me armë në drejtim të kandidatit të Partisë Demokratike për komunën Dajt, Besim Kuka. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë Partia Demokratike reagoi dje përmes zëdhënëses Albana Mustafaraj, duke i bërë thirrje kryetarit të socialistëve, Edi Rama, që të heqë dorë nga krimet elektorale që ka filluar të aktivizojë në vend. “Mbrëmë në darkë kocka mafioze e Edvin Kristaq Ramës, eksponent i krimit të Partisë Socialiste, qëlluan 4 herë në drejtim të kandidatit për kryetar të Komunës Dajt, Besim Kuka, me qëllimin e vetëm makabër për të fituar zgjedhjet duke eliminuar fizikisht kundërshtarin politik. Partia Demokratike dënon këtë akt të shëmtuar kriminal. PD i kërkon Edvin Ramës të distancohet dhe të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë për këtë tentativë për vrasje. Sikundër i bën me dije se për çdo dhunim, cenim, apo kërcënim të kandidatëve të Partisë Demokratike në mbarë vendin, do të ketë një përgjegjës dhe vetëm një, dhe ky do të jetë Edvin Kristaq Rama, i cili e nisi fushatën elektorale të partisë së tij me një akt të rëndë kriminal për të dëshmuar moralin e tij politik”, u shpreh në reagimin e saj zëdhënësja e selisë blu, Albana Mustafaraj.
Kandidati Besim Kuka: “Do ta fitoj betejën, nuk mund të më ndalin dot bandat e Ramës”/Besim Kuka kandidat i PD-së për komunën Dajt u kanos mbrëmjen e djeshme me armë nga kundërshtarët politikë. Kuka ka rrëfyer vetë ngjarjen. “Ngjarja ndodhi kur unë po dilja nga zyra elektorale”, tha kandidati i PD-së për komunën Dajt, për zgjedhjet lokale të 8 Majit. Kuka tha se agresori është një eksponent i Partisë Socialiste. Ai tregon se agresori filloi një bisedë provokuese. “Agresori më pas rrëmbeu armën dhe qëlloi. Nuk më vjen mirë për ata që provokuan ngjarjen”, tha Kuka. Ai tha se duam të bëjmë një fushatë të qytetëruar. “Partia Socialiste e ka nisur shumë keq fushatën. Ky nuk është modeli im i të bërit fushatë. Unë po dal me një program për komunitetin. Kjo ngjarje tregon se kush është kjo opozitë”, tha Kuka. Sipas tij, opozita po tregon se çfarë mund të ofrojë. “Shantazhet nuk më pengojnë të fitoj betejën. Nuk më ndalin dot bandat e Edi Ramës”, tha Kuka.
Zëdhënësja e Kandidatit për Kryebashkiak në Tiranë: “Lulzim Basha refuzon politikën e vjetër të grindjes - për të, të parët janë qytetarët”/“Nuk është surprizë që Edi Rama po vazhdon të riciklojë sulmet e vjetra dhe të dëshpëruara politike, në vend që të flasë për zgjidhjen e problemeve të Tiranës. Njerëzit e dinë se sot, ashtu si dhe çdo ditë tjetër, Lulzim Basha është mes njerëzve duke dëgjuar nga afër hallet e tyre dhe duke diskutuar me ta për zgjidhjen e shqetësimeve. Në të kundërt të kësaj, Edi Rama dhe imituesit e tij, shkojnë nëpër lagjet e qytetit vetëm për të sulmuar, shpifur dhe ndotur edhe më shumë qytetin. E ftoj z. Rama, të përmbushë detyrimet që ka ndaj banorëve të Tiranës, dhe të ndahet nga politika e përbaltjes dhe shpifjeve, gjeste këto jashtë kulturës qytetare. Lulzim Basha është ndryshe. Ai mendon dhe vepron çdo ditë për një qytet më të qytetëruar dhe më qytetar. Lulzim Basha ka refuzuar dhe refuzon politikën e vjetër të grindjes, konfliktit dhe mllefeve. Ai ka prioritet punën dhe ndryshimin rrënjësor të qytetit të Tiranës. Ai ka një projekt serioz për qytetin. Sepse për Lulzim Bashës, e para është Tirana, të parët janë qytetarët e saj”.