E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama doli nga kulla e Pezës, dhe nuk tha një fjalë të mirë për NATO-n

Edi Rama u shfaq dje për herë të parë që pas dështimit publik në emisionin “Top Story”, të mbrëmjes së enjte të javës së kaluar. Ndryshe nga ç’pritej, Edi Rama kishte braktisur dje kullën e tij në Pezë, jo për të thënë ndonjë fjalë të mirë për anëtarësimin në NATO, as për të bërë goren, me dhënien falas apo jo të pasaportave elektronike, por ai doli dhe nëpërmjet një shoë të stisur qysh më parë, zgjodhi të mashtrojë me ngritjen e taksave lokale prej tij në masën 30 për qind dhe jo me uljen e pretenduar në masën 30 për qind.
Pas shfaqjes në një furrë buke të kryeqytetit, Edi Rama u zhduk, për t’ia lëshuar skenën  e llomotitjeve, Eron Braçes, Taulant Ballës, dje jo edhe aq çuditërisht, edhe Gramoz Ruçit, simbolit të “politikës së re” të PS-së.
Shfaqja e djeshme, por për më tepër zhdukja disaditore e Edi Ramës, saktësisht që nga mbrëmja e së enjtes, nuk ka kaluar pa hamendësime, për shkaqet e vërteta të “mbylljes” së tij në kullën e Pezës.
Duke bërë një lidhje logjike me kohën e zhdukjes, saktësish që pas emisionit “Top Story”, mbrëmjen e së enjtes, hamendësimet e para të bëjnë të besosh se dështimi publik i Edi Ramës, në këtë emision, ishte një arsye që ai të ngojohej për disa ditë në kullën e Pezës. Për ata që ndoqën atë emision, shija e hidhur e përgjigjeve të tipit “foli shumë por nuk tha asgjë”, të dhëna nga Edi Rama, bënë që ai, më e pakta pas (mos)kuptimit dhe më e shumta pas këshillave të mundshme të këshilltarëve “të jashtëm”, të ndërgjegjësohet për dështimin dhe të zgjedhë, që me besimin se “çudia më e madhe tre ditë zgjat”, të shfaqet dje, pikërisht pas “të tretave” të dështimit të tij publik.
Hamendësitë e tjera të bëjnë të besosh në fobinë që Edi Rama nuk mund të rri pa e shfaqur, fobi e lidhur me sukseset e kundërshtarit politik, që ai, Edi Rama, jo vetëm që nuk mund të bëhet pjesëmarrës në këto suksese, por zgjedh vetëpërjashtimin.
Javën e kaluar, pikërisht të enjten e kaluar, jo më larg se pak orë para dështimit publik të Edi Ramës, Parlamenti shqiptar ligjëroi anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Pikërisht ky eveniment, që për tersin e Edi Ramës ndodhi në vigjilje të emisionit të tipi “monolog’ në “Top Story”, mund të lexohet si “merak” i Edi Ramës, i cili, në kushte kur goja nuk guxonte ti thoshte një fjalë të mirë përshëndetëse, kur nuk ka as ndonjë motiv “madhor” për të protestuar në një ditë të tillë, sikurse mund të përqasim protestën e postvdekjes së Kosta Trebickës, ai, Edi Rama, zgjodhi që të zhduket në Pezë dhe të lëshojë zaret e tij, Erjon Braçe e Taulant Balla, që të lehin për sukseset e opozitës, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Kjo javë, do të jetë edhe më e vështirë për Edi Ramën, i cili do të duhet të përballet me ligjërimin që vetë NATO do ti bëjë hyrjes së Shqipërisë në këtë Aleancë. Ajo që mund të quhet edhe më “e vështirë”, për Edi Ramën nuk është asgjë më shumë se vazhdim i arratisë së tij në Pezë, deri pas zbehjes së pretenduar prej tij të suksesit të hyrjes së Shqipërisë në NATO.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›